Ish-presidenti Bujar Nishani ka paditur për shpifje kryeministrin Edi Rama. Padia e Nishanit vjen pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se i vëllai i Nishanit, ktheu në lloto, mensën në Qytetin Studenti.

Në një reagim për mediat, zyra e shtypit të Partisë Demokratike, thotë se i vëllai i Nishanit nuk ka tentuar të privatizojë kurrë ndonjë objekt në Qytet Studenti.

Reagimi i plotë i PD:

Ish presidenti Bujar Nishani vendosi të padisë për shpifje kryeministrin Edi Rama për akuzën publike të tij se “vëllai i Presidentit e ktheu në lloto mencën në Qyteti Studenti”. Ish presidenti siguron se i vëllai as nuk ka tentuar, as nuk ka nuk ka privatizuar kurrë ndonjë objekt në Qytetin Studenti. Zoti Nishani e sfidon Edi Ramën, si njeriu që ka në dorë çdo pushtet dhe çdo zyrë publike, nga tatimet tek hipoteka, të bëjë publike dokumentat që provojnë se vëllai i ish presidentit është pronar i ish mencës në Qytetin Studenti apo ka kryer ndonjë aktivitet llotoje aty.  Pak kohë më parë, për të vërtetuar se e njëjta akuzë ishte shpifje, ish presidenti Nishani publikoi certifikatat e pronësisë së pronarëve të ligjshëm, që nuk kanë asnjë lidhje me familjen apo të afërm të tij. 

Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama tha se toka në QS u zaptua nga politikanët e partisë që lindi në këtë ambient duke dhënë edhe shembullin e kthimit të mensës në një lloto nga vëllai i presidentit Nishani.