Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën e 23 majit për kreun e PD, por sipas tij kjo do të jetë një garë moderne dhe e hapur. Kreu i PD thotë se formula një votë e barabartë me 1 kandidat, mbështet një proces demokratik ndërsa vijon të thotë se në këtë parti nuk do të pranohen asnjëherë bashkëpunëtorë të krimit dhe të qeverisë, referuar këtu Ervin Salianjit, Evi Kokalarit e Alesia Balliut.
“Kjo garë ka qenë, është dhe do mbetet e hapur. Kurrë kjo parti nuk do mund të pranojë bashkëpunëtorë krimi, bandash dhe të qeverisë. Çdo demokrat e demokrate është i mirëpritur në garë. Por jo bashkëpunëtorët e qeverisë dhe të krimit. Nuk ka forcë politike në botë që pranon një gjë të tillë.
Së dyti, ju jeni anëtar i Partisë Demokratike dhe mund të lexoni. Çdo parti politike në botë, për kandidaturat, për kryetar bashkie, për kryetar partie dege, për kryetar partie në qendër, pra edhe çka zgjidhet me votë, ka kritere. Jashtë kritereve, nuk ekziston. Pra, ka një, pa kritere nuk mund të zgjidhet një njeri, nuk mund të zgjidhet. Këto kritere nuk janë caktuar në këtë garë. Këto kritere kanë ekzistuar. Çfarë janë këto kritere? Disa vite të eksperiencës drejtuese në pozicion vendor dhe qendror. Asnjë njeri që ka plotësuar kriteret, ose asnjë njeri që ka plotësuar këto kritere nuk është përjashtuar dhe nuk mund të përjashtohet nga gara.
Legjitimiteti i kësaj gare përcaktohet nga vota e lirë e anëtarësisë. Kjo është gara më e plotë, më eprore se çdo garë tjetër. Është referendum për kryetarin e partisë. Tani, në këto kushte, do t'ju kërkoja të refuzoni me përçmim propagandën. Shikoni çfarë ndodh. Ka një muaj që mafia mediatike e fjalës së lirë përqendrohet te gara, në të cilën kryetari i Partisë Demokratike do votohet sipas parimit një anëtar, një votë. Në një kohë kur kryetari i Partisë së Krimit është votuar për herë të fundit në vitin 2009. Dhe nuk është votuar asnjëherë gjerë sot. Shikoni çfarë skllevërish janë këta. Në vend se t'u bien borive, sirenave të alarmit për një njeri që nuk votohet, po që grabit votën, përpiqen të përballin një, një, një proces, i cili është në, në llojin e vet më i gjeri, më demokratiku, ku voton e gjithë anëtarësia.
Tani të them një gjë. Këtu unë jam Sali Berisha. Kurrë nuk kam lejuar, nuk i lejoj vetes të operoj me falsitete. Pra, të krijoj kandidatura, t'i lutem dikujt që kandido. Jo, absolutisht. Sa herë kanë ardhur, i kam mirëpritur, i kam respektuar. Kur nuk ka ardhur, nuk ka ardhur. Po në asnjë herë në jetën time s'e kam bërë dhe s'do ta bëj atë. Ndaj dhe kjo garë është garë, garë më moderne që zhvillohet në 75% të rasteve, sigurisht po të kishte kandidaturë tjetër edhe më mirë do ishte. Por, vota një anëtar, një votë është forma më supreme e zgjedhjes”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Berisha pranon dështimin e protestave: Duhet më shumë organizim! Kritika nga ndjekësit: Kilometri i fundit s’paska të sosur (VIDEO)











