Historia e Thoma Qirjakos, vogëlushit nga Vodica e Kolonjës që ka mbetur i vetmi fëmijë në fshat preku zemrat e gjithë shqiptarëve kur u transmetua më 29 Mars në Report TV.  8-vjeçari jeton në kushte të vështira ekonomike e sociale, për të kujdesen gjyshërit, pasi nënën e ka sëmurë, ndërsa babai punon çoban në male, larg shtëpisë. Apelit të gjyshit për ndihmë iu përgjigjen menjëherë Fatmir Xhaferi dhe Kujtim Kale.

Dy sipërmarrësit nga qyteti i Tiranës udhëtuan për më shumë se 200 km drejt Vodicës së Kolonjës, për ti dhuruar familjes Qirjako ndihma ushqimore, pajisje elektroshtëpiake dhe tufën me bagëti të imta që gjyshi Thoma Qirjako e kërkoi live në emisionin “Pa Gjurmë”. Për Fatmir Xhaferin rasti ishte tepër prekës ndaj u sensiblizua për të ndihmuar bashkë me mikun e tij Kujtim Kale.

“Po ndiqja kronikën në TV tuaj dhe më erdhi shumë keq për gjendjen e vështirë. Bashkë me një mikun tim vendosëm të blejmë pajisje televizor, frigorifer e pajisje të tjera, ushqime dhe tufën e bagëtive që babai i djalit të vijë të punojë këtu fshat, të rrisë fëmijën dhe të mos jetë argat diku tjetër”, tha biznesmeni.

Gjyshi Thoma Qirjako shprehet shumë mirënjohës për ndihmat dhe gjithashtu falenderon Report TV: “Ju falenderoj ju dhe bamirësve. Jam shumë shumë borxhli”.

I vogli, Thoma Qirjako, që mban emrin e gjyshit të tij është i vetmi fëmijë i fshatit Vodicë, prekur rëndë nga shpopullimi.

Ai mëson i vetëm në shkollën e fshatit, ku s’ka mbetur asnjë fëmijë, ndërsa përpos mësuesit “hero” Kastriot Aliko nevojitet edhe një psikolog për trajtimin e 8-vjeçarit, shërbimin të cilin e ka premtuar spitali i Kolonjës.