Astrit Idrizi, 35-vjeçari i arrestuar për zjarrin në banesat sociale në Shkozë ku humbën jetën dy të moshuar, dyshohet se e kreu krimin pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëjetuesen e tij. Burime për Report Tv bëjnë me dije se çifti kishte edhe një fëmijë, ndërsa prej kohësh marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar.
Sipas të njëjtave burime, Idrizi u ka thënë hetuesve se dyshonte që bashkëjetuesja e tradhtonte. Këto dyshime, sipas burimeve, kishin sjellë debate të vazhdueshme mes tyre dhe kishin bërë që çifti të largohej nga njëri-tjetri.
Hetimet paraprake dyshojnë se ky konflikt është edhe motivi që e shtyu 35-vjeçarin t'i vinte flakën banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij, ku në atë moment ndodheshin 65-vjeçarja I. Z. dhe 68-vjeçari A. Z. Të dy u nxorën të gjallë nga banesa dhe u transportuan në spital, por nuk arritën t'u mbijetonin plagëve.
Në apartament ndodheshin edhe bashkëjetuesja e Astrit Idrizit dhe fëmija i tyre. Ata u shpëtuan nga zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë, të cilët ndërhynë për evakuimin e banorëve pas përhapjes së flakëve. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, nëna dhe fëmija ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Astrit Idrizi u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e krimit.
Lajmi kryesor:
Tiranë/I vuri flakën banesës së prindërve të partneres në Shkozë, arrestohet 35-vjeçari: Ajo më tradhëtonte! Dy të moshuarit humbën jetën në spital (EMRAT+VIDEO)






