Dritan Burgija është një ndër demokratët që reagoi menjëherë pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar në 9 shtator 2021. Pa asnjë hezitim vendosi të mbështesë Berishën në turin e foltoreve, duke u kthyer më pas në drejtuesin e degës së PD-së në Durrës për rithemelimin. Pas afër pesë vitesh, ai rrëfen takimin me Berishën dhe besimin e tij në premtimet që kishte marrë prej tij për riorganizimin e PD-së dhe kthimin e kësaj partie në forcë politike konkuruese.

Por sot Dritan Burgia është përjashtuar nga PD pa një motivacion të qartë, pa argument dhe në mënyrë arbitrare. Në një intervistë për gazeta Tema, Burgija rrëfen marrëdhënien e tij me lidershipin e PD-së në tri kohë dhe flet për zhgënjimin e pabesinë që ndjen sot i përjashtuar nga një parti që i ka dhënë gjithçka pa asnjë rezervë.

“Atje nuk ndodh gjë po s’e diti Berisha. Ne merremi kot me firmëtarët. Ndihem i zhgënjyer shumë dhe i prerë në besë. I prerë në besë se çfarëdo që të kisha bërë unë, nuk di se çfarë gabimi kam bërë se nuk kam ndonjë provë, kam tri ditë që kërkoj prova për çfarë arritën të ndërmarrin këtë akt, nuk del njeri atje dhe të thotë shiko se ke bërë këtë. Siç më bënë aktin publik, le t’i bëjnë edhe provat. I zhgënjyer totalisht nga gjithë kjo histori. Edhe privatisht mund të ma thonin diçka duke qenë se kam pasur raporte shumë të mira”, tha Burgija. “Përderisa unë bëra aktin tim burrëror në kohën kur Berisha ishte në ditën më të keqe, unë prisja një reagim nga ana e Berishës, ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë”, shtoi ai.

Kur Burgija dhe mbështetës të tjerë të Berishës po organizonin rithemelimin, Ervin Salianji ishte përballë me PD-në zyrtare të Lulzim Bashës. Burgia thotë se nuk kishte pasur asnjë miqësi apo marrëdhënie politike me të, madje për një kohë nuk kishte as komunikim. Por demokrati i Durrësit shpjegon pse sot beson se Ervin Salianji ka të drejtë në ato që artikulon në publik.

“Me Ervin Salianjin unë kam pasur marrëdhënie vetëm institucionale. Mund të ketë pasur ndonjë periudhë që edhe nuk jemi përshëndetur fare kur jemi parë. Ervin Salianjin, për shkak të bashkimit që ishte shumë i rëndësishëm për t’u bashkuar partia, për shkak të ecurisë së mirë të partisë, Berisha dhe lidershipi aktual e ktheu në PD sepse unë deri në atë moment e kisha parë Salianjin si një nga njerëzit që kishte qenë përballë njerëzve të foltores dhe në këtë pikë, nuk është se kam pasur marrëdhënie të ngushtë. U bëra pjesë e foltoreve të Salianjit pas një takimi që pata kokë më kokë me Salianjin dhe në takim arsyetoi bindshëm që partia nuk ishte në rrugën e duhur”, tha Burgija.

Hakmarrja e lidershipit të PD-së për Burginë është një arsye më tepër që demokratët e Durrësit të largohen gjithnjë e më shumë nga mbështetja që i kanë dhënë për 35 vite Partisë Demokratike.

Dritan Burgija rendit disa argumente për ngjarje dhe zhvillime në PD që e kanë çuar drejt vendimit për të kundërshtuar lidershipin aktual, një prej të cilëve është edhe organizimi dhe manipulimi i procesit të primareve. Duke qenë drejtues i degës për disa kohë, ai e kishte mjaft të qartë numrin e anëtarësisë, por çuditërisht në procesin e primareve u shtuan 4 mijë anëtarë, të cilët sipas Burgisë u morën lista të gatshme nga fasoneritë e Durrësit për t’i dhënë fitoren kandidatëve të caktuar.

“Unë kam rezervat e mia për mënyrën sesi u zhvilluan primaret. Në momentet e fundit na vjen lista e anëtarëve të partisë që kishin të drejtë vote, na vjen me 4 mijë njerëz të shtuar. Unë si ish-drejtues partie kur ti më lë një listë me 7 mijë vetë dhe ti më sjell një listë me 11 mijë vetë, unë do të ndihem keq se unë jam njeri që futem në primare për të garuar, por janë anëtarët e PD që na vlerësojnë e njohin, nuk janë anëtarët e fasonerive të Durrësit”, tha Burgija.

E megjithatë, primaret dhanë tjetër rezultat me listën që miratoi Berisha për zgjedhjet e majit 2025. Burgija flet për rezultatet dramatike të PD-së në tri zgjedhjet e fundit dhe rënien me mbi dyfish të numrit të votave në Durrës nga zgjedhjet e vitit 2023 me ato të vitit 2025. Burgija thotë se besimi i elektoratit tek lidershipi ka kapur kuotat minimale, ndërsa rrëfen edhe telefonatat e shumta të demokratëve të Durrësit, por edhe të rretheve të tjera, të cilët solidarizohen me qëndrimin e tij kritik ndaj lidershipit aktual të PD-së./TemA