Një delegacion i nivelit të lartë nga Shqipëria zhvilloi një takim zyrtar me përfaqësues të Ministrisë së Financave të Polonisë, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe finalizimin e marrëveshjeve të rëndësishme dypalëshe.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe Petrit Malaj, ministër i Financave, zhvilluan një takim zyrtar me ministrin e Financave të Polonisë, Andrzej Domanski, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë polake.
Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia strategjike e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë, të cilat janë thelluar ndjeshëm vitet e fundit. Në diskutimet dypalëshe u prezantuan disa tregues të qëndrueshëm të këtij bashkëpunimi, përfshirë:
Rritjen e importeve nga Polonia me 9.9% në vitin 2025, duke arritur vlerën 216 milionë euro.
Rritjen e eksporteve shqiptare drejt Polonisë me 6.3% në vitin 2025, duke arritur 26 milionë euro.
Rritjen e stokut të investimeve polake në Shqipëri, që në tremujorin e tretë të vitit 2025 arritën 101 milionë euro.
Zgjerimin e pranisë së biznesit polak, me 110 kompani me kapital 100% polak dhe 19 me kapital të përbashkët.
U diskutua gjithashtu nisma për krijimin e Bankës Shqiptare për Zhvillim (BZH), një projekt që po ndërtohet mbi modelin e bankës së zhvillimit të Polonisë, e cila është vlerësuar për sukseset e saj në mbështetjen e zhvillimit ekonomik.
Përfaqësuesit e të dy vendeve shprehën angazhimin për të vijuar bashkëpunimin intensiv mes ekipeve teknike dhe institucioneve përkatëse me qëllim finalizimin dhe zbatimin efektiv të marrëveshjeve dhe projekteve të përbashkëta.
Komente









