Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Panairin e Punës dhe Aftësive, ku theksoi rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe përafrimit të aftësive me kërkesat e tregut të punës.

Ministrja nënvizoi se vizioni i qeverisë prej vitesh është përqendruar në krijimin e aftësive dhe fuqizimin e formimit profesional, duke e bërë punësimin një nga shtyllat kryesore të politikave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Në fjalën e saj, ministrja vuri në dukje se ekonomia shqiptare ka shfaqur dinamizëm të qëndrueshëm vitet e fundit, duke reflektuar rritje ekonomike, ulje të papunësisë dhe shtim të vendeve të lira të punës, ndërkohë që sfida kryesore mbetet mungesa e kapitalit njerëzor të kualifikuar.

Ibrahimaj theksoi se bizneset shqiptare kërkojnë gjithnjë e më shumë aftësi të reja dhe jo domosdoshmërisht tradicionale, çka kërkon përshtatje të vazhdueshme të programeve të formimit profesional dhe ofertës universitare.

Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur se në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si UNDP realizohen analiza periodike për të identifikuar hendekët dhe nevojat e tregut të punës.

Duke iu referuar të dhënave konkrete, ajo u shpreh se vetëm gjatë ditëve të fundit portali puna.gov.al i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive ka regjistruar rreth 181 mijë përdorues, ndërsa gjatë vitit të kaluar janë ndërmjetësuar rreth 26 mijë punësime.

Në panairin aktual, me pjesëmarrjen e 80 bizneseve, ofrohen rreth 7500 vende të lira pune, duke dëshmuar kërkesën e lartë për punonjës në treg.

Ministrja theksoi gjithashtu se papunësia tek të rinjtë mbetet më e lartë se ajo totale, por ka zbritur në nivelin rreth 15%, niveli më i ulët historik për vendin.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se fondet për programet e nxitjes së punësimit janë rritur me rreth 50% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në rreth 1.5 miliardë lekë për vitin 2026, me një fokus të veçantë tek të rinjtë përmes programit të Garancisë Rinore, i cili, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, synon t’u ofrojë të rinjve deri në 29 vjeç mundësi konkrete për punësim, trajnim ose formim profesional.

Ibrahimaj theksoi gjithashtu rëndësinë e programeve të vetëpunësimit dhe mbështetjes për sipërmarrjen, duke i konsideruar si alternativa kyçe për zhvillimin ekonomik, në një kohë kur rreth 99% e ekonomisë shqiptare përbëhet nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Në këtë kuadër, Ministrja rikujtoi se thirrjet për mbështetjen e startup-eve vijojnë të jenë të hapura deri më 21 mars, duke inkurajuar të rinjtë të aplikojnë dhe të zhvillojnë idetë e tyre.

Ministrja theksoi se panairi shërben si një platformë e rëndësishme për të lidhur punëkërkuesit me bizneset dhe për të promovuar mundësitë konkrete të punësimit dhe zhvillimit profesional, duke shprehur besimin se përmes këtyre iniciativave do të vijojë forcimi i tregut të punës dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.