Idajet Beqiri: Si më la Berisha në
burg,100 mijë euro dëmshpërblim

Idajet Beqiri: Si më la Berisha në <br />burg,100 mijë euro dëmshpërblim
Avokati dhe kreu i PUK, Idejat Beqiri, nëpërmjet një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" ka detajuar arrestimin e tij të muajit qershor si dhe heshtjen e drejtësisë shqiptare. Ai pohon se arrestimi i tij është i lidhur edhe me faktin se atë drekë ai do zhvillonte një takim me Presidenten e Kosovës Jahjaga.

Dreka e punës me Presidenten Jahjaga u bë shkak i arrestimit tuaj në Vërmicë të Kosovës?
Në Kosovë kisha disa muaj që hyja e dilja, e që isha pozicionuar në rolin e specialistit në fushën juridike. Por që kontribuoja si analist dhe opinionist në masmediat serioze të shkruara dhe elektronike. Kam qënë i pranishëm në diskutimin, debatimin dhe denoncimin e një sërë problemesh me peshë kombëtare në Kosovë. Kam këtu parasysh pozicionin tim kritik dhe denoncues, me fakte e prova të rëndësishme, rreth abuzimeve që janë bërë nga zyrtarë të lartë në Kosovë rreth fondeve të para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kam parasysh ndihmesën time në ngritjen në këmbë të gjithë opinionit të gazetarëve të Kosovës kundër neneve famëkeqe 37, 38 e 39 të Kodit Penal të Kosovës, që u miratuan në Kuvend me synimin për të vrarë shtypin e lirë në shtetin më të ri të botës apo për kushtetutshmërinë e mandatit të Presidentes Jahjaga etj.

Zyrtarë të ndryshëm këtu në Shqipëri, por edhe në Kosovë e justifikojnë arrestimin tuaj me të qënurit të detyruar nga pikpamja juridike për t'a bërë këtë gjë...?
Shteti i Kosovës është një shtet i porsakrijuar. Administrata e këtij shteti të ri përbën një konglomeratë tepër të ngatërruar. Në përbërje të saj ka ish-luftëtarë të UÇK-së, ish-pacifistë të Rugovës, por gjenë shumë edhe ish-zyrtrarë të pushtetit serb që sunduan në Kosovë deri në vitin 1999. Madje pushtetet kryesore janë të mbushura pikërisht me këta njerëz. Kështu që është tepër vështirë të gjesh gjuhën e konsensusit dhe të mirëkuptimit për gjerat e rëndësishme që po kalon Kosova. Vlerësoj se në trajtimin e rastit tim, me gjithëse direkt dhe indirekt pati një shtysë negative prej autoriteteve zyrtare të Shqipërisë për të "hedhur gurin dhe fshehur dorën", duke ja lënë "dobiçin" në derë Kosovës përsëri krahu progresist i Qeverisë së Kosovës u angazhua seriozisht dhe mori masat e duhura që ky absurd dhe kjo pabesi të menaxhohej me një farë përkujdesje.

Thoni që organet zyrtare në Shqipëri ndikuan negativisht...?
Pasi më arrestuan, i kërkova ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Islam Lahuka, që të vinte dhe të më takonte. Gjë të cilën nuk e bëri as vetë, as me ndonjë punonjësin e tij në këtë ambasadë. Kur e pata të njëjtin problem në vitin 2003 në Gjermani, i bëra një letër Mbretit të Belgjikës. Në atë kohë jetoja në Belgjikë, pasi kisha fituar statusin e azilantit politik. Mbreti i Belgjikës, me gjithë se s'isha shtetas belg, më dërgoi me urgjencë ambasadorin e tij në Gjermani, i cili bëri rreth 340 km rrugë nga Berlini, deri në Burgun e Kostancës. M'u ndodh pranë, më dëgjoi me vëmëndje e u interesua për gjithçka para autoriteteve gjermane që më kishin arrestuar e donin të më ekstradonin në Shqipëri.

Po ambasadori shqiptar në Kosovë bëri ndonjë përpjekje...?
Ambasadori ynë në Kosovë, Islam Lahuka, duke më konsideruar "anti Berisha", nuk denjoi të kryente detyrën zyrtare, si përfaqësues i shtetit shqiptar, ndaj një qytetari të vendit të tij, ndaj një kryetari të një partie politike që ka plot 21 vjet që vepron në Shqipëri dhe përfaqësohet në pushtet, ndaj Kryetarit të Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, e madje dhe ndaj Nënkryetarit të Lëvizjes Intelektuale e Akademike Për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare! Nëpërmjet tij i kërkova Ministrit të Drejtësisë të ndërpriste burgosjen time të padrejtë. Kërkova gjithashtu që Ministria e Drejtësisë të dërgonte në Kosovë dosjen time të ekstradimit nga Gjermania, në Shqipëri, të vitit 2004. Një veprim i tillë ndihmonte autoritetet kosovare që të zbatonin parimin universal juridik të "gjësë së gjykuar" e kështu absurdi i paraburgosjes time zgjidhej për një javë.

Po me Berishën komunikuat...?
Bashkëshortja ime arriti t'i përcillte Berishës dy mesazhe të shkruara, me anën e të cilave i kërkonte që t'a detyronte Ministrin e Drejtësisë që t'i përgjigjej kërkesës së Kosovës për dërgimin menjëherë të dosjes time të ekstradimit nga Gjermania, pasi kjo e pengonte vendimarrjen e organeve gjyqësore në Prizren. "Fjalë të mira dhe gurin në trastë", thotë populli ynë. Kjo dosje nuk u dërgua kurrë në Kosovë. Dhe, më qesharakja, ajo që u vë kapak të gjithave, Ministria e Drejtësisë, pasi mori lajmin përmes masmediave se në datën 2 korrik 2012 unë u lirova nga burgu i Prizrenit, përpiluan shkresën me nr. Prot. 1566/1, datë 02.07.2012, me anën e së cilës i thoshin bashkëshortes time se "Mori në konsiderat shqetësimin tuaj adresuar Kryeministrit dhe aktualisht jemi në komunikim aktiv me të gjitha organet e drejtësisë të huaja dhe vendase të përfshira në këtë proces"! Kësaj i thonë: "Të vrasin natën dhe të qajnë ditën!"

Pati reagime të shumta për arrestimin tuaj....?
Gjejë rastin t'i përshëndes dhe t'i falenderojë sinqerisht një pjesë të mirë të masmediave elektronike dhe të shkruara për trajtimin pozitiv që i bënë çështjes time. Veçojë këtu në mënyrë të posaçme ndjeshmërinë pozitive të gazetës tuaj "Shqiptarja.com" dhe Gazetës "Kosova Sot". Gjejë rastin njëkohësisht që t'u shpreh mirënjohjen për ndjeshmërinë intelektuale që treguan ndaj paraburgosjes time të padrejtë intelektualëve dr. Moikom Zeqo, Prof. Dr. Fehmi Abdiu, Prof. Dr. Riza Smaka, Prof. Ramadan Kelmendi, Petro Koçi, Av. Ardian Visha, Av. Kolë Ramaj, Av. Harbi Aliaj etj, etj. Por vërej me shqetësim se bizantizmi që e karakterizon një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare.

Keni ndërmarrë ndonjë veprim për të kërkuar dëmshpërblim prej kësaj burgosje të padrejtë?
Kam përgatitur një padi me anën e të cilës kam kërkuar një shpërblim prej 100 mijë euro për dëmin material dhe moral që më kanë shkaktuar. Në muajin shtator këtë padi do t'a paraqes për shqyrtim në Gjykatën e Qarkut në Prizren.
(gm/Shqiptarja.com)

(Intervista u botua në numrin e sotëm të Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Hapet qarkullimi për aksin Thumanë-Kashar, i pranishëm kryeministri Rama

Hapet qarkullimi për aksin Thumanë-Kashar, i pranishëm kryeministri Rama