Tani, mbasi kanë kaluar vite të tëra kërkimi nëpër arkiva, e kam të lehtë të shkruaj për ta, por kurrë nuk do ta harroj ato emocione tunduese deri në ethshmeri që u bënë bashkudhëtarë të mendimeve të shpërndara labirintheve të enigmës dhe të atyre pyetjeve gërryese të konkluzioneve të kërleshura në hapësirën e mosdijes…
Historia e flamujve nis që në vitin 1926 me idenë për krijimin e ushtrisë së rregullt dhe batalioneve përbërëse të saj. Merita i takon Ahmet Zogut. Akoma President i Republikës, vendosi ta ringrinte ushtrinë shqiptare duke e kaluar nga sistemi milic zvicerian në sistemin modern të kohës. Pra një ushtri e rregullt, e me më pak shpenzime.
Në atë kohë ushtria dhe administrata përfaqësonin një lubi që përpinte 75% të buxhetit të shtetit. Për riorganizimin e ushtrisë Zogu ftoi specialistë ushtarakë italianë. U formuan batalionet e parë, të cilët u përuruan në pranverë të vitit 1927. Sipas traditës ushtarake batalioneve iu dhanë emra lumenjsh të njohur si “Erzeni”, “Devolli”, etj.
Deri aty nga mesi i vitit u organizuan dhe batalionet “Shkumbini”, “Semani” dhe ndoshta ai që të nxit më tepër fantazinë, Batalioni sulmues “Ahmet Zogu”. Batalionet “Shkumbini”, “Erzeni” dhe ai “Sulmues” bënin pjesë në përbërjen e grupit të parë të këmbësorisë së Tiranës.
Po në atë kohë u vendos që batalioneve të këmbësorisë t’u jepeshin flamuj luftarakë me emërtimet përkatëse. Nuk e dimë se kush e dha këtë mendim, që sidoqoftë nuk ishte diçka e re, por e ideuar nga përvojat më të mira të disa shteteve evropiane, si Anglia, Franca, Gjermania, Italia, etj.
Një njësi ushtarake duhet të jetë e kompletuar jo vetëm me armatim, por edhe me psikologji. Flamuri, ky simbol kombëtar, është psikologu më i pakundërshtueshëm në zjarrin e luftës, është mjeti më moralizues, është sfiduesi më mashtrues ndaj vdekjes, që sidoqoftë i duhet ushtrisë.
Flamujt
Unë i kam patur për një kohë të gjatë në duar, i njoh mirë dhe do të mundohem t’ju krijoj një përfytyrim. Flamujt janë përgatitur me mëndafsh shumë të mirë, të fortë, e të butë. Ata kanë një dritë të brendshme, të kuqe si zjarr. Të duket sikur e kuqja buron nga një thellësi e pakuptueshme.
Ndoshta për një romantik është një iluzion, pasojë e një emocioni të vetvetishëm që lind nga ndjenja kombëtare që ai frymëzon, ndërsa e thënë ashpërsisht, e larg çdo fantazie, pasojë e dritshmërisë së ngjyrës, një parametër fizik që karakterizon të gjitha ngjyrat. Është zgjedhur mirë! Flamujt kanë dy faqe të mëndafshta.
Në të dyja anët është qëndisur me mëndafsh të zi shqiponja dykrenare e stilizuar dhe disi më ndryshe nga shqiponja e flamurit të sotëm zyrtar. Qëndisja është realizuar njëkohësisht për shqiponjat e të dyja anëve, duke kaluar fillin e zi sa nga njëra anë në tjetrën, e kjo e ka bërë flamurin më të fortë. Në njërën anë është vendi ku futej shkopi, ndërsa në tre buzinat e tjera është qëndisur një brez trekëndëshash të zinj që ndoshta imitojnë thekët.
Përmasat
Përmasat e tyre nuk janë të njëjta: gjatësia lëviz nga 120-130 cm, kurse gjerësia 96-98 cm. Për këtë nuk ka ndonjë rregull: thjesht nuk i kanë pas kushtuar kujdes të posaçëm madhësisë.
Në fund të fundit ashtu ishte koha atëhere, pa standarte.
Secili flamur shoqërohet nga një shirit i gjatë 220-230 cm, e i gjerë 8 cm. Gjysma e tij është e kuqe dhe gjysma e zezë. Pra ky shirit i menduar mirë jep variantin kuq e zi të flamurit shqiptar. Shikoni sa bukur! Dy flamuj njëkohësisht! Në fund të shiritit janë thekët e arta.
Ashtu jemi mësuar t`i quajmë, se në të vërtetë thekët janë prej fijesh bronzi, që imitojnë arin. Në pjesën e kuqe është shkruar me gërma të mëdha e të verdha të realizuara me fill pambuku BATALIONI, kurse në pjesën e zezë gjithmonë emri i batalionit, si SULMUES, ERZENI, SHKUMBINI. Në një shirit mungon emri i batalionit. Duhet të ketë qenë, por është dëmtuar nga kalbja. Dokumentet e gjetura më vonë treguan se ka qenë i batalionit VJOSA.
Ceremonitë
Ceremonia e shpërndarjes së flamujve u bë më datën 9 qershor 1927. Ngjarje me rëndësi për ushtrinë! Jo vetëm si akt zyrtar. Kujtojeni monotoninë e stërvitjes ushtarake që ngjan si lojë kalamajsh, lyerjen e përditshme të këpucëve, pastrimin e uniformës, komandat një-dy, një-dy dhe parafytyrojeni këtë ndryshim entuziast në jetën e mërzitshme të ushtrisë.
Batalionet i mbajtën flamujt e tyre vetëm një vit, sepse u bë një tjetër organizim. Ceremonia e dorëzimit të flamujve u bë më datë 15 qershor 1928. Atëhere tek vendi i quajtur “sheshi i aeroplanëve”, që ishte fusha e aviacionit në Tiranë, u zhvillua një paradë ushtarake ku batalionet parakaluan duke valëvitur për herë të fundit flamujt e tyre ushtarakë, të cilët u ulën dhe i u dorëzuan Komandës së Përgjithshme të Fuqive Armate, siç quhej atëhere ushtria. Kështu ata e përfunduan paqësisht misionin e tyre pa marrë pjesë në ndonjë aksion, që do t`i shquante, e që do t`i përmendte në histori. Fati i mëtejshëm i tyre ishte enigmatik. Ata u zhdukën për treçerek shekulli, derisa u zbuluan në fund të vitit 1998.
Zbulimi
Në sistemin e muzeumeve të Shqipërisë ruhen disa flamuj të ushtrisë shqiptare. Më të vjetrit janë ata të vitit 1927 që edhe i përmendëm. Katër copë gjithsej ruhen në Fondin etnografik, i cili në kohën kur u identifikuan i përkiste Institutit të Kulturës Popullore, sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, në Tiranë.
Mënyra se si u bënë pronë e këtij fondi për një farë kohe i ka takuar legjendës, sepse deri rreth dymbëdhjetë vjet më parë nuk kishim gjetur dokumente që të na ndriçonin terrin e udhëtimit të tyre. Madje as nuk e dinim se çfarë pefaqesonin. Për një kohë të gjatë kërkuam në kujtesën e njerzve, të atyre personave që në një farë mënyre kanë qenë të lidhur me ngjarjet e atyre viteve.
Pandora Plaku, një nga punonjëset më të vjetra të etnografisë kujtonte diçka nga bisedat e dikurshme. Rrok Zojzi, drejtuesi i parë i Sektorit të Etnografisë, u kishte treguar punonjësve, se kishte dëgjuar, se këta flamuj dhe disa të tjerë janë dorëzuar për ruajtje në Institutin e Shkencave në vitin 1947 vetëm me fjalët “Ruajini edhe këta flamuj”, por pa asnjë dokument.
Dhe nuk dihet se nga kush. Menduam se mos ishin ndër materialet e sekuestruara mbas luftës. Ka të dhëna dokumentore se në atë periudhë Seksioni i sigurimit të qytetit të Tiranës i ka dhënë shumë objekte Institutit të Shkencave. Por ky ishte vetëm një mendim në rrugëtimin e zbulimit të enigmës.
Kishte edhe mendime që u a atribonin këta flamuj koleksionit të famshëm të Eqerem bej Vlorës. Më vonë, me krijimin e Universitetit të Tiranës në vitin 1957 flamujt i kaluan Institutit të Histori-Gjuhësisë, e pastaj Institutit të Kulturës Popullore dhe së fundmi, me organizimin e disa vjetëve më parë, Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit i cili përmbledh edhe fondin etnografik.
Dëmtimi
Në vitin 1947 nuk kishte vend tjetër se ku të ruheshin veçse në Institutin e Shkencave, ku kaluan edhe objektet e Muzeut Kombëtar. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ata u ruajtën nga humbja, por për ta nuk u tregua asnjë kujdes konservues.
Madje nuk kishte se kush ta zbatonte këtë shkencë të trashëgimisë, që është plotësisht kimi dhe fizikë. Nëntëmbëdhjetë e ca vjetë më parë pas një përmbytjeje të pjesshme të fondit etnografik, flamujt pësuan një dëmtim të sipërfaqësor, duke u prekur nga myku.
Dikur u krijuan si një simbol krenarie dhe frymëzimi dhe e pësuan kështu! Ndokush, dhe në atë kohë nuk dihej domethënia e tyre, thoshte se këta flamuj nuk kishin ndonjë rëndësi, se ishin pa inventar, etj. Gjithmonë më kanë tunduar enigmat. Me që në atë kohë mbizoteronte mendimi se ishin koleksionuar nga Eqerem bej Vlora, thashë me vete se ai nuk ishte budalla që i kishte mbledhur këta flamuj dhe se diçka duhej që të përfaqësonin.
Për ato rastet kur ndizej debati mbi ecurinë e punës konservuese dhe ndeshesha me kundërshtime jo bindëse, kisha gjetur një pyetje të cilën nuk mund ta kundërshtoje. Dhe kur thanë që të mos humbisja kohën me ta, sepse nuk kishin asnjë vlerë, i pyeta: “Meqë është kështu, a m’i falni mua”?
Restaurimi
Flamujt u çuan menjëherë në laborator, ku u morën masat më urgjente për t’i shpëtuar nga kalbja. Nuk kishim fare eksperiencë. Lexova intensivisht literaturën profesionale. As që mund të gjeje raste të tilla idiote! Fillova të largoj mykun me penela, duke e thithur me fshesë me korent. Por për të tilla punë duhen filtra të posaçëm për sporet, e ne nuk i kishim.
Ndonjëherë në kushte tërësisht të papërshtatshme, u mundova të bëj më të mirën. M’u skuqën duart dhe sytë, më ngacmonte gryka… Laborantet “ja mbathën”. Krahas punës konkrete u zhvilluan edhe konsulta të shumta me specialistë të Drejtorisë së Higjenës, të Institutit të Shëndetit Publik etj. Mësova se ka myqe kancerogjenë dhe të tjerë që të budallallepsin pas dy-tre vjetëve.
Në laboratorët e Fakultetit të Shkencave Natyrore, atëhere Dr. Donika Prifti kryente analizat e myqeve: aspergilus niger, candida, flavor. Mirë që nuk kishte nga më të rrezikshmit! Askush nuk dinte të thoshte diçka se si luftohen myqet në muzeume. Iu ktheva shënimeve që pata marrë në një kurs intensive veror të zhvilluar në Budapest në 1992 nga Instituti Ndërkombëtar i Konservimit me bazë në Londër.
Gjetëm timolin si mjet shpëtues.Vërtet që myku u vra, por pjesëve të kalbura nuk kishim se çfarë t’u bënim. Dhe nuk ka laborator në botë që mund të “ringjallë’ tekstilet e kalbura! Sidoqoftë ndaluam shumë procese kimike që zhvillohen nga produktet e shpërbërjes së fibrave. Dhjetë vjetë me rradhë flamujt qëndruan në laborator duke u vëzhguar me kujdes.
U bë edhe një ndërhyrje tjetër dhe një e fundit për të forcuar fillin e zi me të cilin janë qëndisur shqiponjat. Por restaurimi i tyre nuk ka përfunduar. Laboratori nuk kishte eksperiencën e duhur, apo aftësinë për të ndërmarrë punime të holla e të ndërlikuara që duhen aplikuar në të tilla raste. Në bazë të një urdhri të dhënë nga drejtoria flamujt u dorëzuan në fonde, që janë magazinat e ruajtjes, ku tashmë qëndrojnë në sirtarë të papërshtatshëm për konservimin e tyre, ashtu siç ndodh në të gjithë muzeumet e Shqipërisë.
Historia
Që në fillim të punës për të shpëtuar këta flamuj më ngacmoi kurioziteti. Nuk e dinim historinë e tyre. Pyeta Prof. Muin Çamin. Ai më rekomandoi dy pedagogë të historisë ushtarake në Akademinë Ushtarake, Prof. Dr. Proletar Hasanin dhe atëhere Dr. Asllan Zemanin.
Erdhën menjëherë në laborator. Merita e identifikimit të këtyre flamujve u përket pikërisht këtyre dy historianëve dhe ajo çka paraqita unë për historinë e flamujve është bazuar në studimin e tyre. I nisur nga dëshira për të mësuar diçka më tepër, i u drejtova me një kërkesë Familjes Mretërore, por nuk mora asnjë përgjigje.
E vetmja shpresë ishte se arkivi i Familjes Mbretërore nuk kishte ardhur akoma i gjithi në Shqipëri. Ndoshta do të ketë ndonjë dokument që të na tregojë se si lindi ideja për pajisjen e reparteve të ushtrisë shqiptare me flamuj, nga kush, cili i kompozoi, emri i qëndistarit, etj.
Ndërkohë zbulimi ecën
Vite më vonë, pikërisht mbas 2012-ës, duke kërkuar në Arkivin e Shtetit për fatin e flamurit të Pavarësisë gjeta dokumnetin e mëposhtëm:
A.SH. Fondi 201. Vitit 1932. Dosja 29. Faqe 7-8
“Muzeu Kombëtar
…Bota rrodhi, sidomos, kur u-përhap zâni se Qeverija Mbretnore pat mirësinë t’i besojë Muzeut Kombëtar sendet që do të shenohen këtu mâ poshtë dhe që kanë nji vlerë tepër të naltë për shpirtin dhe zêmrën e çdo Shqiptari.
DHURATA TË MUZEUT
Për sivjet kemi për të shenue këto begatime të Muzeut Kombëtar:
…….
5 flamure.
……..
Ndër këto janë për t’u-shënuar dhuratat:
e Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, që, me urdhën të N. M. së Tij, Mbretit, pat mirësinë t’i dorzojë Muzeut. Më 20 Maj 1932.
4 flamura të vjetër të bataljonavet Sulmues, Erzeni, Vjosa edhe Shkumbini t’ushtrisë kombëtare.
Sipas programs së shortitun nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, dorezimin e flamuravet e bâni atdhetari veteran, z. Kolonel Akif Permeti, në krye tnjij kompanije kâmbësorësh, të përcjellun prej bândës ushtarake, të gjithë me uniformë të madhe.
Me volinë e kësaj feste të madhe kombëtare për Muzeun t’onë, qenë mbledhë n’yrtin e saj.
Klasi i naltë i Seminarit Mysliman.
Klasi i naltë i Shkollës Teknike.
Perfaqesitë e gazetavet dhe nji shumicë miqsh të Bibliotekës dhe të Muzeut Kombëtar.
Fjal të përshtatuna për këté të kremte mbajtën Z. Kolonel Akif Permeti dhe drejtori i Bibliotekës”.
Lidhur me këtë ngjarje gazeta e përditëshmë politike “Besa” botoi me datën 20 maj 1932 artikullin e mëposhtëm:
N. M. e Tij Mbreti urdhnon qi t’i dorzohen Muzeumit Kombëtar 4 flamurët ushtarake të Regjimit Republikan Ceremonia e dorzimit u ba sot para dreke Sot ora 9,15 p.d. u ba në Bibliotekën e Muzeumin Kombtar nji ceremoni e bukur dhe me plot kuptim.
Si mbas urdhënit të N. M. T. Mbretit Komanda e Mbrojtjes Kombtare i dorëzoi Muzeumit Kombëtar katër Flamuret e reparteve të ndryshëm të Ushtris Kombtare në kohën e regjimit Republikan, të cilët sot janë të zavendësuem me ato te Monarshis. Dy Komp. Ushtarësh të komandueme prej Kolonel Aqif Përmetit dhe të primun prej Bandës Ushtarake n’ora 9.15 arritën në Bibliotekën e Muzeumin Kombtarë dhe u radhitën në Oborin e sajë.
Z. Kolonel Aqif Përmeti n’emën dhe me urdhën, të Komandës, Mbrojtjes Kombtare i u drejtue Drejtoris të Bibliotekës dhe Muzeumit Kombatr Z. S. Kolea dhe, me disa fjalë të bukura dhe mallëngjyese, i a dorëzoj katër flamurët të cilët kanë qënë simbol të shenjta gjaku dhe trimnie për Ushtrinë t’onë Kombëtare.
Fjalës me randësi të Kolonel Aqif Përmetit i u përgjegj vetë Drejtori Z. S. Kolea i cili me një fjalim të gjatë naltësoj kët vepër dhe premtoj se katër simbolet e çmueshëm të Ushtris s’onë do të ruhen, siç asht edhe dëshira e N. M. T. Mbretit t’onë, si drita e syrit pranë të këtilla simboleve të çmueshme të tjera kombëtare.
Të rijt, vazhdojë Z. Kolea kanë me gjetur në këto shembulla, dëshmitarë të gjallë që dot’ u flasin për rreziqet dhe mundimet e pa numurta që hoqën gjyshyrit e tyre gjer sa u fitua Liria që gëzon sot Kombi i ynë, ndën hijen e krahut të N. N. së Tij Zog I, Mbretit të Shqiptarëvet.
Fjalimi kuptim plotë i të dy folësve bani përshtypjen ma të madhe në shpirtat e djelmëve të rij që ishin mbledhë në Oborrin e Bibliotekës posaçërisht për të qenë prezent në kët Ceremoni me randësi për Historin t’onë Kombëtare.
Ceremonia mori fund me hymnin e flamurit dhe ate të N. M. T. Mbretit.
Në Ceremoninë kishin marë pjesë Studentët e Gjimnazit, Teknikes dhe të Medresës me profesorët e tyne.
Flamuret e dhuruëm prej komandës mbajnë emnat: Sulmues, Shkumbini, Erzeni dhe Viosa”.
Qenia e këtyre flamujve në Muzeum Kombëtar përmendet edhe dy vjet më vonë në një dokument që lidhet me disa pretendime për objekte të dhuruara.
A.Sh. Fondi 295. Viti 1934. Dosja1.
………..
“MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIA E ARSIMIT
Nr. 5892
D. 7/XII/1934 Dos L
…………na duket’ e nevojshme të shënojëm’se në punë flamurësh me vlejë si kujtime kombëtare kemi në Muzejë
Katër’ flamurë të ushtërijës’ të dorëzuarë nga Kumanda e Mprojtës’ Kombëtare, të
20në të Majit’ 1932”.
Më vonë fatin e tyre e mbuloi heshtja mohuese deri ditën e zbulimit, që ndoshta mund ta interpretojmë edhe si identifikim. Por kjo nuk ka fare rëndësi!
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com