Një pitbull u neutralizua nga një qytetar i rastësishëm teksa kafshoi në kokë një vajzë 4-vjeçare. E vogla, e cila kishte dalë shëtitje buzë detit me gjyshërit, shpëtoi vetëm falë një punëtori të rrugës pranë Lungomares, i cili arriti ta ndalojë sulmin e qenit dhe ta lidhë atë.

Një ditë pas ngjarjes që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, policia arriti të zbulojë pronarin e kafshës, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Një i moshuar 87-vjeçar tha se qeni ishte i tiji. Ai e mbante në shtëpi të lidhur, por pitbulli kishte arritur të këpuste zinxhirin dhe të largohej.  

Qen të tillë, pa asnjë maskë mbrojtëse, ka me dhjetëra në rrugët e qytetit të Vlorës. Pronarët e tyre i shëtisin pa zbatuar rregullat e sigurisë.

Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar. Në qytetin e Vlorës shëtisin të lirë me dhjetëra qen endacakë, shumica pa vaksinuar e të tjerë të pa matrikulluar.

“Është problem se janë me infeksione. Bashkia t’i mbledhë, sterilizojë, mbledhë në një vend të përshtatshëm, të kujdeset për ta”, thotë një qytetar.

“Janë shumë të rrezikshëm. E keqja është se vijnë nga qytetet e tjera dhe i lëshojnë këtu. Bashkia të marrë masa”, shton një tjetër.

Sipas shifrave nga bluzat e bardha të qytetit bregdetar, çdo javë 3 deri në 5 persona paraqiten në poliklinikën kryesore për mjekim nga kafshimet e kafshëve endacakë.

Personat që u ndodh diçka e tillë duhet të shkojnë direkt në spital, të marrin trajtimin e duhur dhe të bëjnë tetanozin. Të kenë kujdes, t’u rrinë larg”, këshillojnë mjekët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Qeni pitbull sulmoi 4-vjeçaren, animalistja: Po luanin dhe ajo i mori topin! Duhet të kishte maskë, bashkia t’i sterilizojë (VIDEO)

 

Referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku një qen i llojit Pitbull sulmoi një vajzë 4-vjeçare, kanë reaguar edhe animalistët.

Duke i uruar shërim të shpejtë vajzës, animalistja Liljana Breshani shprehet se, sa i përket ngjarjes, ajo ka ndodhur pasi qeni kishte gjetur dhe po luante me një top të vogël në Lungomare, ndërsa vajza ka tentuar t’ia marrë, gjë që ka nxitur reagimin e tij dhe ka sjellë kafshimin. Sipas Breshanit, ngjarja është alarmante edhe për mënyrën se si kafsha është trajtuar më pas.

“Kemi qenë të informuar. Më vjen keq që kjo situatë është përsëritur. I uroj shërim të shpejtë vajzës së vogël,  cila për fajin ë te tjerëve pësoi lëndim. Jemi para strehës time private, nuk është e bashkisë dhe nuk merr fonde nga bashkia. Sipas informacioneve, vajza kishte dalë me gjyshërit dhe kishte hedhur një top qenit pitbull që kishte dalë nga një shtëpi. Nga momenti që donin të luanin, gjyshja ishte trembur me të drejtë. Në momentet e atakut të panikut në lojën e vajzës me qenin, qeni duke dashur për të kapur topin, ka ndodhur kafshimi i pakontrolluar. Kështu ma shpjeguan mua”, tha Breshani.

Breshani thekson se kafshët sulmojnë për shumë arsye dhe një ndër to është edhe fakti që ato kërkojnë të luajnë apo vëmendje, si në rastin në fjalë. Sipas saj, kafshë të tilla të rrezikshme që kanë pronar duhet të lëvizin gjithmonë me maska mbrojtëse dhe me zinxhirë.

“Qeni kërkon të luajë, kërkon vëmendje. Edhe unë jam kafshuar nga kafshët”, tha ajo.

Për zgjidhjen e situatës, Liljana Breshani shprehet se duhet të ndërhyjë Bashkia e Vlorës. Sipas saj, deri tani nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për sterilizimin, vaksinimin apo strehimin e kafshëve. Breshani thekson se zgjidhja vjen përmes sterilizimit, vaksinimit dhe strehimit të tyre në struktura të posaçme.

“Sipas ligjit, ajo kafshë duhet të lëvizi me litar, i shoqëruar nga pronari dhe me maskë. Duhet sterilizim. Duhet të ndërtohen strehimore, për të larguar nga rruga kafshët problematike dhe të braktisura”, tha ajo.

Rasti i 4-vjeçares duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për institucionet, në mënyrë që të reagojnë në kohë për ndërtimin e strehave dhe për garantimin e proceseve të sterilizimit, vaksinimit dhe trajtimit të kafshëve.