Një pitbull u neutralizua nga një qytetar i rastësishëm teksa kafshoi në kokë një vajzë 4-vjeçare. E vogla, e cila kishte dalë shëtitje buzë detit me gjyshërit, shpëtoi vetëm falë një punëtori të rrugës pranë Lungomares, i cili arriti ta ndalojë sulmin e qenit dhe ta lidhë atë.

Një ditë pas ngjarjes që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, policia arriti të zbulojë pronarin e kafshës, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Një i moshuar 87-vjeçar tha se qeni ishte i tiji. Ai e mbante në shtëpi të lidhur, por pitbulli kishte arritur të këpuste zinxhirin dhe të largohej.  

Qen të tillë, pa asnjë maskë mbrojtëse, ka me dhjetëra në rrugët e qytetit të Vlorës. Pronarët e tyre i shëtisin pa zbatuar rregullat e sigurisë.

Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar. Në qytetin e Vlorës shëtisin të lirë me dhjetëra qen endacakë, shumica pa vaksinuar e të tjerë të pa matrikulluar.

“Është problem se janë me infeksione. Bashkia t’i mbledhë, sterilizojë, mbledhë në një vend të përshtatshëm, të kujdeset për ta”, thotë një qytetar.

“Janë shumë të rrezikshëm. E keqja është se vijnë nga qytetet e tjera dhe i lëshojnë këtu. Bashkia të marrë masa”, shton një tjetër.

Sipas shifrave nga bluzat e bardha të qytetit bregdetar, çdo javë 3 deri në 5 persona paraqiten në poliklinikën kryesore për mjekim nga kafshimet e kafshëve endacakë.

Personat që u ndodh diçka e tillë duhet të shkojnë direkt në spital, të marrin trajtimin e duhur dhe të bëjnë tetanozin. Të kenë kujdes, t’u rrinë larg”, këshillojnë mjekët.