Sepse ky qe shumë më tepër i zëshëm se babai i vet, fort më i pushtetshëm se ai, tepër më i shkathët për të manovruar nëpër labirinthet e luftës për pushtet personal.
Madje një portret për të në kohën e tij duhet të ketë qenë pak, sepse që prej kohës së tij fjalënajat e vendasve kanë mbërritur deri tani me plot prova se duka Ferrante e ka mbajtur veten përherë në qendër të vëmendjes dhe të dhelave të lajkatarëve, artistëve po ashtu.
Kjo hollësi e munguar, në mars 2013 përfundoi me zbulimin që pati kryer në Leçe të Italisë miku i Xhankarlo Valones, skënderologut bashkëkohës më të mirë në Itali.
Ky ishte studiuesi i ri Luixhi Galante (Luigi Galante).
Për ta popullarizuar edhe më shumë portretin me ngjyra të Dukës Ferrante, dërguar autorit të këtyre rradhëve nga Profesor Valone, përveç se në “Gazeta Shqiptare”, ky e publikoi edhe në ballinë të librit të tij të tretë për Gjergj Kastriotin: “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur” (2014).
Në këtë shkrim tek “Shqiptarja.com” kjo pamje e dukës Ferrante, duke e ripublikuar, na intereson jo vetëm për dallimin e kryeshenjës karakteristike në fytyrë të Skënderbeut, “hundën kërrutë”, por edhe për të ravijëzuar tipare të tjera.
Minimalisht hundën, i gjyshi, Gjergj Kastrioti, duhet ta ketë pasur në formën dhe përmasën e nipit, tepër të shprehur në kurrizin e saj.
Po shprehja e fytyrës, pra tiparet e tjera të Skënderbeut, a mund të identifikohen nëpërmjet Ferrantes, po ashtu edhe Gjonit, birit të vetëm të tij dhe të Donikës, vajzës së princit të famshëm Gjergj Arianiti?
Duke vëzhguar me sy të lirë fytyrën e të birit nuk mund të mos vësh re se hunda e tij është e madhe dhe me shpinë, edhe pse jo aq kërrute sa e ka i biri i tij, Ferrante.
Hundëmëdhenj janë, sipas dëshmive që më së fundi u gjetën, edhe një djalë tjetër i Gjonit, me emrin Gjergj, i cili qe sipas moshës trashëgimtari i parë i familjes Kastrioti, por për shkak të disa rrethanave, të cilat i kam rrëfyer në botimet e mia, u konsiderua renegat dhe iu hoq nga vetë gjyshja, Donika, kjo e drejtë.
Madje u mohua edhe si ekzistencë.
Pamjen e këtij personi, edhe pse të interpretuar gabimisht sikur është e vetë Skënderbeut, autori i këtyre radhëve e ka gjetur në Rufano, në banesën-kështjellë të Kastriotëve të degës së Leçes.
Gjyqtari dhe shkrimtari italian Xhenaro Françone, gjithnjë pa të keq dhe duke e keqkuptuar si të Skënderbeut, e ka vendosur në ballinë të librit të tij “Scanderbeg, un eroe moderno”.
Ai është përkthyer dhe botuar edhe në shqip.
Hunda karakteristike edhe në këtë portret është shumë e qartë.
Ajo ngjan mjaft edhe me hundën e Jerinës (Erina Castriota Scanderbeg), vajzës së dukës Ferrante, stërmbesë e Skënderbeut, e cila për shkak të mungesës së meshkujve, u bë trashëgimtare e brezit të katërt të Kastriotëve të emigruar në Itali.
Si janë sytë, vetullat, mjekra e Gjergj Kastriotit
Duke i krahasuar tiparet e të gjithëve me çfarë paraqitet në gravurën pararendëse të librit të Marin Barletit, pikturës së konsideruar prej disa studiuesve si të piktorit italian të shumënjohur Xhentile Belini, po ashtu edhe portretit të vendosur mbi portën e dikur bujtinës ku në Romë Skënderbeu kaloi muajqëndrimin e tij, nuk mund të mos dallosh disa ngjashmëri.
Vetullat dhe forma e syrit, duke e krahasuar me portretin e Skënderbeut tek libri i Marin Barletit, ngjajnë me ato të gjyshit.
Harku i vetullave, përshembëll, tepër shprehës është i përafërt.
Fytyra relativisht e gjatë po ashtu.
Të lihet të kuptosh se edhe sytë Gjergj Kastrioti i ka pasur ngulmues, të përqëndruar dhe intensivë në forcën e vështrimit, pse jo edhe mund të kenë qenë me ngjyrë të kaltër.
I kemi gjetur të tillë tek stërnipi i tij, tek bankieri Xhorxho Maria Kastrioti Skënderbej (Giorgio Maria Castriota Scanderbeg) i degës familjare të Napolit.
Buzët dhe mjekra duket se, po ashtu, afrohen në ngjashmëri me ato të Skënderbeut.
Trupi i bëshëm, krahërori i gjërë, ngjan i përcjellë nga i gjyshi tek nipi Ferrante, edhe pse këtij, për shkak se kemi vetëm vizatimin dhe pikturimin e Gjergj Kastriotit në Romë kur ai qe i moshuar, 61 vjeç, këto karakteristika gjithsesi i dallohen.
Të mos harrojmë: të gjithë ata kanë marrë edhe nga nëna (apo gjyshja), Donika. Ballin e gjërë duka Ferrante e ka pikërisht nga ajo. Po ashtu edhe Jerina.
Pra përveç hundës kërrutë edhe disa tipare të tjera të Skënderbeut janë vijuar tek pasardhësit, madje pa u rrënuar deri në prag të viteve dymijë.
Përshembëll një hundë të tillë si edhe vështrimin ngulmues, që të heton dhe të kupton në fare pak sekonda, autori i këtyre rradhëve i ka gjetur tek mjeku Alessandro Castriota Scanderbeg, mjek radiolog, përfaqësues i parë i degës së Leçes. Ky është autor i një libri profesional të botuar nëpër botë që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Turqi.
Muskuloz apo barkalec?
Sipas një modeli përfytyrimi të përhapur mes historianëve ”Skënderbeu kishte shtat të lartë, ishte tërë muskuj dhe me krahë të fuqishëm...”.
Në pamundësi që këtë ta kuptojmë prej pikturave të cilat i janë bërë shekuj më parë, mbetet e fortë një dëshmi e tërthortë të bërë të ditur nga historiografia shqiptare, veçanërisht prej kryeskënderologut tonë, të paharuarit Kristo Frashëri: përmasa e një cohe të veshjes së tij zyrtare (ceremoniale).
Sipas rregullit të kohës, në oborrin e tij (dhe jo vetëm për të, por për shumë princër ballkanikë) kjo porositej, blihej dhe u vinte nga Republika e Venedikut.
Me njësitë bashkëkohore të matjes coha ishte e përshtatshme për një shtat me lartësi 1 metër e 82 centimetra.
Dhe është e habitshme: stërnipi i tij, bankieri Xhorxho Maria Kastrioti Skanderbeg, është i gjatë saktësisht 1.82 metra.
Ka po ashtu një trup të bëshëm sa kur e shoqëruam në 2013 në një vizitë në qytetin e Dibrës në Maqedoni, kryetari shqiptar i bashkisë, një mjek antropolog, pothuaj mbeti pa frymë nga silueta imponuese e Xhorxhos (Gjergjit). “Tani e pashë vërtetë Skënderbeun”, tha dhe të gjithë përreth e duartrokitën me miratim.
Po duke mos qenë aspak shtatulët a mos ishte një Gjergj Kastrioti një rondokop me bark të fryrë, sepse të tillë në kohën e tij nuk gjeje pak, sidomos nëpër administratën osmane?
Skënderbeu ka qenë muskuloz jo sepse ashtu dukej më simpatik, por sepse të tillë ia donte shkollimi që pati marrë dhe puna që kryente. Ai nuk vinte nga shkolla të politikës apo e ushtrimit në punët sedentare të gërvishjes dhe germërrumbullakosjes së shkronjave. Gjergj Kastrioti, siç pjesa dërmuese e oficerëve turq, vinte nga shkollat ushtarake, një prej të cilave ishte edhe ajo, më e epërmja, më e specializuara, më e famshmja: e Ic-ogllanëve.
Kjo ndodhej në kryeqendër të Perandorisë Otomane, në Edrene.
Në historinë e këtij supershteti kjo shkollë qe një Akademi e vërtetë, ishte fidanishtja e të gjithë klasës udhëheqëse të tij. Atëhere jo vetëm komandanti i njësive luftarake, por edhe drejtuesit e vilajeteve apo të ndarjeve të tjera administrative, deri edhe kryeministri, vinin përgjithësisht nga kjo shkollë. Gara, konkurenca, rivaliteti, ngjitja në pushtet, ruajtja apo marrja e tij, kryhej edhe nëpëmjet përgatitjes dhe aftësisë fizike.
Nga kronikat osmane si edhe vetë historianët e perandorisë, madje nga ata që ishin të mobilizuar kundër tij, për Gjergj Kastriotin dëshmohet si për një ushtarak shumë pak të përballueshëm në duel. Kjo nuk mund të arrihej pa një trup të fortë e të lartë. Skënderbeu ishte një luftëtar me të dhëna e përmasa modele. Ekzistenca e krahut të tij shumë të fuqishëm gjithashtu nuk mund kurrsesi të kundërshtohet. Konfirmohet nga dhjetra e dhjetra burime.
Ballaban Pasha ishte shkurtabiq
Kur ka qënë fjala për Ballaban Pashën, shqiptarin që ishte armiku më i madh i Gjergj Kastriotit, populli ynë me kujtesën e tij nuk ja fsheh, por ja vë në dukje trupin e shkurtër. Kjo mund të thotë se ai në kulturën e vet dimensionin e shtatit nuk e fuste në tiparet që patjetër duhej të rafinoheshin, manipuloheshin apo tjetërsoheshin. Edhe po të kishe dëshirën për ta shëmtuar qëllimisht e kështu shndërruar në një imazh të papëlqyeshëm. Me pak fjalë nga natyra Skënderbeu ishte i gjatë dhe Ballabani shkurtabiq.
Qe i pashëm Skënderbeu?
Në rast se Gjergj Kastrioti ishte vërtet shtatlartë, muskuloz dhe me krahë të fuqishëm, fytyrën ka të ngjarë të mos e kishte simpatike. Madje fare natyrshëm ai tiparet mund t’i kishte edhe të shëmtuara ose të paktën të vrazhda.
Mirëpo historia dhe çdo gjurmë që ka lënë Skënderbeu në të, parathotë të anasjellën. Jo vetëm gojëdhëna popullore, por edhe e gjithë letërsia e krijuar për të në Evropë, nuk lë asnjë dyshim se ai ka qënë një burrë i hijshëm. Ka edhe historianë që edhe hundën me kurriz ia përcaktojnë pjesë të pashme të pamjes së tij. Prej udhëheqësve shqiptarë të pas motit 1912, pra prej fitimtarëve të luftës së brendshme për pushtet, as Ismail Qemali, as Fan Noli, as Enver Hoxha nuk e kanë pasur hundën me kurriz të dukshëm, por mos thoni se nuk e kanë afërisht kërrutë Ahmet Zogu dhe Sali Berisha.
Në të dy rastet ky tipar nuk i ka bërë ata aspak të shëmtuar, por mjaft tërheqës, veçanërisht për seksin femëror. Pastaj, le ta themi midis nesh, shqiptarët si rregull të padiskutueshëm zgjedhin dhe pranojnë prijës apo pushtetarë të bukur e truplartë. (Tiranë, më 10 janar 2018)
[gallery]25336[/gallery]
d.c./shqiptarja.com