Drafti i Reformës Territoriale i propozuar nga Partia Socialiste ka nxitur këtë javë një debat që, të paktën në 15 bashkitë që do të bashkohen me ato fqinje, nuk ka thuajse asnjë lidhje me efikasitetin që humbasin ose fitojnë qeveritë lokale, duke u përqëndruar thuajse krejtësisht tek historia dhe identiteti.

Sipas draftit të propozuar, Shqipëria nga 61 bashki, do të ketë 46 të tilla. Njëzet e tetë bashki ekzistuese do të konsolidohen duke u riorganizuar në 13 bashki më të mëdha, ndërsa komunitetet brenda tyre do të marrin një status të ndërmjetëm, siç është ai i “qytetit.” Arsyetimi për këtë është se tkurrja demografike i ka lënë shumë bashki praktikisht pa të ardhura (lexo: pa taksa) sepse s’kanë kë të taksojnë, duke i bërë thuajse plotësisht të varura nga qeveria qendrore për të ardhura, deri në atë pikë sa flitet se disa prej tyre nuk arrijnë dot as të paguajnë punonjësit e tyre.

Ndërkaq, drafti i opozitës shkon në drejtim të kundërt, duke e çuar numrin e bashkive në 100 të tilla. Nisur nga mungesa e përgjithshme e logjikës së asaj partie, mund të kërkonin edhe që çdo shtëpi të ishte bashki më vete dhe kjo nuk është se do habiste ndokënd. Ndaj nuk ka shumë kuptim të merresh me propozimin e tyre sepse duket qartë që më shumë se sa një alternative realiste është një ofertë dobia politike e së cilës varet plotësisht nga fakti se është pamundur të vihet në zbatim. Të sugjerosh dyfishimin e bashkive në një vend ku krahina të tëra kanë humbur popullsinë më vitale të tyre dhe ku bashkitë ekzistuese mezi mbajnë veten, nënkupton vetëm shumëfishim të zyrave dhe pozitave elektorale pa ndonjë shpjegim bindës se nga do të dalin paratë dhe personeli i nevojshëm për t’i bërë funksionale këto 100 bashki.

Propozimi i mazhorancës nga ana tjetër duhet parë me vëmendje për arsyen e thjeshtë se, ndryshe nga ai i PD-së, mund të kthehet realisht në ligj.

Argumenti kryesor është se një bashki që nuk mbledh dot të ardhura të mjaftueshme për të përmbushur funksionet e veta më elementare dhe që varet ekonomikisht nga Tirana, mund të vazhdojë të ekzistojë juridikisht por në praktikë nuk është më bashki sepse e ka humbur kuptimin si nivel autonom i qeverisjes vendore. Në njëfarë pike, bashki të tilla rrezikojnë të mos jenë më shumë se sa zyra administrative modeste të organizuara rreth fuqisë ose pafuqisë politike individuale të kryetarit.

E megjithatë, këto ditë kemi parë se si shumica e kritikave dhe protestave nga bashkitë e prekura nuk janë përqëndruar te kjo kontradiktë, por në pretendimin se po ju fshihet historia dhe se bashkia X nuk ka asnjë lidhje me bashkinë Y me të cilën do të bashkohet, a thua se atyre që pak banorëve të mbetur në Memaliaj do iu kërkojnë të ngrenë në krahë orenditë e të shpërngulen në shtëpitë e atyre pak banorëve të mbetur në Tepelenë.

Nga gjithë kundërshtimet që mund t’i bëhen reformës, ky i historisë dhe identitetit është më pak bindësi. E para sepse historia e qyteteve dhe fshatrave që preken nuk jeton brenda mureve të bashkisë. Emrat dhe identiteti i tyre nuk ndryshon dhe nuk është se buxhetet do jua administrojnë armiqtë e bashkisë fqinje. E dyta gjë absurde rreth shqetësimit për historinë është se në një pjesë të mirë të qytezave dhe fshatrave shqiptare, nuk e ka vrarë njeri mendjen për ruajtjen e trashëgimisë për tri dekada. Në fakt, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, e kundërta ka ndodhur. Mjafton të vizitosh disa prej tyre dhe do të shohësh se si ndërtesa historike janë lënë të shemben në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq janë kthyer në kafene e hapësira tregtare me kondicionerë që rrjedhin ujë mbi fasadat historike, shpesh duke jua ndryshuar përgjithmonë karakterin. Muze të vegjël autentikë të fshatrave janë grabitur e shkatërruar nga vetë banorët, duke i kthyer në jo më shumë se sa tualete publike. Po me sa duket historia lokale bëhet e paçmueshme vetëm kur rrezikohet të mbyllet zyra e kryetarit.

Kjo nuk do të thotë se banorët e bashkive të prekura nuk kanë aryse të shqetësohen, por nuk e di sa kuptim ka që thelbi i shqetësimit të tyre të jetë se vendi ku jetojnë nuk do jetë më bashki, kur në të vërtetë duhet të shqetësohen se sa iu vështirësohet aksesi në shërbime. Sa larg do ju duhet banorëve të një fshati të udhëtojnë për një dokument, apo për një ankesë? Këto 15 bashki a do vazhdojnë të kenë sportele ose zyra administrative që të paktën të informojnë banorët se si merret një shërbim apo çfarë letrash konkrete iu mungojnë? Sa i shpeshtë do jetë transporti publik që lidh një fshat të izoluar me qendrën e re administrative?

Përgjigjia standarde se shërbimet do të dixhitalizohen nuk funksionon në në këtë rast. Sado t’ia ketë lehtësuar jetën një pjese të konsiderueshme të popullsisë, nuk duhet harruar se shumë nga këto zona nuk kanë të njëjtin akses në internet dhe më e rëndësishmja, banorët e tyre i përkasin një moshe që interneti jua vështirëson jetën shumë më tepër se sa radhët ku mund t’iu duhet të presin disa orë.

Sa për propozimin tjetër, të krijimit të një niveli të ndërmjetëm si “qyteti” që do të merret me koordinimin e shërbimeve, rëndësia e tij varet nëse do të ketë realisht zyra dhe fonde. Përndryshe, rrezikon të jetë një tjetër institucion që mbetet i tillë vetëm në letër. Dhe, siç është kthyer me të drejtë në bindje për shumëkënd, Shqipëria nuk vuan nga të paturit e një shteti difektoz në letër, por nga hendeku që ekziston mes tij dhe qytetarit.

Ndaj edhe protestat e organizuara nga kryetarët e bashkive të prekura, duhen parë me njëfarë skepticizmi. Edhe pse një pjesë e shqetësimeve të tyre mund të jenë të sinqerta, është e vështirë të mos vësh re kohën e këtij zgjimi të beftë për mbrojtjen e demokracisë lokale.

Ku kanë qenë protestat e tyre më parë, teksa bashkive iu merrej çdo formë autoriteti? Ku kanë qenë shqetësimet e tyre kur qytetarëve jetët e të cilëve administrojnë, detyroheshin të anashkalonin bashkinë dhe ta kërkonin zgjidhjen e problemeve në dyert e ministrive, agjencive kombëtare apo edhe më keq, në zyrat e politikanëve me influencë në Tiranë?

Për vite me radhë, bashkitë e Shqipërisë kanë patur një autonomi formale ndërsa janë varur financiarisht dhe politikisht nga qeveria qëndrore dhe kjo nuk ka provokuar ndonjë revoltë kolektive kryebashkiakësh. Jo derisa reforma e propozuar kërcënoi jo vetëm autoritetin e kufizuar të tyre, por edhe zyrat dhe pagat. Shqetësimet e tyre mund të jenë legjitime, por publiku kaçdo të drejtë të pyesë nëse protestat janë për hallin e qytetarëve që humbasin shërbime apo për hallin e zyrtarëve që humbasin poste? Rreziku real është se reforma mund të ndryshojë hartën pa e ndryshuar aspak sistemin, duke krijuar bashki më të mëdha që, teksa mbeten poa q të varura nga Tirana, distancohen edhe më tepër nga njerëzit të cilëve supozohet t’iu shërbejnë.