Identiteti politik i shqiptarëve nga kriza
drejt shpresës në dekadën I pas pavarësisë

Identiteti politik i shqiptarëve nga kriza<br />drejt shpresës në dekadën I pas pavarësisë<br>
(Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore organizuar me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë nga Instituti i Historisë -ASA më 27 nëntor 2017)

               Në vitet 1912-1914 shqiptarët për herë të parë nisën procesin e krijimit të shtetit kombëtar. Ky proces rezultoi tejet i vështirë për shkak se përgatitja kulturore politike e kombit shqiptar ende nuk kishte arritur nivelin e duhur për tu përballur me shtetformimin dhe ngaqë faktorët e jashtëm pengues dhe shpërbërës rezultuan shumë të fuqishëm. Qeveria e  Përkohshme e Vlorës që u krijua pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912 bëri përpjekje dhe arriti disa suksese në ndërtimin e institucioneve kombëtare dhe në fillimin e procesit të deosmanizimit. Por ajo u godit rëndë nga refuzimi i Fuqive të Mëdha për ta njohur si dhe nga përballja me forca opozitare partikulariste të brendshme, ku më e spikatura prej tyre ishte Pleqësia e Shqipërisë së Mesme e kryesuar nga Esat Pashë Toptani.

 

              Më tej me ardhjen e Princ Vidit dhe me krijimin e Mbretërisë Shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, teorikisht, u krijuan shanse që shteti i ri shqiptar të fillonte një jetë normale. Përgjithësisht, nacionalistët shqiptarë të të gjitha besimeve dhe krahinave e përshëndetën ardhjen e Vidit dhe artikuluan me forcë aspiratat e tyre për ndërtimin e një Shqipërie oksidentale sipas modelit të kombeve më të përparuara evropiane. Por nacionalizmi nuk ishte ende dominues në masën e gjerë të popullsisë. Një kombinacion fatkeq i dy faktorëve kryesorë që favorizonin dukshëm njëri-tjetrin, u bë epiqendra e shpërbërjes së shtetit të ri dhe la gjurmë të rënda dëshpërimi në gjithë elitën nacionaliste, duke vënë në pikëpyetje serioze identitetin politik kombëtar dhe aftësitë shtetformuese të shqiptarëve në këtë sprovë të parë tepër të vështirë të kombit shqiptar.

Së pari, ishte gjendja e kombit shqiptar, dobësitë dhe kundërshtitë e brendshme të tij dhe, mbi të gjitha, dasitë fetare e krahinore, të cilat nxiteshin nga faktorë të fuqishëm nga jashtë. Ideja kombëtare dhe vizioni për një komb të bashkuar me institucione gjithëpërfshirëse dhe të respektueshme nga të gjithë ishte ende larg së qeni e plotë dhe dominuese. Fanatizmi fetar i të gjitha llojeve, si mysliman ashtu dhe ortodoks, ishte pengesë serioze, e cili në prag të luftës, i ushqyer nga propagandat e huaja, u shndërrua në një bombë shpërthyese për shtetin dhe unitetin e kombit shqiptar, duke errësuar perspektivën e tij. Përpjekja e viteve 1913-1914 ishte jetëshkurtër për shkak të Luftës Botërore dhe dështoi, duke hedhur dyshime mbi idealizmin kombëtar, mbi ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe aftësitë e tyre shtetformuese. Grupe dhe individë të ndryshëm që i ishin kundërvënë ose nuk e kishin mbështetur pavarësinë, u rrekën të shfrytëzonin situatën e krijuar nga shpërthimi i Luftës Botërore, për të çuar më tej interesat e tyre të ngushta lokale ose individuale. Ky fenomen u zhvillua dhe u nxit edhe nga fuqitë e huaja, të cilat përpiqeshin të siguronin klientë për realizimin e ambicieve të tyre në Shqipëri. Pa stabilitet dhe siguri, problemet që duheshin zgjidhur për farkëtimin e një kombi shqiptar pas shembjes së Perandorisë Osmane, do të rezultonin kësisoj të vështira për elitën e vogël nacionaliste.

Së dyti, ishte largimi gradual i Fuqive të Mëdha gjatë vitit 1914 nga politika e tyre e pranimit të shtetit shqiptar dhe nga vendimet e Konferencës së Londrës së vitit 1913. Tashmë nevoja imediate e suksesit në luftën e pritshme do të dominonte dhe shkelte rëndë parimin e kombësive. Lidhur me këtë E. Grey deklaronte: “Në luftë patjetër do të ketë marrëveshje të fshehta. Në të shumë gjëra që shihen si kriminale janë të pashmangshme”[1]. Të gjitha Fuqitë e Mëdha, ndoshta vetëm me përjashtimin e Austro Hungarisë, kishin vendosur që e ardhmja e shtetit të pavarur shëndetlig shqiptar duhej rishikuar dhe garancitë të cilat i kishin formuluar kolektivisht në Londër më 1913 nuk ishin më të vlefshme e të qëndrueshme. Ky ishte rreziku më i madh i jashtëm që vinte në dilemë mbijetesën e kombit shqiptar. Ky faktor do të shkaktonte tronditje të thella në ndërgjegjen politike të shqiptarëve, përçarje, anarki, dëshpërim, mungesë vetëbesimi dhe çorientim politik. Pjesë e këtij faktori destabilizues ishte edhe veprimtaria e shteteve fqinje të cilat realisht nuk e kishin pranuar ekzistencën e shtetit të ri dhe kufijtë e tij të caktuara nga Konferenca e Ambasadorëve. Shfaqje më të vrazhda të kësaj ndërhyrje ishin: e ashtuquajtura Lëvizja Vorioepirote në Jug, e orkestruar nga shteti grek dhe Kryengritja e Shqipërisë së Mesme e nxitur kryesisht nga forcat xhonturke por edhe nga fuqi të tjera. Këto e vunë shtetin e ri qysh në ditët e para në një gjendje kritike dhe në pikëpyetje për mbijetesën e tij.

Lufta e I Botërore ndërpreu në mënyrë dramatike procesin e sapofilluar të sendërtimit të shtetit kombëtar shqiptar, i cili do të ishte parakushti themelor dhe shtylla kryesore për ndërtimin e institucioneve kombëtare të të gjitha llojeve, si bazat themelore të konsolidimit dhe progresit të kombit shqiptar e në këtë kontekst edhe të identitetit politik  e shpirtëror kombëtar si një nga shtyllat e këtij progresi. Pas fillimit të Luftës së Madhe në verën e vitit 1914 dhe gjatë vitit 1915 Shqipëria ishte në një anarki të plotë dhe identiteti shqiptar gjendej në një krizë të rëndë  dëshpëruese. Faza tjetër e Luftës që përfshin vitet 1916-1918 mund të portretizohet si rigjallërimi kombëtar i ndërgjegjes politike dhe  nacionalizmit shqiptar. Lufta dhe ndarja e Shqipërisë në disa zona pushtimi e detyruan nacionalizmin shqiptar të vepronte ne rajone te veçanta të izoluara midis tyre nga ushtritë pushtuese dhe të gjendej nën presionin direkt të Fuqive të huaja. E marrë në tërësi Lufta e Parë Botërore dëmtoi seriozisht procesin e ndërtimit të shtetit kombëtar dhe konsolidimin dhe progresin e komb-formimit në Shqipëri. Por brenda kësaj fatkeqësie të përgjithshme kishte edhe disa zhvillime specifike të cilat ndikuan në drejtime të ndryshme në avancimin e pjekurisë kombëtare. Duhet theksuar qysh në fillim se, përmes dhimbjeve dhe fatkeqësive të paraluftës dhe të luftës, nacionalistët shqiptarë do të fitonin një përvojë të re politike  dhe një shkallë më të lartë të ndërgjegjes kombëtare.

Risitë pozitive që shprehnin afirmimin e identitetit kombëtar, organizimin dhe përpjekjet e kombit shqiptar për liri ishin më evidente në zonën e pushtimit austro-hungarez. Pavarësisht se në nivelet e ndryshme të institucioneve të Perandorisë Austro-Hungareze kishte projekte e paragjykime të ndryshme lidhur me ringritjen e shtetit shqiptar[2], duhet theksuar se autoritetet austro-hungareze mbajtën një qëndrim relativisht pozitiv ndaj vijueshmërisë së procesit të afirmimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar. Qeveria austro-hungareze vendosi që në viset shqiptare të pushtuara të krijohej një administratë civile me nëpunës shqiptarë, e cila sipas fjalëve të gjeneral-majorit austro-hungarez, V. Bobeçiç, do të kujdesej që populli shqiptar “të edukohej për autonominë hap pas hapi nga administrata ushtarake dhe më vonë, sapo të ishin krijuar premisat, do të ndërtohej shteti i pavarur shqiptar nën protektoratin efektiv të Austro-Hungarisë”.[3] Në këtë zonë, nacionalistët shqiptarë patën një terren më të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Kështu pikërisht në Shkodër, në pranverë të vitit 1915, u formua organizata “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës[4], e cila ishte organizata më e fuqishme nacionaliste brenda në Shqipëri e krijuar deri në këtë kohë. Në fillim të vitit 1916, në zonën e Matit, u forcua një qendër e vjetër e nacionalizmit shqiptar. A. Zogu u shfaq si një figurë udhëheqëse kombëtare me një peshë të konsiderueshme dhe aktive në skenën politike shqiptare.[5] Bashkëpunimi i tij me Aqif Pashë Elbasanin krijoi me të vërtetë një zonë të gjerë, ku nacionalizmi shqiptar ishte i fuqishëm. Kjo zonë, që shtrihej midis Matit e Shkumbinit, u tentua të shndërrohej në një bastion për ringritjen e shtetit shqiptar, për unifikimin e fuqizimin e lëvizjes kombëtare.[6] Por nisma e marrë nga nacionalistët shqiptarë u pengua me forcë nga autoritetet austro-hungareze, çka dëshmonte se edhe proshqiptarizmi i tyre kishte limitet e veta.[7]

Politika austro-hungareze ndihmoi për të dobësuar më tej barrierat kulturore midis shqiptarëve, administrata shqiptare e krijuar ishte e rregullt, me profil kombëtar, efikase dhe e mbështetur në modelin evropian perëndimor.[8] Autoritetet austro-hungareze lejuan përdorimin e flamurit kombëtar, nxitën shtypin shqiptar,[9] korrespondenca zyrtare përveç gjuhës gjermane u realizua edhe në gjuhën shqipe, duke e ngritur më lart standardizimin dhe nivelin e formulimit të sajë. U bë një hap tjetër serioz për shkëputjen nga gjuha turke në dokumentacionin e administratës fiskale. Konsulli i Përgjithshëm, Kral, kërkonte me këmbëngulje “shqiptarizimin absolut të shërbimit të administratës në Shqipëri”[10]. Një hap i madh përpara ishte formimi i “Komisisë Letrare”, e cila dha një kontribut me rëndësi për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe për unifikimin e dy dialekteve, duke shkuar drejt krijimit të një standardi të përbashkët të sajë.

U shtuan shkollat shqipe dhe, mbi të gjitha, u ngrit cilësia e mësimdhënies, pajisjeve dhe u rrit frekuentimi i tyre. Këto shkolla u shndërruan në vatra të rritjes së ndërgjegjes dhe formimit të inteligjencies së re kombëtare. Kësaj arritjeje i duhet shtuar edhe ngritja e shumë shkollave fillore shqiptare në viset shqiptare në Kosovë e në Malin e Zi. Tekstet shkollore u përmirësuan ndjeshëm dhe u mbështetën në dialektin e Elbasanit, që ishte një dialekt qendror dhe unifikues. Autoritetet austro-hungareze mbështetën kultivimin e një nacionalizmi përbashkues dhe unifikues, që evokonte origjinën e vjetër të popullit shqiptar, që siç shkruante Gjergj Fishta “të ngjallnin shpirtin e Skënderbegut ndër zemra t’gjith shqyptarvet”[11]. Madje filloi edhe një proces desllavizimi në viset shqiptare, që kishin qenë të aneksuara nga Serbia e Mali i Zi. Përveç të tjerave ky proces u shfaq edhe në fillimin e masave për heqjen e prapashtesës “viç” nga mbiemrat e familjeve shqiptare, duke i kthyer ato në formën e mëparshme origjinale.[12]

           Në zonën franceze të pushtimit, shpallja e Republikës së Korçës ishte tregues për rilindjen e nacionalizmit shqiptar në një prej zonave ku ai kishte qenë i fuqishëm edhe para luftës, por njëkohësisht ku ai ishte sfiduar fuqishëm dhe kishte zhvilluar një betejë të ashpër me nacionalizmin grek. Mbi të gjitha ky ishte një eksperiment i suksesshëm, ku myslimanët dhe ortodoksët punuan bashkërisht nën të njëjtën administratë, pa ndërlikimet e krijuara prej rivaliteteve dhe intrigave të Fuqive të Mëdha, që e kishin dëmtuar rëndë shtet-formimin gjatë regjimit të Vidit. Prej këtej dashamirësit e Shqipërisë dhe optimistët e huaj apo vendas panë një eksperiment të suksesshëm të ndërtimit të një shteti dhe kombi modern shqiptar, i bazuar në bashkëveprimin kombëtar të elementëve të ndryshëm fetar. Funksionimi normal dhe i suksesshëm i krahinës autonome, apo siç është quajtur, republikës së Korçës ishte jo vetëm një model por edhe një shpresë e madhe për ringritjen e kombit shqiptar dhe për aftësinë e tij për vetëqeverim e progres pas ngjarjeve dramatike të viteve 1914-1915 që e kishin tronditur dhe mjegulluar këtë besim.

           Në zonën  italiane ndodhi një zhvillim i stresuar i identitetit shqiptar. Italia ishte e fokusuar në aneksimin e Vlorës dhe në sigurimin e protektoratit mbi shtetin e gjymtuar shqiptar. Mbështetja italiane për nacionalizmin shqiptar jo vetëm që ishte e kufizuar dhe e kushtëzuar por veçanërisht ajo deformonte karakterin dhe dëmtonte imazhin e tij të pastër dhe parimor kombëtar. Kështu ajo u krijoi nacionalistëve dhe perspektivës së kombit shqiptar mjaft kundërshti të rrezikshme të brendshme dhe sidomos ndërkombëtare. Diplomati britanik i angazhuar me çështjen shqiptare, Harold Nicolson shkruante në ditarin e tij: “Ishte një fat tmerrësisht i keq për Shqipërinë që po i imponojnë Italinë si fuqi mandatore, e më pas do t’i cungohen kufijtë, thjesht dhe vetëm se asnjë prej nesh nuk i beson Italisë në Ballkan”[13].

     Por këto kundërshti të rrezikshme do të rezultonin fatlume në një drejtim tjetër. Më në fund kontradiktat e ashpërsuara italo-amerikane, të cilat kulmuan me thirrjen e drejtpërdrejtë që Wilsoni i drejtoi popullit italian për të pranuar të 14 pikat e tij, e shtuan kundërshtimin e tij që të plotësoheshin të gjitha orekset e Italisë në Adriatik. Njëkohësisht Wilsoni kundërshtoi qeveritë  britanike dhe franceze të cilat e kishin më të maskuar imperializmin e tyre kundrejt Shqipërisë dhe e kishin kthyer atë dhe territoret e saj në një objekt shkëmbimesh në favor të zbatimit të skemave që u interesonin atyre në Ballkan.[14] Wilsoni mbeti i bindur se Shqipëria nuk duhej përdorur si peng dhe se qysh në këtë fazë duhej zbatuar parimi i vetëvendosjes.

Në rrethanat e krijuara në fund të Luftës së I Botërore kur Italia kontrollonte shumicën dërrmuese të territorit shqiptar, një nga segmentet kryesore të nacionalizmit shqiptar, duke parë pozitën e dëshpëruar të çështjes shqiptare, konstatoi se rruga e vetme praktike ishte arritja e një kompromisi me Italianë. Por pajtimi i interesave shqiptare me objektivat që kishte përcaktuar Roma ishte diçka e vështirë, pasi diferencat ishin të mëdha. Për këtë arsye kompromisi do të ishte shumë i dhimbshëm për shqiptarët. Kundërshtitë e Aleatëve ishin evidente. Qeveria franceze kishte paralajmëruar Konsultën të ndalonte nxitjen e nacionalizmit shqiptar në zonat e pushtimit italian, pasi Traktati i Fshehtë i Londrës ia rezervonte jugun e Shqipërisë, Greqisë, ndërsa Foreign Office dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, pasi ishin informuar se italianët po përgatiteshin të formonin një qeveri kukull në Shqipëri, për t’i paravendosur Aleatët para një fakti të kryer, paralajmëruan Romën se do të kundërshtonin çdo veprim të njëanshëm në Shqipëri[15]. Sonnino nuk mund të dilte hapur kundër partnerëve të tij. Ai u premtoi nacionalistëve shqiptarë se do t’i ndihmonte në organizimin e një shteti modern dhe do t’i ndihmonte ata në rimarrjen e territoreve shqiptare, duke premtuar se do të bllokonte kërkesat greke dhe sllave atje. Por italianët kërkonin në këmbim bindjen e shqiptarëve për të aneksuar Vlorën dhe mandatin mbi shtetin shqiptar. Ata sugjeruan krijimin e një Komiteti përfaqësues shqiptar dhe nga ana tjetër u përpoqën të pengonin krijimin e një qeverie kombëtare shqiptare.[16]

Por nacionalistët shqiptarë nuk do të qëndronin brenda kornizës së imponuar italiane. Ata organizuan në dhjetor 1918 Kongresin e Durrësit i cili në kundërshtim me imponimet italiane krijoi një qeverie të përkohshme. Kuvendi kërkoi rivendosjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe artikuloi pretendimet për bashkimin e territoreve shqiptare të aneksuara nga serbët e grekët më 1913. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt unifikimit të nacionalizmit shqiptar dhe bashkimi rreth një qendre të vetme, ndonëse kundërshtitë dhe sfidat do të rezultonin më tej sërish të rënda. Shqiptarët po vepronin kështu edhe një herë në mënyrë të pavarur, duke sfiduar Fuqitë e Mëdha, interesat e të cilave nuk pajtoheshin me ato të tyre. Por nga ana tjetër përkrahja e të mëdhenjve ishte kusht i rëndësishëm për të fituar. Me gjithë sfidën që i ishte bërë, edhe Sonnino nuk donte konflikt me nacionalistët shqiptarë, sepse nuk donte ta humbiste mbështetjen e tyre.

Duke vlerësuar se tani ishte tepër vonë që kjo lëvizje të zhbëhej, ai vendosi që aktet e Kuvendit Shqiptar të zbeheshin në praktikë dhe qeveria e Durrësit të asfiksohej pak nga pak deri atje ku e kërkonin interesat italiane. Qeveritë franceze, britanike e amerikane gjithashtu refuzuan ta njihnin atë. Delegacioni i Durrësit me të drejtë u paraqit në Konferencë si një përfaqësi e pastër e krejt popullit shqiptar. Por ky deklarim u prit armiqësisht nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në sallë, pasi ai ndryshonte mjaft nga perceptimet e tyre[17]. Gradualisht, k jo politikë kontradiktore e qeverisë italiane dhe situata tepër e rëndë në të cilën ndodhej çështja shqiptare solli gjatë Konferencës së Paqes dilema dhe përçarje në radhët e nacionalizmit shqiptar dhe një krizë të re identitare. Kështu nacionalizmi shqiptar nuk e kapërceu plotësisht fazën e përçarjes organizative dhe fragmentarizmin.

Politika e ShBA i shtoi një element të rëndësishëm mbijetesës së kombit shqiptar, pasi ShBA, ndonëse nuk kishin asnjë politikë shqiptare, nuk ishin palë nënshkruese e Traktatit të Fshehtë dhe hynë në luftë mbi bazën e të drejtave të vetëvendosjes kombëtare. Roger MacGinty ka nënvizuar se hyrja e ShBA në luftë dhe veprimet e bolshevikëve kanë pasur një ndikim të rëndësishëm për nacionalizmat ballkanike. Kjo vlente edhe për nacionalizmin shqiptar. Parimet Willsoniane ngërthenin dy elementë përbërës kryesor: të drejtën për autonomi për grupet kombëtare dhe procesin demokratik brenda shteteve.[18].  Por zgjidhja e çështjes shqiptare do të ishte një kombinim midis vetëvendosjes kombëtare bazuar tek gjuha, interesave të Fuqive të Mëdha dhe të vogla, dhe marrëveshjeve të mëparshme midis fuqive të ndryshme. Ky ishte një kombinacion tepër i komplikuar dhe do të kalonte përmes krizash të rënda të kombit shqiptar, duke e çuar atë sa pranë greminës së shpërbërjes aq edhe pranë një shpëtimi fatlum dhe më të qëndrueshëm se sa ai i vitit 1913.

Në raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor të ShBA për përfundimin e Paqes më 21 janar 1919, një Shqipëri e pavarur, konsiderohej si e parealizueshme, si pasojë e dobësisë së ndjenjës kombëtare të këtij populli, institucioneve të prapambetura, vështirësive në komunikacion dhe ndërhyrjeve nga ana e shteteve fqinje, bazuar kjo në gërshetimin e faktorëve etnikë, ekonomikë e strategjikë. Por në fillim të Konferencës së Paqes, pozicioni amerikan lëvizi drejt një simpatie kundrejt nacionalizmit shqiptar. I vetmi hezitim që mbetej ishte mendimi se shqiptarët ishin të papërgatitur për pavarësinë e plotë të atij lloji, që ishte shpallur më 1912. Si rezultat, kundër dëshirës së tyre, udhëheqësit amerikanë erdhën në pozicionin e përkrahjes së një mandati italian me natyrë tepër të kufizuar. Arsyet e këtij ndryshimi pozitiv mendoj se kanë lidhje me veprimtarinë e emigracionit shqiptar në SHBA i cili arriti në një shkallë të lartë mbresëlënëse të identitetit politik kombëtar. Aktivitetet e Federatës “Vatra” e cila në këtë kohë arriti apogjeun e forcës së saj dhe u bë boshti kryesor i nacionalizmit shqiptar në diasporë. Me të drejtë F. Konica ka theksuar se ““Vatra” veproi “si guvernë shqiptare” duke zëvendësuar shtetin e vdekur shqiptar”.

Qëndrimi i Wilsonit pati implikacione të thella: 1. Në vonimin e marrjes së një vendimi rreth pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj. Wilsoni pa dashje  bëri të mundur që në Shqipëri të krijohej një qeveri kombëtare, pak a shumë e qëndrueshme, e organizuar dhe antiitaliane (e dalë nga Kongresi i Lushnjës). Kjo ishte shkalla më e lartë e unifikimit politik të nacionalizmit shqiptar dhe një dritë në fund të tunelit për kapërcimin e krizës politike kombëtare e cila provonte se kishte ende një entitet shqiptar të mundshëm për t’u ruajtur. Ndërkohë gjatë marsit 1920, Wilsoni arriti të hiqte problemin shqiptar nga çështja e Adriatikut, duke e kthyer atë në një problem thjesht shqiptar.

Politika britanike i konsideronte shqiptarët të paaftë për vetëqeverisje dhe në FO kishte  hezitime të forta për mbështetjen e parimit të vetëvendosjes për ta.[19] Në fund të luftës, nacionalistët shqiptarë projektuan të rreshtoheshin përkrah Antantës, në këmbim të rinjohjes së pavarësisë së saj. Foreign Office e hodhi poshtë këtë ofertë pasi siç shkruante në atë kohë Harold Nicolson, “vështirë se do të ishte e ndershme për ne që t’i nxisnim shqiptarët të luftonin për një vend të coptuar”[20] . Më tej politika britanike pasi dështoi të impononte skemat e vjetra, aty nga gjysma e dytë e vitit 1920 filloi të ndryshonte në një kahje pozitive duke e parë të mundshme dhe të dobishme për interesat e saj gjeostrategjike në rajon ringritjen e një shteti kombëtar shqiptar. Ky ndryshim pati ndikimin e vet në fuqizimin e nacionalizmit shqiptar dhe i dha një impuls të ri identitetit unik kombëtar.

Nacionalizmi shqiptar në fundin e luftës mund të thuhet se bëri një progres të papërfunduar. Në mënyrë kuptimplotë, identiteti politik shqiptar karakterizohej kryesisht nga zbehja e dallimeve fetare, ndryshe nga momentet e fillimit të luftës, kur përçarja fetare ishte demonstruar dukshëm. Kjo ngjasonte me përvojën e kombësive të tjera të vogla evropiano-lindore, por njëherazi ndryshonte prej tyre, për shkak të mungesës së mbështetjes substanciale të Fuqive të Mëdha për veprimet e shqiptarëve.          

Në vitet 1920-1921 në lëmshin e kundërshtive në të cilat eci kombi shqiptar do të triumfonte e drejta e tij dhe shansi pothuajse final historik i mbijetesës dhe i konsolidimit, i cili në dekadat që do të pasonin do të kishte herë lëkundje të vogla dhe herë të mëdha por asnjëherë nuk do të vihej në pikëpyetje aq seriozisht sa u vu në prag dhe gjatë Luftës së I Botërore. Identiteti dhe ndërgjegjja politike shqiptare do të ndiqte një vijë paralele progresi ndonëse edhe ajo nuk kaloi pa kriza e luhatje të dukshme përgjatë përpjekjes së dytë për ringritjen e shtetit kombëtar.

[gallery]24996[/gallery]

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë