IDRA:"Për shqiptarët s’është më problem komunizmi"

IDRA:"Për shqiptarët s’është më problem komunizmi"
Rezultati i një anketimi të fundit, mbështetur nga OSBE-ja në Tiranë, ka nxjerrë përfundime interesante sa i përket Komunizmit, Dosjeve të Spiunëve, të persekutuarve etj.
Kanë qenë disi befasuese konkluzionet e nxjerra nga ana e IDRA-s në anketimin e titulluar “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen”, në një aktivitet realizuar nga OSBE dhe Ambasada gjermane në Tiranë dhe të prezantuara në orët e fundit te Rogner. Publiku, me qartë gati njëmijë personat e pyetur, të tre fashave moshore, kanë dhënë përgjigje interesante sa i përket perceptimeve për komunizmin, Enver Hoxhën, figurat e larta të PPSH-së, Hapjen e Dosjeve dhe prioritetet e ditëve tona.
Në pjesën më të madhe, anketimi i realizuar në terren nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), ka nxjerrë se qytetarët nuk u bën më aq shumë përshtypje e shkuara komuniste apo ta shohin si një problem kryesor, krahasuar me shqetësimet e tjera të mëdha që ka vendi. Ato janë ekonomia, korrupsioni, keqadministrimi i vendit etj. Ç’është me e habitshme është se përveç të persekutuarve, por edhe ndër ta, një fashë jo e vogël nuk e shohin më si problem sesa shohin të përditshmen dhe të ardhmen.

Por nëse pjesa më e madhe e mbështet Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit, pjesa më e madhe duket se as nuk e ka marrë mundimin ta shikojë Ligjin, që lidhet me këtë proces. Nga studimi i anketës del se njerëzit janë më shumë të interesuar për Lustracionin si proces. Nuk ka shumë interes për marrjen e të dhënave nga dosjet porse pjesa më e madhe është e bindur për dobinë e këtij ligji. .
Çfarë e bën disi të habitshëm këtë anketim është se njerëzit pothuaj kanë njohuri minimale për figurat kryesore të regjimit komuniste dhe madje diferencat e perceptimeve janë edhe gjeografike, sepse Veriu i vendit është pothuaj i panjohur me zhvillimet, porse një shqetësim që lind nga kampioni i marrë është se nuk njihen mirë edhe të persekutuarit.

Ndërkohë që televizioni ka luajtur rol të madh për dhënien e informacionit sa i përket të persekutuarve dhe komunizmit, shkolla pothuaj nuk e ka përmbushur fare këtë mision. Duket se edukimi më i mirë i publikut vjen edhe nga televizioni dhe programet.
Një fakt tjetër që bën disi habi është se gjysma e të anketuarve e shohin komunizmin, “si ide e mirë, por e zbatuar keq”, kurse vetëm një e treta e shikon “ide të keqe”, ndërsa më e pakta, që duhet të përfshijë disi nostalgjikët e mendon “si ide të mirë dhe të zbatuar mirë”. Jo fort çuditërisht, dy qytetet kryesore të vendit Tiranë dhe Durrës i përmbahen faktit se  komunizmi ishte i keq, kurse rajoni juglindor e mendon komunizmin si “ide të mirë por jo e zbatuar si duhet”.
Ndërkohë, një pyetje është bërë sa i përket nostalgjisë për kohën e komunizmit. Përgjigja e fashës së gjerë ka qenë se ishte e mirë sa i përket sigurisë, sistemit arsimor dhe atij të shëndetësisë, kurse kuptohet se në masë bihet në emërues të përbashkët për lirinë e shprehjes. Këtë e shtojnë edhe sa i përket problemit ekonomik.

Më interesante ende është trajtimi që behet ndaj figurës së Enver Hoxhës, ku gjysma e popullsisë e shikon si pozitiv, aq sa gjysma tjetër e shohin si negativ. Grupmosha deri në 35 vjeç është gati kategorike për rolin e tij negativ, kurse Jugu dhe Juglindja beson se ai ka pasur rol pozitiv në zhvillimet e vendit. Më të arsimuarit ndajnë mendime negative për rolin e Enver Hoxhës, Nexhmije Hozhës dhe Ramiz Alisë, kurse një pjesë jo e vogël kanë pak njohuri për ta.
Në fakt, anketimi i fundit e përbën një hap, porse interesant mbetet paraqitja dhe interpretimi, të cilat duan punë të mëtejshme vëzhguese, ndërsa duket se zhvillimi i viteve të fundit ka bërë që publiku të jetë shumë i ndarë sa i përket qëndrimeve.
Duket se tashmë në shqyrtime të tilla nuk duhen më vetëm politologët dhe sociologët porse edhe antropologët.

Anketa kombëtare u realizua me pjesëmarrjen e 995 personave, ku përzgjedhja u bë me disa faza. Qendrat e votimit të caktuara në zgjedhjet e fundit shërbyen si njësi parësore kampionimi, duke përdorur një formulë që gjeneronte numra të rastësishëm, duke marrë me këtë rast edhe parasysh numrin e votuesve në çdo qendër dhe dimensionin urban me atë rural.

Kampioni mori si bazë tre grupmosha atë nga 16-35 vjeç, atë nga 36-55 vjeç dhe atë mbi 55 vjeç. Kanë dominuar gratë, kjo mbase se edhe një pjesë ishin gra, në masën 61%.
Anketimi ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Platforma e Dialogut Kombëtar rreth Shkeljes së të Drejtave të Njeriut gjatë regjimit të mëparshëm komunist në Shqipëri”, zbatuar me mbështetjen e RFGJ-së. (Javanews)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Në orët e pasdites pritet shtim i vranësirave... si parashikohet moti për sot

Në orët e pasdites pritet shtim i vranësirave... si parashikohet moti për sot