Administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, në një intervistë për “Report TV”, shprehet optimist për situatën financiare të klubeve shqiptare pas tryezës së përbashkët mes federatës dhe qeverisë shqiptare.

“Tashmë do të kemi të bëjmë me nje sport që nuk do të ndelet më në derën enteve publike duke trokituar për të kapur ndonjë fond, por do të jetë një sport që do të rrugëtojë drejtpërdrejtë në normat më elementare të kapitalizmit.”

Numri 1 i klubit vlonjat tregoi më pas edhe skemën se si do të arrihet në këtë pikë.

“Shteti shqiptar ka marrë përsipër të sjellë një ligj ku invetsimet në sport do të kenë një status dhe një karakter të veçantë. Pra një kompani, shifrat janë apriori mos u kapni pas shifrave, nëse ka 10 mln dollarë tatim fitimin për të paguar, shteti do t’i merrte të gjitha për arkat e veta, në këtë rast shteti i njeh të drejtën kompanisë që lekët të cilat do t’i arkëtonte si tatim fitim do t’i kalonte në kondo të klubeve.”

Idrizi më tej shpjegoi se me këtë skemë klubet do të evitojnë problemet ekonomike që zakonisht në Shqipëri shfaqen gjatë zhvillimit të sezonit.

“Nga ky moment klubet shqiptare de fakto do të rrugëtojnë me një start financiar të paktën në nisje me 1 mln dollar.”

Idrizi në fund bëri një komente edhe për dhunën që shfaqet në stadium.

“Dhuna më e madhe në Shqipëri në stadium është dhuna psikologjike. Ata që shkaktojnë dhunën janë ata që menaxhojnë futbollin.”