TIRANË, 26 Qershor /ATSH- I. Vata/-Parlamenti shqiptar ka nderuar sot viktimat e genocidit ndaj popullsisë çame, genocid që u krye nga qarqet shoviniste greke 70 vjet më parë.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në seancën e sotme plenarë në Parlamentit, ka mbajtur fjalën në seancën përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të genocidit grek mbi Çamërinë dhe u ka kërkuar deputetve të mbajnë një minutë heshtje në respekt të viktimave të këtij gjenocidi.
Kryetari i PDIU-, Idrizi në fjalën e tij theksoi se "Afro 2700 vetë u vranë në mënyrë makabre, afro 3000 të tjerë vdiqën nga uria, vapa dhe sëmundjet në tokën tonë. 50 mijw të tjerë u përzunë dhe u shkul nga rrënjët".
Po ashtu, Idrizi tha "Sot kam dalë para jush, jo thjesht për një ritual të përvitshëm, i nisur që në 2004-n. Një ritual që e përsëris që nga koha kur jam bërë pjesë e këtij Parlamenti, qoftë brenda PS-së, qoftë në krye të PDIU. Jo, dua t'ju ftoj të reflektoni për atë se pse populli themelues i pavarësisë së kombit grek u shndërrua në popull armik për t'u përzënë nga toka e vet në mënyrë të përgjakshme ,siç ndodhi në mënyrë përfundimtare 70 vjet më pare".
"Dua të kuptojmë më mirë të gjithë bashkë, pse kombi shqiptar humbi një bastion të ekzistencës së vet në trojet etnike. Kjo ftesë për reflektim nuk është ftesë për vajtim kolektiv. Është ftesë për të kuptuar më shumë rreth kësaj tragjedie dhe drejtësisë që ajo meriton. Vetëm pasi të keni kuptuar më shumë, atëherë do të jemi të zotë të gjejmë zgjidhje për të vënë në vend këtë padrejtësi historike" u shpreh Idrizi.
Kryetari i PDIU-së ka ftuar deputetet të mbajnë një minutë heshtje, në nderim të viktimave të pafajshme të genocidit mbi popullsinë çame. "Unë ju ftoj të reflektoni rreth gjithë atyre hapave, që brenda konventave europiane i kontribuojnë drejtësisë", tha Idrizi.
Pas fjalës së kreut të PDIU-së, deputetët dhe anëtarët e qeverisë kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të genocidit ndaj popullsisë çame.






