Nga mediat lexova se kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha paska shtruar një iftar me rastin e muajit të Ramazanit ku ka ftuar përfaqësues të trupit diplomatik, krerë të besimveve fetare jo vetëm brenda Shqipërisë si dhe disa imamë dhe intelektualë muslimanë. Më konkretisht po citoj gazetën “Tema”: “Të ftuar në këtë darkë kanë qenë përfaqësues të Komunitetit Mysliman Shqiptar, kryetarin e tij, Haxhi Selim Muça, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë; Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturinë e tij Anastas Janullatos, Arqipeshkvin Metropolit të Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, Presidentin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësues të trupit diplomatik etj".

Si një besimtar dhe agjërues i rregullt prej më tepër se një dekade e gjysmë, që në fillim të këtij shkrimi desha të pyesja imamët dhe ndonjë besimtar pjesëmarrës në iftarin e Saliut, për të cilët mendoj se vërtetë kanë qenë agjërues: A është e lejueshme për një agjërues që të ushqehet në iftar me ushqim të vjedhur, aq më tepër kur bëhet fjalë për një sacrifice fizike tej normales në një ditë të gjatë dhe super të nxehtë vere?

Ju lutem mos mu përgjigjni: "Nuk ishte haram ushqimi i konsumuar". Mund të më thoni: Ku i ka gjetur Berisha paratë për të shtruar këtë iftar? Le të konsiderojmë hallall fitimet e deklaruara nga Sali Berisha në deklaratën e tij të pasurisë. Për vitin 2011 ia ka nënshkruar për fitime modeste, aq sa e llogaritur mirë i bie që të ketë harxhuar të gjithë fitimet e një viti për këtë iftar. Mendoni vallë të jetë kaq modest kryeministri ynë!?

Iftari i Saliut u shtrua në një nga rezidencat qeveritare. "Kryeministri Sali Berisha, shtroi të premten në mbrëmje një iftar për besimtarët myslimanë në një prej rezidencave qeveritare" (Drita Islame, faqja online). Pra fatura e shpenzimeve i kalon shqiptarëve, ose më saktë atyre që radhiten tek taksapaguesit. Nuk mendoj se të gjithë ata që kontribuojnë në arkën e shtetit shqiptar t'i kenë dhënë paratë e tyre për t'u tallur Sali Berisha, duke shtruar iftare, aq më tepër për njerëz që nuk kanë agjëruar.

Të themi që këto para ia kanë dhuruar Berishës dhe ai me dashamirësi i harxhoi me një iftar!? Jo. Profeti Muhamed a.s. e ka ndaluar kategorikisht dhuratën për shkak të detyrës. Kështu që dhuruesi (nëse ekziston një i tillë) do të ishte më mirë ta shtronte vetë iftarin, ndryshe i bie që të ketë bërë korrupsion, pasi nuk mund të jetë një mashtrues ordiner personi i duhur për të qeverisur paratë e dhuruara në 'Rrugën e Zotit'.

Berisha është një kriminel i rëndomtë. Nuk po i referohem vrasjeve dhe bashkëpunimeve të tij të fëlliqura në kurriz të shqiptarëve, por thjesht po citoj një frazë që e kemi dëgjuar shpesh nga gojët e imamëve. "Shqipëria konsumoi kamatën dhe për pasojë përjetoi '97-ën!". I Madhi Zot na ka njoftuar se kamata është luftë e hapur me të, ndaj uroj që të mos kenë qënë të njëjtët imamë, të cilët e përdorin këtë shprehje në iftarin e Saliut. Kjo pasi dihet mirë se cili ka qenë ideatori, iniciatori, mbështetësi dhe drejtuesi kryesor i piramidave shqiptare.

Berisha është burracak që bën gjithçka për pushtetin ndaj mos u bëni lolo të tij. E kuptoj mirë faktin se jo të gjithë besimtarët janë si profeti Ibrahim a.s., që të kundërshtojnë siç, Ai a.s., kundërshtoi mbretin mizor Nemrud, por do të ishte më mirë refuzimi i një kryeministri që ndodhet në pushtet me vota të vjedhura, të paktën në këtë iftar hipokrizie në mënyrë që të mos bëhën edhe muslimanët pjesë e mëkatit të tij. Dhe pasojat e mëkatit dihen mirë se cilat janë.
Së fundmi desha të thoja se i Madhi Zot e di më së miri këtë punë, por nuk do të ishte më mirë ta çelnit iftarin e Xhumasë, ditës së bekuar, në shtëpitë tuaja me familjet, apo të ftuar nga njëri-tjetri me ushqim hallall!? Si thoni!?

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)