Një nga temat më të nxehta të merkatos verore vjen nga Italia, ku e ardhmja e Paulo Dybalas te Roma mbetet e paqartë. Sipas raportimeve të 'Corriere della Sera', klubi verdhekuq nuk ka bërë ende asnjë hap konkret për rinovimin e kontratës së argjentinasit, e cila skadon në fund të sezonit. Kjo situatë ka hapur rrugën për një largim të mundshëm të fantazistit nga kryeqyteti italian.

Pavarësisht dëshirës së shprehur nga Dybala për të qëndruar te Roma, madje edhe duke pranuar një ulje page, mungesa e një oferte zyrtare mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

Në këtë skenar, në prapaskenë ka hyrë fuqishëm Milani, i cili e sheh ish-lojtarin e Juventusit si një përforcim ideal për sezonin e ardhshëm. Raportohet se vetë lojtari e preferon një kalim te kuqezinjtë dhe është i gatshëm të pranojë një kontratë të bazuar në performancë. Drejtori sportiv i kuqezinjve, Igli Tare, duket se është në punë e sipër për të arritur një marrëveshje.

Edhe pse ka interes nga Amerika e Jugut, Dybala synon të vijojë karrierën në nivelet më të larta të futbollit evropian, me Milanin që aktualisht duket destinacioni më i mundshëm.

Igli Tare ka një mundësi të artë për të afruar falas te Milani një njohje të vjetër të Allegrit, me trajnerin që duket se do japë 'bekimin' për këtë lëvizje.