FIER- Fundi i muajit maj ka sjellë përmirësim të situatës gripale, por tashmë janë tonsilitet ose siç quhen ndryshe infeksion i bajameve që po prekin fëmijët.
Sipas mjekut pediatër të Fierit, Baftiar Hysenaj, në qarkullim janë dy lloje tonsilitesh dhe vetëm në rastet me temperaturë të lartë rekomandohet antibiotiku.
Moti i paqëndrueshëm i pranverës i shoqëruar me ndryshime të forta të temperaturave të ajrit kërkon kujdes të veçantë për të vegjlit.
Shmangia e ekspozimit në diell është rekomandimi i përsëritur i mjekëve pediatër, krahas ushqimit të shëndetshëm për të përballuar më lehtë virozat gastrointestinale.
“Një ditë bën ftohtë, një ditë nxehtë... duhet shmangur dalja me fëmijët në orët e pikut të vapes. Sa më shumë lengje dhe ushqim të gatuara në shtëpi”, thekson ai.
Gjatë fundjavës në pediatrinë e Fierit u paraqitën në urgjencë mbi 100 pacientë të vegjël, pjesa më e madhe me temperaturë të lartë shkaktuar nga bajamet e infektuara.
Trajtimi mjekësor përqendrohet në medikamente me propolis dhe në rastin e temperaturës së lartë rekomandohen antipiretikë dhe antibiotikë, me recetë nga mjeku.
Komente











