TIRANE- Arratisja e 7 personave nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, ka ndodhur brenda 20 minutave. Ka qënë një moment kur Marashi dhe Guri ishin duke luajtur me letra, ndërkohë që i pari që është parë të dalë me armë nga qelia ka qënë Admir Tafili. Kjo kohë i ka mjaftuar Admir Tafilit, Fran Marashit dhe Gëzim Gurit, që të realizojnë pengmarjen e gardianëve brenda në tunelin nëntokësor, që lidh sektorin “A” me daljen kryesore të burgut dhe më pas tu marrin xhupat me mbishkrimin “Policia”, duke u hequr si efektivë policie. Pikërisht falë kësaj skeme tepër të mirëorganizuar, kanë përfituar dhe katër të dënuarit e tjerë që nuk kanë qënë pjesë e organizimit të arratisjes si Gëzim Goro, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lulo.

Ndërkohë që i gjithë sistemi i kamerave gjatë kësaj kohe ka funksionuar për mrekulli, por dy gardianet operatore të sallës së mbikqyrjes të kamerave, Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Dvorani nuk kanë parë asnjë gjë se çfarë ndodhte në tunellin nëntokësor që lidh sektorin A me daljen kryesore të burgut të Drenovës. Gazeta “Shqiptara.com”, disponon të gjithë skemën e arratisjes, e cila është arritur të ndërtohet nga grupi hetimor që udhëhiqet nga prokurorët Alket Mersini dhe Adnand Xholi, të cilët kanë verifikuar pamjet filmike të 19 kamerave.

Goditja me mitroloz
Anëtarë të grupit hetimor të ngritur pranë prokurorisë së Korçës, i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se pika prej nga ka filluar plani është një sipërfaqe e mbjellë me mollë, që ndodhet rreth 100 metra larg burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Pikërisht nga kjo sipërfaqe me mollë, është qëlluar në ajër me mitroloz të lehtë nga të arrestuarit Olsi Maçi dhe Albi Maçini, të cili pas kësaj i ka dhënë sinjal Admir Tafilit, Fran Marashit dhe Gëzim Gurit për të vepruar, ku në ato momente këta dy të fundit ishin duke luajtur me letra. Breshërisë së mitralozit i janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe dy rojat e vendrojeve, të cilët kanë qëlluar në ajër.

Pas zbardhjes së ditës, prokuroria e Korçës ka kontrolluar mirë vendin, nga ku mendohej se ishte qëlluar dhe ka gjetur në sipërfaqen e mbjellë me mollë, rreth 8 gëzhoja mitrolozi të lehtë. Ndërkohë për këtë pjesë janë marrë në pyetje dhe dy rrojet e kullave, të cilët kanë pohuar se plumbat kanë goditur vendrojën, por pas verifikimeve nuk rezultoi të kishte vrima plumbi në murr. Sipas akuzës janë pikërisht këta persona që dhe kanë prerë me gërshërë telat e rrethimit të dytë të burgut, nga ku kanë dalë 7 të arratisurit.

Dyshimi për çelësat
Sapo janë dëgjuar të shtënat me armë nga jashtë, i pari që ka vepruar ka qënë i dënuari me burg përjetë. Sipas burimeve të akuzës, në sektorin “A”, dyert e qelive në këtë kohë kanë qënë të gjitha të hapurave dhe se pamjet filmike tregojnë disa të dënuar që lëvizin lirisht në korridore. Pikëorisht në këtë çast nga dhoma e tij del i armatosur me pistoletë në dorë Admir Tafili ndërsa nga dhoma ku po luhej letra del me armë në dorë Fran Marashi, i ndjekur nga Gezim Guri. Gardiani në korridor shtrihet përtokë dhe i dorëzon çelësin e portës së regjimit të brendshëm, i çuditshëm është fakti se si gardiani kishte çelësin, ku me rregullore nuk duhet të kishte ai çelësin e protës, por gardiani tjetër që ndodhet nga jashtë derës dhe jo nga brenda. I njejti skenar vazhdon në disa dyer, deri në portën e madhe, ku gardiani e hap derën sapo sheh kolegun me pistiolet në kokë që kërcënohej nga Tafili.

Zhveshja e policëve
Teksa kanë neutralizuar të gjithë gardianët Tafili, Marashi dhe Guri kanë hyrë në tunel, ku me vete kanë marrë dhe një gardian, të cilit ia mbante Tafili në kokë pistoletën. Ndërkohë që Marashi dhe Guri kanë qënë të armatosur me pistoletë dhe kallashnikov. Në tunel kanë qëndruar disa minuta, ku dhe kanë zhveshur disa policë të cilëve u kanë marrë xhupat me mbishkrimin “Policia”. I kanë veshur, për të mos krijuar asnjë dyshim gjatë largimit në zona të banuara.

Këputja e kamerës
Pikërisht në ambjentet e tunelit, i dënuari Gëzim Guri ka këputur njërën nga kamerat që ndodhej pranë tyre. Kjo kamer ka rregjistrua gjithçka deri në momentin e goditjes. Ndërkohë që dy gardianet femra Dvorani dhe Sejdarasi, nuk kanë parë asnjë në sallën e vrojtimit të kamerave, të cilat kanë rregjistruar gjithçka. Dy gardianet kanë konstatuar difektin në një kamer dhe kanë telefonuar mekanikun, ndërkohë që nuk kanë shtypur sistemin e alarmit, sipas rregullores.

 Shkrimi u publikua sot (26.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)