IKMT shemb godinën e restorantit në 'Prestige Resort', Rama: Është shkelur leja e ndërtimit! Askush s'do guxojë të bëjë të fortin mbi ligjin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e IKMT-së për prishjen e një objekti në 'Prestige Resort' në plazhin e Golemit. Kreu i qeverisë u shpreh se është shkelur ligji dhe masat janë ndërmarrë në raport me nivelin e shkeljes së ligjit.

“Zonjë është mirë që kur diskutojmë për çështje që lidhen me ligjin, të njihemi me ligjin, të njihemi me procedurat, t’i mësojmë mirë ato, për të mos bërë spekulime dhe pastaj për të mos ngritur akuza mbi bazë gjysmë të vërtetash. Lexoni ligjin, ligji është shumë i qartë. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuara në ligj. Ka konfiskim, ka shembje, ka masa pjesore, në varësi nga niveli i shkeljes e kështu me radhë. Edhe njëherë do ju lutesha shumë të lexoni ligjin me shumë vëmendje dhe të mos nxirrni konkluzione të bazuara në premisa të gabuara”, tha Rama.

Pyetjes se a po sillet qeveria me dy standarde kur bëhet fjalë për operacionin në 'Prestige Resort' shemben godina si ndërtim pa leje dhe disa të tjera të ndërtuara në mes të Tiranës, legalizohen ose deklarohen të konfiskuara, kryeministri u shpreh se më parë duhet parë me kujdes ligji pasi masat janë të përshkallëzuara. Sipas kryeministrit Rama askush nuk do të guxjë që të bëjë të fortin me ligjin.

'Unë s’jam polic as inspektor. Detyrat në këtë vend janë të  ndara, nuk ka asnjë shans që institucionet e këtij vendi cilado qofshin të godasin si pa leje ndërtimet që janë me leje. Kur e kam nisur këtë proces kanë nënqeshur. Unë e kam bërë të qartë që ky është një proces shumë serioz në respekt të pronës private apo publike.  Janë 15 vendime konfiskimi, s’janë as një as dy, janë për një numër të konsiderueshme të atyre që quhen oligarkë që thonë se kanë lidhje me qeverinë. Po s’janë oligarkë kur u konfiskohen pronat që kanë abuzuar për qëllim fitimi. Është një proces që vë kapak përfundimisht dhe s’ka për të guxuar më askush të bëjë të fortin me ligjin, apo që të përdori çdolloj statusi. Natyrisht çdokush ka të drejtën e tij të bëjë viktimën por këtu është ligji dhe s’ka gjë mbi të.'- tha Rama.

Këtë reagim të kryeministrit Rama, mediat e pronarit të Prestige Resort, Irfan Hysenbelliu, e kanë konsideruar si justifikim të Qeverisë. 

"Për cilin ligj flet kryeministri Edi Rama kur kërkon të justifikojë sulmin mbi Prestige Resort është e vështirë të thuhet. Por ato që ekzistojnë, janë konkrete, me vulë e firmë dhe janë dokumentet. Vetë kryeministri Edi Rama si kryetar i KKT-së ka firmosur për projektin dhe ndërtimin e Prestige Resort. Pra, jo vetëm një legalizim nga IKMT dhe drejtoresha e tij Dallëndyshe Bici, por edhe vetë firma e tij”, shkruajnë ato.

Mëngjesin e sotëm, me anë të një vendimi fadroma e IKMT-së dhe policia kanë shkuar për të shembur restorantin e godinës ‘Prestige Resort’. Më herët rreth 1 muaj më parë, po në këtë resort janë shembur edhe 2 pishina në Golem  duke ndezur kështu një debat mes mediave të pronarit të resortit, Irfan Hysenbelli dhe autoriteteve.

Mediat e Hysenbelli kanë shkruar se IKMT ka hyrë në mënyrë të paligjshme në objekt pasi dokumentit për ndërtimin e këtij resorti janë konform ligjeve dhe madje leja është firmosur pikërisht nga kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT.

Kujtojmë se shtatorin e kaluar IKMT-ja ka shembur 2 pishina të resortit “Prestige” tek Mali i Robit në Durrës, të cilat kishin  bllokuar 4.000 metra katrorë të plazhit. Edhe kjo ngjarje shkaktoi debat. Disa përfaqësues të grupit editorial thanë se pishinat nuk janë abuzive në vijim të polemikave pas aksionit të IKMT për prishje 2 pishinave. News 24, media e pronarit të hotelit Irfan Hysenbelliu, hodhi një akuzë tjetër në drejtim të Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, duke publikuar një letër ku nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave i kërkohet shoqërisë ‘Focus Media News’, të lirojë godinën në të cilën ky televizion qëndron prej 20 vitesh.

Për këtë reagoi edhe Ministria e Financave e cila tha se kontrata me kompaninë ka përfunduar prej muajit korrik dhe se gazetar Panorama, pjesë e kompanisë nuk ka paguar qiranë prej 6 vitesh.

M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar