Një objekt dy katësh me strukturë betoni po prishet sot në Tiranë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në kuadër të zhvillimeve infrastrukturore në kryeqytet.
Lajmi u konfirmua nga kreu i IKMT-së, Afrim Qendro, i cili bëri të ditur se ndërhyrja lidhet drejtpërdrejt me projekte të rëndësishëm rrugore.
Sipas tij, aksioni është në mbështetje të projektit të Autoriteti Rrugor Shqiptar për rishikimin e segmentit të Unazës së Madhe të Tiranës, konkretisht në linjën Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë.
Qendro sqaron se ndërhyrja është kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se pronarët e objektit janë trajtuar me procedurat e shpronësimit për interes publik.
Ky aksion vjen në vijim të punimeve për zgjerimin dhe përmirësimin e një prej akseve më të rëndësishme rrugore në Tiranë, që synon lehtësimin e trafikut dhe lidhjen më të mirë të zonave kryesore të kryeqytetit.
Komente











