Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri…
 

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri…<br /> 
Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri…
 
Frederik Rreshpja
Ave, nëna ime!
Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.
Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s’ka asnjë kuptim që bie shi
Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin
Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!
 
 
Kronikë
Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.
Nga fshati kundruall dolën pleqtë,
Rendën pas shpirtrave që silleshin në ajër
drejt Kashtës së Kumtrit
Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA
mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.
Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,
të lira dhe korrekte. Ashtu edhe TV-të
Pastaj lanë gjakun
Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja
Ah! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar.
 
 
Poeti në shkretëtirë
Absurditetet pa asnjë mesazh për TV-të e botës.
Rallë ndonjë re, arratisur nga kopeja e reve
Ikën e hutuar nga peisazhi arabik.
Ai rri aty me kokën në duart e shkretirës.
U bënë me dorë avionëve.
Pret një dallendyshe që s’ka për të ardhur kurrë.
 
Druri i portës
Lulëzoi druri i portës së vjetër.
Ah, druri i vdekur çeli lule!
Ti këputi dhe me to bëj kurorë,
për mua që të prita deri në vdekje.
Pash ngjyrën e gjakut dhe… lot,
që çelën në të tëra gjërat prej druri.
E kuptova që thika e pritjes më preu në brinje,
kur çela gjethe si palmat.
Të prita, të prita…
Derisa çelën kameliet e mortjes te porta.
Ti mblidhi dhe më bëj një kurorë,
mua, që deri në vdekje të prita.
 
Këngë lahute
Më zuri gjumi i balladave
Dalin etërit pleq në prag të rapsodive
Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet.
O ti zogu i zi i amanetit,
Për ku vrapon të bësh shi, o zog?
Dy-tre shira ranë e u bë dimër,
Dy-tre net u deshëm dhe u harruam.
Do të ngrihem e do të marr dynjanë
Por gjumi i balladave nuk më le.
Dy-tre shira ranë e u bë dimër,
Dy-tre net u deshëm dhe u grindëm.
 
Kthim në vendlindje
Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje
nga vëllezërit tradhëtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Nën pemën e madhe të mesditës
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur
Nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë
Por ti tani nuk je më…
Tani
ti je në fillim të stinëve
Ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
Që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.
Shfaqen
në muzg trëndafilat e thurur me diell
Ah tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë
sa të bukur dhe të rinj ishin o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë
Në ajër
shfaqen patriarkët e poezisë shqipe
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni
Etërit e mij sillen në ajër se varret ua kanë thyer.
Tani edhe mermeri i zërit tim është i thyer
Tani që erdhi mbrëmja
statuja e nates troket në dritaren e vjetër xhamthyer.
 
Lirikë intime
Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.
Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur,
Mbjellë shumë vite më parë?
Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.
Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.
 
Shkrimi u publikua sot (09.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë