U nis për në Greqi para katër ditësh bashkë me 3 shokë të tij, por edhe gjetur nga policia greke i mbytur në Igumenicë. Ka qenë ky fati i Besmir Çullait nga Fieri, ndërsa nuk dihet ende asgjë për tre shokët e tij. Halla e të riut, Monda Çuko bën apel për ndihmë, dhe për të rikthyer në Atdhe trupin e nipit të saj, pasi familja nuk ka mundësi ekonomike.
 
“Djali iku nga mali në Greqi për bukën e gojës. U detyrua të ikte nga mali, pasi kishte problem me pasaportën. Trupi ndodhet prej disa ditësh në morgun e Janinës dhe ne nuk kemi lekë të marrim trupin. Shteti të na ndihmojë të tërheqim trupin e djalit tonë”, thotë halla e të riut.
 
Një ditë më parë, familjarët e 22-vjeçarit Eri Pelivani denoncuan mungesën e kontaktit me familjarin e tyre prej 4 ditësh.
 
Vëllai i 22-vjeçarit, Igli Pelivani i ka kërkuar shtetit t’i ndihmojë në gjetjen e familjarit të tyre dhe 2 të rinjve nga Durrësi, të cilët ishin nisur nga mali për të ikur në Greqi.