PRISHTINË- Agjencia kosovare për produkte mjekësore që prej muajit janar deri tani ka ndëshkuar 70 farmaci për tregtim të ilaçeve të paregjistruara, që vijnë nga Serbia.
Zëdhënësja për informim në AKPM, Pranvera Beznica, thotë për KosovaPress se "prej janarit të vitit 2014 e deri tani , Inspektorati farmaceutik i AKPM-së, ka ndëshkuar 70 subjekte farmaceutike, të cilat veprojnë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ku në 60 prej tyre është kryer aksioni i konfiskimit për shkak se në subjekte të ndryshme është gjetur parregullsi, përveç të tjerash janë gjetur edhe shumë ilaçe të paregjistruara dhe me etiketa të Serbisë".
Sipas saj, po bëhet një përpjekje e madhe që kjo dukuri të zbehet.
Zyrtari për informim në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci, thekson për KosovaPress se "mallrat, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës duhet të kontrollohen, qoftë nga dogana ose edhe agjencitë përkatëse".
"Deri tani mund të themi që të gjitha konfiskimet e ilaçeve e kalojnë vlerën e rreth 300 mijë euro, si vlerë faktikisht....Të gjitha ilaçet që janë konfiskuar janë kryesisht barna të prodhuesve të huaj, që vijnë nga Serbia për shkak të problemeve politike, që Kosova i ka me Serbinë dhe për shkak se prodhuesit e barnave atje hezitojnë për tu regjistruar dhe për të kryer procedurat ligjore në Kosovë. Për këtë arsye tentojnë që këto ilaçe t'i kontrabandojnë", nënvizon Stavileci.
Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësië, thotë për KosovaPress, se vitin e kaluar janë vërejtur barna të prodhuesve të ndryshëm të paregjistruar, ndërsa këtë vit një gjë e tillë nuk ekziston.
Sipas tij, me nxjerrjen e edicionit të tretë të regjistrit zyrtar të ilaçeve, me rritjen e numrit të inspektorëve farmaceutikë dhe bashkëpunimin mes institucioneve në këtë çështje, numri i kontrabandistëve është zvogëluar dukshëm.
Aktualisht në Kosovë ka 530 farmaci të licencuara. Shitja e ilaçeve të paregjistruara përben vepër penale dhe si e tillë ndëshkohet. Shkelësit e ligjit në raste të tilla, AKPM i ndëshkon deri në 1000 euro, derisa për shkelje më të mëdha çështja shkon në gjykatë./ATSH/












