Konsumimi i ilaçeve e sidomos kortizonikëve pa kriter gjatë pandemisë COVID-19, ka rritur ndjeshëm numrin e diabetikëve në vendin tonë. Mbi 4 mijë raste të reja janë shtuar përgjatë këtij viti, sipas mjekut endokrinolog Florian Toti.

“Në vitin e kaluar shifra e personave me diabet e kishte kaluar 86 mijë persona me diabet. Shifra e fundit është mbi 90 mijë persona  me diabet. Është e vërtetë që shtohen personat në trajtim, por marrin shumë pak trajtim. Gjatë pandemisë u zbuluan raste edhe nga mjekimi me doza të larta apo mos ndjekja siç duhet e vlerave të glicemisë si pasoje e trajtimit me kortizonik. Vete COVID ka shtuar rastet me diabet, e sidomos me diabet tim 1 sidomos”, tha Toti.

Një tjetër kategori që po preket nga diabeti janë moshat e vogla dhe shkak më së shumti mbetet jeta sedentare.

“Deri ne moshën 18 vjeç janë rreth 600 fëmijë në Shqipëri me diabet. 50-60 raste të reja që zbulohen. Krahasuar me 40-45 raste që zbuloheshin më parë. Kemi një shtim të rasteve”, tha Toti.

Aktivitetit në ditën botërore të Diabetit, iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që u bëri një thirrje prindërve.

“Regjistroni fëmijët në aktivitete sportive, në sporti. Bëni ato 5 mijë apo 10 mijë hapat”, tha Veliaj.

Më të rrezikuarit për këtë sëmundje janë obezët, moshat e treta, por edhe elementi gjenetik. Nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë, sjell edhe probleme në organe të tjera si në zemër, humbje të shikimi, dëmtim të nervave apo dhe të veshkave.