Të dielën e kaluar komunikova me ju lidhur me një qëndrim kontradiktor të dy trupave të ndryshme të GJKKO-së për kërkesën time që procesin penal ndaj meje ta ndjek në sallë, pranë avokatit tim, dhe jo në kafazin e qelqtë.
Por të premten, më 5 qershor 2026, e njëjta kërkesë, e paraqitur para një trupe të GJKKO-së së Apelit, mori një përgjigje refuzuese, madje të ndryshme edhe nga dy vendimmarrjet e mëparshme.
Kështu, më 5 qershor, dilema se si do t’i ndjek proceset penale ndaj meje u bë trilemë.
Për mua, si i njëjti person, për të njëjtën kërkesë, janë marrë tre vendime të ndryshme:
* një trupë gjykuese, e përbërë nga tre gjyqtarë, ka urdhëruar togën e shoqërimit të më sjellë në sallë;
* një trupë tjetër gjykuese, me një gjyqtar, i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të vlerësojë rrezikshmërinë në rastin konkret;
* një trupë e tretë, me një gjyqtar në apel, e ka rrëzuar kërkesën.
Tre vendime të ndryshme nga tre trupa të ndryshme gjykuese nuk janë, në vetvete, diçka befasuese. Secila trupë gjykuese është e pavarur në vendimmarrjen e saj. Kjo është një arritje e drejtësisë së pavarur.
Vetëm se, në këtë rast, nuk kemi thjesht drejtësi të pavarur. Kemi drejtësi të çoroditur.
Ndërkohë, më 4 qershor 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u është drejtuar me shkresë, lidhur me kërkesën time për të qëndruar në sallë, si edhe për kërkesa të ngjashme të zotërinjve Ilir Meta dhe Erion Veliaj:
* zotit Erjon Bani, kryetar i GJKKO-së;
* zotit Ilir Rusi, kryetar i KLGJ-së;
* zotit Toni Gogu, ministër i Drejtësisë.
Përmbajtja e kësaj letre është bashkëngjitur.
Përballë trilemës së krijuar nga drejtësia e pavarur, në seancën më të parë të ardhshme, mbetet vetëm që avokati im t’i kërkoj gjykatës që gjatë seancës edhe ai të qëndrojë me mua brenda kafazit të qelqtë.
Komente







