Në 10-vjetorin jubilar te miratimit të Reformës në Drejtësi nuk më takon të bëj një bilanc politik dhe as nuk ka sesi te përfshihem në një debat teorik. Dua të ndaj disa episode procedurale nga përvoja ime personale.
Prej më shumë se 25 muajsh ndodhem në paraburgim, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar rreth 35 muaj më parë.
1. Seanca paraprake: filtri i ligjshmërisë apo zgjatje e hetimit?
Një nga risitë më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi ishte krijimi i institutit të seancës paraprake. Qëllimi i saj është të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve hetimore, respektimin e të drejtave procedurale dhe mjaftueshmërinë e provave përpara se çështja të kalojë për gjykimin në themel.
KPrP e koncepton këtë fazë si një kontroll paraprak, të përqendruar dhe me afate të kufizuara, jo si një zgjatje të hetimit paraprak.
Në rastin tim, seanca paraprake vazhdon prej 16 muajsh dhe janë zhvilluar rreth 40 seanca. Gjatë kësaj faze, vetë Gjyqtari i Seancës Paraprake urdhëroi organin e akuzës të kryejë hetime shtesë për një periudhë të re tre mujore.
Veçanërisht domethënës është fakti se këto hetime shtesë përfshijnë veprime hetimore që mbrojtja i kishte kërkuar prej kohësh dhe që, në disa raste, ishin urdhëruar edhe nga gjykatat gjatë fazës së hetimeve paraprake, por nuk ishin zbatuar nga organi i akuzës.
Kjo situatë ngre disa pyetje që lidhen jo vetëm me këtë procedim penal, por edhe me funksionimin e mekanizmave të krijuar nga Reforma në Drejtësi.
1.1 Nëse urdhërimet e gjykatës gjatë fazës së hetimeve nuk zbatohen nga organi i akuzës dhe zbatimi i tyre bëhet i domosdoshëm vetëm pas 16 muajsh seancë paraprake, a po funksionon seanca paraprake sipas qëllimit për të cilin u krijua, apo po shndërrohet në një mekanizëm për korrigjimin e mangësive të hetimit?!
1.2 Përpara Reformës në Drejtësi, ligjshmëria dhe ecuria e veprimeve hetimore të prokurorit i nënshtroheshin edhe kontrollit hierarkik të drejtuesit të prokurorisë. Pas reformës, ky kontroll u kufizua në emër të forcimit të pavarësisë së prokurorit.
Nëse në praktikë urdhërimet gjyqësore mbeten të pazbatuara dhe mangësitë e hetimit evidentohen vetëm pas një procesi 16-mujor në seancë paraprake, a kanë rezultuar të mjaftueshëm mekanizmat e rinj të llogaridhënies që parashikoi Reforma në Drejtësi, apo është krijuar një hendek ndërmjet pavarësisë së prokurorit dhe përgjegjësisë së tij për cilësinë dhe ligjshmërinë e hetimit?!
2. E drejta për të qenë në sallën e gjyqit
Në të 40 seancat e Seancës Paraprake kam qëndruar në kafazin e sigurisë dhe jo pranë mbrojtësit tim.
Kjo ka ndodhur pa një vendim individual të gjykatës që të arsyetojë një kufizim të tillë, megjithëse Kushtetuta (neni 33) dhe KPrP (neni 344, pika 1) parashikojnë se i pandehuri merr pjesë në gjykim si person i lire. Kur kërkova të ulesha në sallë pranë avokatit tim, GJKKO e Apelit arsyetoi se në atë gjykatë të gjithë të paraburgosurit qëndrojnë në ambientin e ndarë me xham.
2.1 Një praktikë administrative, apo një rregullore e brendshme gjykate nuk mund të zëvendësojë një vendim individual të gjykatës dhe as të kufizojë të drejta të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji procedural. A ishte ky standardi procedural që synonte Reforma në Drejtësi?!
3. Prezumimi i pafajësisë
Vazhdoj të mbahem në paraburgim sepse gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të kryej një krim të rëndë. Edhe nëse jam më arrest shtëpie!
Ky arsyetim mbështetet në faktin se në një procedim tjetër penal jam dërguar për gjykim për një akuzë me dënim maksimal te larte. Për atë procedim nuk ekziston ende as vendim i shkallës së parë, aq më pak një vendim i formës së prerë. Në atë procedim jam nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në të drejtën penale, prezumimi i pafajësisë nuk është një slogan. Është një garanci kushtetuese që vepron pikërisht derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë.
3.1 Nëse një akuzë e pakonfirmuar përdoret si bazë për të justifikuar kufizimin e lirisë në një procedim tjetër, si harmonizohet kjo me parimin e prezumimit të pafajësisë?! Edhe ky arsyetim, risi e Reformës në Drejtësi është.
4. Kur grupi mbetet me një anëtar
Në procedimin tjetër penal jam akuzuar edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Te akuzohesh për “grup te strukturuar kriminal” do te thote qe te akuzohesh te pakten vetë i trete.
Me vendimin nr.21 të GJKKO, më datë 3 mars 2026, për dy të akuzuarit e tjerë, akuza për Grup të Strukturuar Kriminal është pushuar. Domethënë kam mbetur i vetmi anëtar i Grupit.
Si pasojë, vazhdojnë të prodhojnë pasoja procedurale ndaj meje arsyetime të ndërtuara mbi një akuzë që gjykata e themelit nuk e ka pranuar për personat e tjerë që pretendohej se formonin grupin.
4.1 Si është e mundur që, në praktikë, arsyetimi i një vendimi të seancës paraprake të vazhdojë të ketë pasoja më të forta procedurale sesa një vendim i mëvonshëm i gjykimit në themel?!
5. Çfarë është një “krim i rëndë”?
Çfarë kuptohet me termin “krim i rëndë” në Shqipëri?
Ja si arsyeton një vendim i GJKKO të Apelit: “Për konceptin e "krimit të rëndë", në mungesë të një përkufizimi në K.Pr.Penale, i referohemi Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (pjesë e legjislacionit të brendshëm, ratifikuar me ligjin nr.8920, datë 11.07.2002)…”. Vërtet në Shqipëri nuk ka një përkufizim teorik të “krimit të rëndë”. Por prej 23 vitesh ka një klasifikim funksional te përcaktuar në ligjin nr.9110 “Për organizimin dhe fumksionimin e gjykatave për krime te renda”. Neni 5 i këti ligji parashikon se kompetenca lëndore e kësaj gjykate është neni 75/a i KPrP. Kështu prej vitit 2003, krime të rënda në Shqipëri janë 40 veprat penale të nenit 75/a sipas përmbajtjes së nenit në fuqi në vitin 2003. Me shndërrimin e Gjykatës për Krimin e Organizuar ne GJKKO, gërma “a” e nenit 75/a citon 18 vepra penale si kompetencë lëndore, pra “krime të rënda”.
5.1 A ishte e nevojshme që GJKKO e Apelit t’i referohej Konventës së OKB-së, kur legjislacioni shqiptar prej vitit 2003 ka ndërtuar një klasifikim funksional të krimeve të rënda përmes nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale?” Këtë “harrese” profesionale GJKKO e Apelit, në vitin e shtatë të funksionimit, prej Reformës në Drejtësi e ka?!
5.2 Konventa e sipërcituar, në nenin 1 të saj shprehet “për nevoja të kësaj konvente …. “. Nëse përkufizimi i Konventës është shprehimisht i kufizuar “për nevojat e kësaj Konvente”, a është në përputhje me parimin e ligjshmërisë përdorimi i tij për të zgjeruar interpretimin e një koncepti penal në të drejtën e brendshme shqiptare veçanërisht kur kjo mund të ketë pasoja në dëm të të akuzuarit? Vallë Reforma në Drejtësi i dha kompetencë gjykatës të bëjë interpretim të zgjeruar në dëm të të akuzuarit?!
6. Kush është funksionar i lartë?
Gjatë hetimeve kam qëndruar në paraburgim për 8 muaj e 27 ditë. Statusi im procedural është ndërtuar mbi pretendimin se kam qenë funksionar i lartë.
Ndërkohë, dy gjykata kanë arsyetuar se Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk përfshihet në listën shteruese të subjekteve të posaçme të përcaktuara në nenin 135, pika 2 të Kushtetutës dhe në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
Megjithatë, në prapësimet e fundit organi i akuzës ka argumentuar se statusi i funksionarit të lartë deduktohet nga ligjet e administratës dhe, për SASPAC-in, nga një vendim i Këshillit të Ministrave.
Kushtetuta, KPrP dhe vendimet gjyqësore flasin për një listë shteruese. Një vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund ta zgjerojë atë listë.
6.1 Si mund të pajtohet një interpretim i tillë me parimin e ligjshmërisë? Reforma e Drejtësisë e lejon organin e akuzës të shpërfillë Kushtetutën, KPrP, Gjykatat ?!
⸻
Çdo reformë mund të jetë e konceptuar mirë në letër. Por vlera e saj matet nga mënyra se si zbatohet në praktikë.
Për këtë arsye, një reformë nuk duhet vetëm të përcaktojë norma të reja, institucione të reja dhe procedura të reja. Ajo duhet të ndërtojë edhe mekanizma të transparencës, përgjegjshmërisë, llogaridhënies, monitorimit dhe korrigjimit.
Në gjuhën e menaxhimit modern, çdo reformë duhet të ketë objektiva të matshëm, tregues performance (KPI), standarde referimi (benchmarks) dhe afate të qarta për përmbushjen e tyre.
Nga raportimet vjetore të ditëve të fundit të institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kuvend nuk rezultoi një vlerësim i tillë.
Çdo institucion raportoi treguesit që zgjodhi vetë dhe i krahasoi me vitin paraardhës.
Por pas dhjetë vitesh, pyetja nuk është nëse sistemi është pak më mirë se një vit më parë.
Pyetja është sa pranë objektivave që vetë Reforma në Drejtësi kishte premtuar ndodhet sot sistemi ynë i drejtësisë.
Pa objektiva të matshëm dhe pa standarde të qarta vlerësimi, çdo institucion mund të shpallë sukses sipas treguesve që zgjedh vetë.
Dhe kështu, në perceptimin publik, i vetmi tregues që duket se ka mbetur për të matur suksesin e Reformës në Drejtësi është numri i funksionarëve të lartë dhe ish-funksionarëve të lartë të paraburgosur./TemA
Komente




