Në një dhomë në Gjykatën e Posaçme të mbuluar me dosje, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sillet çdo ditë nga paraburgimi i Durrësit për të studiuar materialet hetimore të SPAK kundër tij. Por kjo mënyrë, sipas ish-ministrit nuk është një akses reale për tu njohur me aktet, të vlefshme për procesin gjyqësor të nisur ndaj tij për dosjen e “Sperilizimit”.
Këtë qëndrim të ish-ministrit e bëri publik, në një postim të gjatë në rrjetet sociale avokati i tij, Ermal Yzeiri. Sipas Beqajt, mënyra e duhur për një proces të drejtë, është që të paraburgosurve t’i krijohen kushtet për ta lexuar dosjen në mënyrë elektronike në ambientet e survejuara të burgut.
Sipas tij, Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nuk u lejojnë të paraburgosurve përdorimin e kompjuterëve pa internet, edhe pse ligji dhe rregullorja në fuqi sipas tij - nuk e ndalojnë shprehimisht një gjë të tillë.
“Ligji fajësohet për një ndalim që nuk e parashikon. Institucionet shmangin përgjegjësinë dhe një e drejtë themelore gërryhet çdo ditë, pa zhurmë. Po si munden avokatët të përgatisin një mbrojtje efektive kur vetë i akuzuari nuk arrin të lexojë asnjë nga aktet e dosjes së tij gjyqësore?”, shkruan Beqaj.
Beqaj i bën thirrje Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe institucioneve të drejtësisë të reagojnë, duke theksuar se pa akses në dosje, mbrojtja rrezikon të mbetet vetëm formale.
Ish-ministri i Shëndetësisë thekson në reagimin e tij se proceset penale po zhvillohen mbi mijëra faqe materiale elektronike që SPAK ia dorëzon avokatëve, por që vetë të pandehurit në paraburgim nuk kanë mundësi t’i lexojnë, përsakohë nuk i lejojnë as një laptop.
Një problematikë e ngjashme është ngritur më herët edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-presidenti Ilir Meta, të cilët kanë pretenduar se nuk janë njohur me materialet hetimore me akuzat se mungesa e aksesit në dosje cenon të drejtën për t’u mbrojtur në gjykatë.
Reagimi i plotë i i Ilir Beqajt
Duke ju uruar gjithë shqiptarëve Gëzuar Vitin e Ri 2026, po e nis këtë vit të ri duke rihapur publikisht një problem tashmë “të vjetër”, të mbartur nga viti ne vit që megjithëse është bazik dhe themelor për një proces të rregullt ligjor, vazhdon të mos zgjidhet nga ata që kanë për detyrë ta zgjidhin. Reagoj tani, pa pritur nisjen formale të proceseve të reja gjyqësore, sepse këto procese po nisin mbi të njëjtat shkelje të toleruara prej kohësh. Të heshtësh qe në fillim do të thotë ta pranosh standardin e cenuar si normalitet.
Prej 6 vitesh në Gjykatën e Posaçme po zhvillohen dhjetra procese penale. Dosjet janë me mijëra faqe dhe Prokuroria e Posaçme ua dorëzon ato avokatëve në formë elektronike, në format PDF, ndërsa Gjykatës ia dërgon edhe të printuara. Ndërkohë, i pandehuri i paraburgosur mbetet praktikisht i përjashtuar nga leximi i dosjes së tij, pasi IEVP nuk i mundëson atij një kompjuter pa akses në internet, qoftë edhe në një ambient të posaçëm të institucionit dhe për një kohë të kufizuar, nën monitorimin e personelit penitenciar.
Po si munden avokatët të përgatisin për të pandehurit një mbrojtje efektive kur vetë i akuzuari nuk arrin të lexojë asnjë nga aktet e dosjes së tij gjyqësore?! Nëse i akuzuari nuk e di se çfarë përmbajnë mijëra faqe akuza, prova, përgjime e deklarime, si mundet ai të marrë një vendim të informuar për kërkimin e një gjykimi të shkurtuar apo të zakonshëm?! A mund të quhet proces i rregullt ligjor një proces ku i akuzuari nuk ka lexuar dosjen e vet?
Dikush mund të thotë që ekziston gjithmonë zgjidhja e printimit të dosjes gjyqësore dhe leximit të saj nga i akuzuari në paraburgim. Por kjo “zgjidhje” është në vetvete absurde. Nëse vërtet të akuzuarit do t’i dërgoheshin në mjediset e banimit me mijëra faqe të printuara, atëherë aty nuk do të kishte vend as për krevat, e jo më për një tavolinë studimi apo hapësirë minimale ku të mbahen 80, 200 apo 620 fashikuj gjyqësor me nga 35 mijë, 80 mijë apo 250 mijë faqe. Pra, edhe teorikisht, studimi në letër është i pamundur.
Atëherë, zgjidhja logjike dhe e vetmja funksionale është leximi elektronik i akteve të dosjes gjyqësore. Po përse kjo zgjidhje nuk i mundësohet të akuzuarit në kushtet e paraburgimit?!
Disa mendojnë se arsyeja pse të akuzuarit të paraburgosur nuk i lejohet përdorimi i një pajisjeje kompjuterike pa internet për të lexuar aktet e dosjes së tij është se këtë e ndalon kuadri përkatës rregullator. Në fakt, kjo është e pavërtetë.
Ky keqkuptim vjen edhe nga fakti që vetë drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, në raportimin e tij vjetor, të bërë më datë 14.10.2025 para Komisionit të Ligjeve të Kuvendit, ka deklaruar: “Lidhur me mundësinë e mjeteve teknike, elektronike në paraburgim, nuk është pjesë e përgjegjësisë sonë, është pjesë e përgjegjësisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë, por kryesorja është që duhet të ndryshohet ligji për trajtimin e të paraburgosurve, ligji për ekzekutimin e vendimeve penale, dhe të parashikohet. Për mua, një orë e më parë, ky është mendim modest, duhet t’u jepet kjo mundësi, sepse sot të gjithë e dimë, falë teknologjisë, edhe në internet mund t’ua kufizosh se çfarë mund të shihnin, jo më një kompjuter pa internet, që fare mirë mund ta kontrollosh, por duhet ndryshim ligjor.”.
Ndërkohë, nëse pyet vetë IEVP kupton që vetë ky institucion e keqinterpreton kuadrin e tij rregullator dhe flet për ndalime që në fakt nuk ndalohen. Së fundmi, IEVP, në përgjigje të kërkesës së avokatit për mundësimin e një pajisje kompjuterike pa akses në internet për të më mundësuar leximin e akteve elektronike të dosjes gjyqësore dhe dëgjimin e audioregjistrimit të seancave gjyqësore, është shprehur që: “Kuadri ligjor në fuqi, ligji nr. 71/2020 ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve’ dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, parashikon kufizime të qarta mbi hyrjen dhe përdorimin e pajisjeve elektronike nga personat e paraburgosur. Pajisje të tilla, përfshirë laptopë apo kompjuterë edhe pa akses interneti, nuk lejohen për përdorim personal, për arsye sigurie, kontrolli dhe ruajtjeje të rendit të brendshëm.”. Përgjigjja mbyllet me shprehjen: “Aktualisht, IEVP nuk disponon infrastrukturë të posaçme apo pajisje të certifikuara për ofrimin e dëgjimit të materialeve audio në mënyrë individuale.”.
Në fakt, kuadri përkatës rregullator nuk vendos asnjë kufizim për përdorimin e një kompjuteri pa akses në internet (pa kartë rrjeti) nga i paraburgosuri.
Ligji nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” në asnjë prej 93 neneve të tij nuk vendos asnjë kufizim për përdorimin e “pajisjeve elektronike” nga i paraburgosuri.
Ndërkohë, Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, e miratuar me VKM nr. 209, datë 6.4.2022, në nenin 26, me titull “Sendet e ndaluara”, përcakton:
“1. Në mjediset e brendshme të institucionit nuk lejohet të mbahen dhe të qarkullohen nga të burgosurit:
a) objektet, mbajtja e të cilave përbën vepër penale;
b) sendet që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e të burgosurve dhe të personelit, si dhe sigurinë e institucionit;
c) pajisje transmetimi dhe komunikimi, përfshirë aparatet celulare, pjesë të tyre dhe çdo lloj aksesori;
ç) aparate filmimi dhe fotografike;
d) vlera monetare të çdo lloji;
dh) pajisje të njëjta me ato që ofrohen nga institucioni, të cilat janë pjesë e mjedisit të banimit apo e mjediseve të përbashkëta;
e) sende me karakter diskriminues apo uniforma ushtarake;
ë) bizhuteri, përveç atyre të lejuara sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e brendshme të institucionit;
f) pije alkoolike;
g) më shumë se një televizor në mjediset e banimit, sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e brendshme të institucionit.”.
E gjithë rregullorja ka vetëm këtë listë të mbyllur sendesh të ndaluara, sipas përcaktimeve të pikës 1 të nenit 26 të saj dhe nuk ka asnjë nen tjetër që lidhet me këtë çështje.
Pra, qartazi, as ligji dhe as rregullorja nuk e ndalojnë përdorimin e një kompjuteri pa internet. Çdo pretendim i kundërt është keqlexim, keqinterpretim ose shmangie përgjegjësie.
Ndërkohë, dikush mund të thotë që vërtet Rregullorja nuk flet tekstualisht për “kompjuterët” por kompjuterët e sotëm janë edhe “pajisje transmetimi dhe komunikimi” dhe për këto të fundit flitet në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.
E vërtetë. Kopjuterët e sotëm mund të jenë pajisje transmetimi dhe komunikimi por edhe s’mund të jenë. Ka plot pajisje kompjuterike që nuk kanë kartë rrjeti dhe me të cilat vetëm mund të lexosh dokumentet elektronike të dosjes gjyqësore, por nuk mund të transmetosh asnjë mesazh apo të komunikosh me apo pa akses në internet. Por këto pajisje nuk ofrohen as që të sillen në IEVP nga vetë të akuzuarit, as që të blehen prej tyre në njësinë tregtare të DPGJ, dhe as që IEVP t’i mbajë ato në një ambient të caktuar dhe të monitoruar as që të akuzuarit e paraburgosur t’i përdorin ato në orare të caktuara.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për televizorët. Edhe ata në ditët e sotme mund të konsiderohen si pajisje që transmetojnë dhe me të cilët mund të komunikosh për shkak se janë smart. Por ama të paraburgosurve i mundësohet që në njësinë tregtare të DPGJ të blejnë online një televizor që nuk është smart dhe ta disponojnë atë në dhomën e tyre. Po përse është kaq e pamumdur që e njëjta gjë të bëhet edhe për kompjuterët pa internet?
Nëse një i akuzuar në paraburgim do të tentonte që të gjente zgjidhje për këtë problem përmes prokurorëve apo gjyqtarëve të çështjes, do të përballej me një shumëllojshmëri përgjigjesh të ndryshme që në thelb nuk kanë lidhje me ndonjë ndalim ligjor dhe gjithashtu shpërfillin dhe nuk tentojnë t’i japin zgjidhje (ndoshta dhe me vullnet) një të drejte bazike të të akuzuarit të paraburgosur në një proces gjyqësor.
Në një nga seancat gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, i pyetur nga Gjykata, Prokuroi i çështjes ka deklaruar që: “pajisje si USB, hard drive etj. nuk lejohen”. Ndërkohë në një seancë tjetër gjyqësore, po në Gjykatën e Posaçme, një tjetër prokuror në lidhje me një tjetër çështje timen, po i pyetur nga Gjykata, ka deklaruar që: “nuk ka kundërshtim, por se është çështje e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.”. Ndërkohë, në një seancë tjetër gjyqësore, po në Gjykatën e Posaçme, vetë Gjykata është shprehur që ajo nuk ka autoritet të urdhërojë një institucion tjetër, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për mundësimin ndaj të pandehurit të një pajisje të tillë kompjuterike pa akses në internet. Sa më sipër janë eksperienca personale të miat.
Pra edhe kur flasin, flasin jo në përputhje me ligjin, dhe askush nuk mban përgjegjësi për një proces gjyqësor që nuk respekton një të drejtë themelore të të akuzuarit në paraburgim dhe ç’është më e keqja, të gjithë këta edhe duan që të vazhdojë e të ecë përpara një proces i tillë dhe çdo pretendim i të akuzuarit të paraburgosur për të lexuar këto dokumente elektronike konsiderohet si perpjekje e tij për të vonuar procesin dhe pretendim i paqenë.
Po përse gjithë kjo shpërfillje ndaj kërkesës legjitime dhe bazike të të akuzuarve të paraburgosur? A mos vallë synohet që i akuzuari të lodhet, të demoralizohet, të pranojë gjykimin e shkurtuar pa e njohur dosjen e tij? A synohet të ulet cilësia e mbrojtjes duke e kthyer atë në një formalitet? Ndoshta. Sepse një shpjegim tjetër ligjor dhe logjik nuk ekziston.
Ligji fajësohet për një ndalim që nuk e parashikon.
Institucionet shmangin përgjegjësinë.
Gjykata fshihet pas gishtit.
Dhe kështu, një e drejtë themelore gërryhet çdo ditë, pa zhurmë.
Atëherë kujt mund t’i drejtohet një i akuzuar i paraburgosur për një të drejtë të tij themelore që shpërfillet çdo ditë pa zhurmë?
Eshte koha për t’i dhënë fund proceseve që nuk garantojnë aksesin real të të akuzuarit në dosjen e tij.
Shpresoj të reagojë Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Nëse edhe ajo hesht, atëherë problemi nuk është më vetëm mungesa e aksesit të të akuzuarit të paraburgosur në dosjen e tij gjyqësore, por edhe mungesa e vetë mbrojtjes.
Komente










