E kishte kërkuar për grua vite më parë, por refuzimi i vajzës u kthye në një konflikt të gjatë mes dy familjeve shqiptare në Trento të Italisë, që tani ka përfunduar në gjykatë me dënimin e një biznesmeni 40-vjeçar nga Shqipëria.

Sipas mediave italiane, historia nisi rreth 15 vite më parë, kur 40 vjeçari u fiksua pas vajzës, e cila në atë kohë ishte ende shumë e re. Ajo nuk pranoi të kishte lidhje me të, ndërsa babai dhe vëllai i saj i kërkuan atij të largohej dhe ta linte të qetë.

Që prej asaj kohe marrëdhëniet mes dy familjeve u përkeqësuan vazhdimisht. Sipas dëshmive në gjykatë, sa herë që përballeshin në rrugë nuk mungonin ofendimet dhe provokimet mes tyre.

Por sipas akuzës, konflikti mori tjetër drejtim në gusht të vitit 2024. Prokuroria pretendon se biznesmeni shkoi gjatë natës poshtë shtëpisë së babait dhe vëllait të vajzës dhe goditi me shkelma dhe sende të forta makinat e tyre, duke i dëmtuar ato.

Pas denoncimit te karabinierët, familja e identifikoi menjëherë 40 vjeçarin si autorin e ngjarjes. Hetimet më pas u zgjeruan edhe për kërcënime dhe presione ndaj familjarëve të vajzës për të tërhequr kallëzimin.

Sipas dosjes hetimore, një kushëri i 40-vjeçarit u kishte telefonuar familjarëve duke u thënë se “nëse nuk tërhiqnin denoncimin, do të përfundonte keq”. Madje, sipas mediave italiane, ai kishte shkuar edhe në banesën e familjes në Shqipëri për t’u bërë presion.

Biznesmeni përfundoi në gjyq për përndjekje, dëmtim prone dhe tentativë zhvatjeje. Në sallën e gjyqit ai mohoi akuzat, ndërsa avokati i tij deklaroi se klienti nuk kishte asnjë arsye për hakmarrje pas kaq shumë vitesh, duke qenë se tashmë kishte familje dhe fëmijë.

Mbrojtja kundërshtoi edhe datën e dëmtimit të makinave, duke pretenduar se biznesmeni nuk ndodhej aty atë ditë, por gjatë procesit data e ngjarjes u korrigjua nga prokuroria.

Në fund, gjykata e shpalli fajtor për përndjekje dhe dëmtim prone, ndërsa akuza për tentativë zhvatjeje u konsiderua pjesë e veprës së stalking. 40-vjeçari u dënua me dy vite burg dhe me pagesën e 12 mijë eurove dëmshpërblim për familjen e vajzës. Avokati i tij ka paralajmëruar apelimin e vendimit.