e lehtë të hedhësh fyerje e t'i quash këta njerëz tradhtarë e kuislingë pa analizuar idetë dhe vizionin që ata kishin për Shqipërinë e vogël, ekzistenca e së cilës ishte në pikëpyetje. Tradhëtarë të kujt? Çfarë tradhtuan ata? Ideja e tyre ishte se Shqipëria duhet të lidhej me një fuqi të madhe që të mbijetonte si shtet. Zgjedhja që ata bënë mund të mos ishte më e mira por në një pikë këta njerëz ishin të vendosur: të mos lejonin që Shqipëria të binte pre e komunizmit.." kështu thotë Ikonomi ndër të tjera në këtë intervistë për Shqiptarja.com, ndërsa zbërthejmë disa prej linjave dhe personazheve më të debatuara të kësaj periudhe të
historisë.
Në librin e fundit të Arben Putos trajtohet veç të tjerash edhe një moment i jetës së Faik Konicës, kur, siç e keni shpjeguar edhe ju në librin tuaj "Faik Konica, Jeta në Uashington", ai bëri ujdi me fashistët italianë që të lante një borxh prej 9 mijë dollarësh. Prof. Puto e quan këtë një akt "të ulët". Si qëndron e vërteta e këtij kompromisi?
Mendoj se historia nuk ndërtohet me fyerje. Aq më pak meriton fyerje një figurë e tillë e respektuar si Faik Konica, personalitet i nderuar deri në qarqet më të larta të Uashingtonit. Arkivat tregojnë se pas pushtimit italian të Shqipërisë në prill 1939, Konica u ndodh në gjendje të vështirë, siç mund të ishte ndodhur cilido tjetër në vend të tij. Qiraja e hotelit, rroga
dhe pensioni, që duhet të ishin paguar nga qeveria e Shqipërisë, tashmë e uzurpuar nga italianët, nuk po i paguheshin më. Konica ishte një personazh madhështor, siç e përshkruante një gazetar i Uashingtonit. Ai nuk lejonte që krenaria dhe dinjiteti i tij si udhëheqës i komunitetit shqiptar dhe si përfaqësues moral i një vendi të binte poshtë për shkak të një borxhi. Konica iu drejtua me letër Kryeministrit të Italisë,
Benito Musolini, të cilit me të drejtë i kërkoi të paguhej. Në fillim italianët ngurruan të përgjigjen, duke patur parasysh vrerin dhe ironinë që Konica pat shprehur ndaj tyre ditën e pushtimit me komentet e tij therëse që u botuan në të gjithë shtypin kryesor amerikan. Më në fund, në mars 1940, ata vendosën t'ia shlyejnë borxhin (jo thjesht borxhin ndaj tij si person por detyrimin ndaj legatës shqiptare). Në arkiv gjendet një letër italisht me nënshkrimin e Konicës, ku thuhet shprehimisht: "Deklaroj se mora nga ambasadori i Italisë 4,000 (katërmijë) dollarë, shumë që ata më detyroheshin për shkak të ndërprerjes së funksioneve të qeverisë shqiptare." Pra, Konica nuk harron të shkruajë se ishin ata që i detyroheshin, domethënë se ai nuk po u shkonte atyre si lypës. Kjo është e vërteta që na tregojnë dokumentet dhe që e kam rrëfyer me hollësi dhe pa paragjykime në librin "Faik Konica, Jeta në Uashington".
A u bëri Konica ndonjë shërbim italianëve?
Po. Në prag të luftës italo-greke, në gusht të vitit 1940, ai publikoi një brochure proitaliane me titull "Sfondi i konfliktit italo-grek", ku në thelb shprehte pikëpamjen se Epiri ka qenë shqiptar dhe se Çamëria iu shkëput padrejtësisht trojeve shqiptare. Eshtë një pikëpamje që gjatë komunizmit u harrua ndërsa sot është rigjallëruar dhe mbrohet nga historianë seriozë. Konica gjeti një rast të mirë për të folur botërisht dhe për të sensibilizuar opinionin mbi një temë e cila i interesonte mjaft. Ky ishte shërbimi i vetëm i Konicës për italianët, plus ndonjë shkrim tjetër nëpër gazeta ku pak a shumë shprehte të njëjtën ide, gjithnjë me shpresën se trojet shqiptare mund të bashkoheshin një ditë. Natyrisht, dikush mund të dëshironte që Konica të ishte hero i një tjetër lloji, i ngjashëm për shembull me ndonjë partisan që përfundon nën tortura, i lidhur kokëposhtë e që refuzon të tregojë shokët. Jo. Konica ishte shqiptari i madh pragmatist dhe këtë dëshiroj ta ilustroj edhe me një shembull. Në fundin e shekullit të 19 dhe në agimin e shekullit të 20, kur Shqipëria nuk ishte shtet dhe fati i saj mund të merrte çdo drejtim të imagjinueshëm, Konica nisi një përpjekje prej Sizifi që do të mbetet për jetë në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve - botimin e revistës Albania, së pari në Bruksel dhe pastaj në Londër. Ai e bëri këtë me financimin e austriakëve, të cilët besonin se krijimi i një shteti shqiptar do të frenonte ambiciet e Serbisë dhe të Greqisë për dalje në Adriatik. Në atë kohë pati njerëz që e quajtën Konicën agjent të austriakëve sepse ai merrte para prej tyre. Dhe, në atë kuptim, agjent duhet të ketë qenë. Sot kjo akuzë ngjan qesharake kur mendon se sa ndihmë I dha Konica me atë revistë përparimit të çështjes së madhe, krijimit të shtetit shqiptar. Këtu dua të shtoj se çështja e parave që mori Konica nga italianët është vetëm një episod i vogël në jetën komplekse të këtij njeriu të famshëm shqiptar. Sigurisht, historianët kanë të drejtë të kenë pikëpamje të ndryshme, kjo vetëm e pasuron luftën e ideve. Por ka rëndësi që ata të merren me thelbin e figurave historike. Për shembull, prirja për të zmadhuar disa veti të karakterit të Konicës me dëshirën e dukshme për t'ia pakësuar atij shkëlqimin, nuk besoj se ndihmon për të rrokur thelbin e tij. Nëse kuti për të matur një figurë kombëtare është shërbimi që ajo figurë i ka bërë kombit, atëhere mund të themi se vështirë të gjesh mes shqiptarëve të kohës një atdhedashës më të madh se Konica. Mendoj se pikërisht ky është edhe thelbi i tij.
Për bashkëpunim me fashistët apo me nazistët akuzohen edhe një sere figurash si At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, etj. Sa qëndrojnë këto akuza?
Historiografia e periudhës komuniste, që hodhi baltë ndaj figurave të cilat ju përmendni,u ndërtua gati tërësisht mbi idenë se Shqipërinë e nxori në dritë komunizmi dhe Enver Hoxha e se të gjitha periudhat e tjera kanë qenë pa heronj të vërtetë kombëtarë ose me heronj gjysmakë. Kjo lloj historie u shkrua pa ndonjë rezistencë sepse disidenca në Shqipëri ishte zhdukur qysh në fillimet e regjimit të Hoxhës. Kësisoj, gjatë afro pesë dekadash, shkrimi i historisë së Shqipërisë u bë nën diktat. Nga ky diktat e pësuan sidomos figurat më të rëndësishme të kombit, të cilat u quajtën tradhtarë, kuislingë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit. Koncepti mbizotërues i asaj historiografie është ideja se lufta për çlirimin nga pushtimi italian dhe gjerman përbën pikën kulmore në historinë e kombit shqiptar. Se si u bë ajo luftë dhe cili ishte thelbi i saj, kjo është çështje më vete, por përdorimi në komunizëm i termave "tradhtar" dhe "kuisling" për njerëzit që ndërvepruan apo bashkëpunuan me regjimet e pushtimit, u bë e vetmja modë të shkruari. Dhe është një modë që ngre krye edhe sot. Për fat të mirë, sot historia nuk shkruhet nën diktat dhe secili ka mundësi të bëjë lirisht analizën e tij. Mustafa Kruja e Lef Nosi ishin dy patriotë të flaktë shqiptarë, të dy njerëz të ditur. Ata figurojnë si nënshkrues të dokumentit themelues të shtetit shqiptar. Cilido që lexon shkrimet e tyre vështirë të dyshojë në sinqeritetin, ndershmërinë dhe përkushtimin që ata kishin ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Rrethanat e vështira bënë që ata të pranonin poste nën fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Eshtë e lehtë të hedhësh fyerje e t'i quash këta njerëz tradhtarë e kuislingë pa analizuar idetë dhe vizionin që ata kishin për Shqipërinë e vogël, ekzistenca e së cilës ishte në pikëpyetje. Tradhëtarë të kujt? Çfarë tradhtuan ata? Ideja e tyre ishte se Shqipëria duhet të lidhej me një fuqi të madhe që të mbijetonte si shtet. Zgjedhja që ata bënë mund të mos ishte më e mira por në një pikë këta njerëz ishin të vendosur: të mos lejonin që Shqipëria të binte pre e komunizmit. Mendoj se kur analizojmë fatin e tyre politik, kjo ide e tyre kurrsesi nuk mund të injorohet. Zhvillimet e mëtejme u dhanë atyre të drejtë. Komunizmi, aq madhështor sa u dukej historianëve të kohës, po aq të turpshëm e pati fundin. Udhëheqësit komunistë, të cilët u diktuan historianëve se si duhet të shkruanin, u diskredituan vetë si mashtrues dhe si shtrëmbërues të fakteve historike. Në rastin e Shqipërisë ata jo vetëm u përpoqën të vrisnin të vërtetat historike por vranë fizikisht edhe vetë personazhet historike siç bënë me Lef Nosin. Dhe, më në fund, kur thuhet se ky apo ai intelektual i shërbeu fashizmit, ç'mund të thuhet për intelektualët që i shërbyen komunizmit? Çfarë i shtyu ata? Përse nuk gjykuan ndryshe? Përse nuk u bënë disidentë?
Ç'mund të thoni për Gjergj Fishtën, i cili pas pushtimit të Shqipërisë pranoi ofertën e fashistëve për t'u bërë anëtar i Akademisë së Romës?
Më lejoni të bëj një parantezë, e cila vlen për rastin e Fishtës, të Ernest Koliqit, të Patër Anton Harapit e të disa figurave të bujshme shqiptare. Shqipëria, ndryshe nga vende të tjera relativisht të mëdha, si Franca apo Norvegjia, ka patur një specifikë që njihet rëndom edhe sot me termin "çështje kombëtare". Trojet shqiptare u masakruan në fillim të shekullit të 20 - Kosova, një djep i rëndësishëm i shqiptarizmit, iu dha Serbisë ndërsa Çamëria iu la Greqisë. Kjo padrejtësi e madhe natyrshëm bëri që në skenë të dilnin disa figura të shquara për të cilat regjimet politike kalimtare, fashiste apo naziste, kishin shumë më pak rëndësi se sa çështja kombëtare në tërësi. Përsa i përket Fishtës, do të ishte naive të besohej se pranimi nga ana e tij i emërimit si akademik është në vetvete më i rëndësishëm se sa roli i tij në Konferencën e Paqes në Paris apo se sa vepra Lahuta e Malcisë, e cila i dha pavdekësinë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Ndonjëherë i mëshohet pa të drejtë proitalianizmit të Fishtës dhe harrohet thelbi i tij si patriot. Fishta ishte në radhë të pare shqiptar megjithë simpatitë e tij për Italinë. Në një dokument të rrallë që kam zbuluar në arkiv, ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant përshkruan një takim konfidencial, siç e quan ai, me Fishtën në fillim të gushtit 1937. Gjatë bisedës, e cila duket krejt e sinqertë, Fishta e habit amerikanin kur i drejtohet me këto fjalë: "Italia synon ta mbajë Shqipërinë në një gjendje të pakulturuar, ajo nuk dëshiron që Shqipëria të ketë përparim dhe ndërgjegje kombëtare". Granti komen- ton kështu për Fishtën në kabllogramin që i
dërgon me atë rast Departamentit të Shtetit: "Megjithëse kryeson një urdhër të shkëlqyer katolik në vendin e tij, ai nuk është besnik i Italisë katolike por shqiptar deri në thua." Ky ndoshta është një shembull për të kuptuar se synimi i Fishtës kur pranoi titullin e akademikut, nuk ishte aspak bashkëpunimi me fashizmin Italian për ndonjë motiv përfitimi personal.
Përse janë gjithnjë të ashpra diskutimet e historianëve përsa i përket vlerësimit të figurave historike?
Sepse komunizmi krijoi një përçarje të madhe mes shqiptarëve dhe kjo nuk mund të mos linte gjurmë në shumë fusha. Sot praktikisht kemi përplasjen e dy vizioneve për historinë: njëri që i mban figurat dhe ngjarjet historike peng të paragjykimeve ideologjike dhe tjetri që kërkon zhdeformimin e fakteve, zbulimin me çdo kusht të realitetit, i cili u mbajt i fshehur për kaq dekada. Ky vizion i dytë kërkon një përfytyrim të saktë, të ndershëm dhe të balancuar për ato figura që u përpoqën sinqerisht të çojnë përpara historinë shqiptare. Për fat të keq, komunizmi zuri gati gjysmën e periudhës që nga shpallja e pavarësisë. Kjo do të thotë se janë shkruar shumë të pavërteta të cilat sot përplasen fort me faktet që vazhdojnë të rishfaqen fuqishëm ndonëse me vështirësi dhe mundime.
Pra, mendoni se ka ardhur koha për rishikimin apo rishkrimin e historisë?
Për fat të mirë sot në Shqipëri ka vend për shprehjen e lirë të të gjitha pikëpamjeve dhe mendoj se kjo është një fitore e madhe që shqiptarët kanë arritur nën sistemin politik properëndimor, i cili zëvendësoi atë të Hoxhës. Eshtë një premisë e mirë dhe në të vërtetë historia është duke u rishkruar. Ky do të jetë një proces i natyrshëm, pa sforcime. Një brez i ri njerëzish të pandikuar nga ideologjia dhe nga paragjykimet po hedhin dritë mbi disa tema tabu, siç është edhe kjo për të cilën po flasim. Komunizmi masakroi disa nga figurat më të nderuara të kombit shqiptar duke i zhytur shtatë pashë nën dhe. Figurave të tjera po aq të nderuara si Fan Noli u dha lejen e qytetarisë por njëkohësisht i deformoi siç deshi për t'i përdorur në interesin e vet. Mjaft njerëz të brezit të sotëm njohin vetëm historinë që u shkrua në atë periudhë. Detyra e historianëve sot është të kërkojnë faktet dhe të bëjnë analizën e balancuar të tyre. Të arrish në përfundime duke interpretuar vetëm gjërat që të interesojnë, kjo është e pandershme. Eshtë po ashtu e pandershme të mbulosh faktet që mund t'ia zbehin shkëlqimin një figure që ti mendon se duhet ngritur në piedestal.
Kthehemi edhe njëherë tek Konica. Libri juaj "Faik Konica, Jeta në Uashington" u prit me jehonë të madhe në kohën e botimit. Si vijoi rruga e tij më vonë? Si ishte përballja me lexuesit në panairin e fundit?
Eshtë e vërtetë që libri u prit mjaft mire kur u botua në prill të këtij viti nga shtëpia prestigjoze "Onufri". E quaj veten me fat por edhe të habitur nga vemendja që iu kushtua. Dhe më bëri përshtypje se vemendja e medias ndaj librit nuk ishte e sforcuar. Më pas pati një numër shkrimesh pozitive. Do të dëshiroja të kishte edhe kritika sepse asnjë libër nuk është i përsosur, por më vjen keq që në Shqipëri zhanri i kritikës thuajse nuk ekziston. Gjithsesi, mendoj se shumë njerëz vlerësuan faktin që libri bazohej thuajse tërësisht mbi material të pakundërshtueshëm arkivor dhe shumë pak mbi memuarë që mund të krijojnë përfytyrime subjektive te lexuesit. Aty nuk ka përpjekje as për ta hymnizuar dhe as për ta denigruar Konicën. Libri u paraqit edhe në panairin e sivjetëm por sigurisht, ai nuk u shkrua për panair. Konica qëndroi aty, krahas shumë librave të tjerë, i qetë dhe pa bujë.