TIRANE- “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, një botim voluminoz i shtëpisë botuese Omsca-1”, ku përmblidhet gjithë publicistika e shkruajtur në vite nga Mustfa Merlika Kruja, sapo ka mbërritur në libraritë shqiptare. Në të përfshihen shkrime historike, artikuj mbi gjuhën, qëndrime publike mbi çështje të nxehta politike e shoqërore në periudha të vështira të historisë shqiptare ku Kruja ishte protagonist apo edhe dëshmitar i dorës së parë, polemika, opinione apo edhe fjalime të mbajtura në parlament.

Një pjesë e tyre ishin botuar në organet e shtypit të kohës dhe janë riprodhuar sipas atyre botimeve, ndërsa një pjesë janë botuar sipas dorëshkrimeve të lëna në arkivin e tij personal, pra botohen për herë të parë në këtë libër.

Shqiptarja.com, publikoi disa artikuj ngacmues shkëputur nga ky vëllim, në prag të botimit të tij. Ndërsa sot me rastin e daljes së librit në librari po sjellim për lexuesit parathënien e shkruar nga gazetari i “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, për të vijuar në numrat e ardhshëm me çështje të tjera ngacmuese trajtuar nga Kruja në publicistikën e tij.