Ilir Kerni sjell për Baletin Zhizel
dy yjet e La Scalës në Tiranë

Ilir Kerni sjell për Baletin Zhizel<br />dy yjet e La Scalës në Tiranë
TIRANE- Do të doja që deri në fillimshkurt Tirana artiste të përgatitej: të mbante frymën, të linte inatet, të ulte smogun, zhurmat, zënkat e të buzëqeshte më shumë. Zonjat dhe zotërinjtë e kryeqytetit, që në dekada presin biletën e tyre për të parë shfaqet e radhës në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit kanë një mundësi të mrekullueshme: Të ndjekin me 8 dhe 9 shkurt në interpretimin e baletit Zhizel dy balerinë yje të La Scala-s, tashmë me kontratë në të famshmin Boston Ballet: shqiptarin Eris Nezha dhe bashkëshorten e tij, balerinën Petra Conti. (Këtu në foton e © Costin Radu www.leshivernales.be)

Do të doja që edhe TKOB të përgatitej: të shkundte pluhurin e moketeve, poltronave e të pastrohej për të pritur këto dy eleganca botërore të baletit. Jo se është keq teatri ynë, e dimë që nuk mund të jetë si La Scala apo Boston Ballet, por pastërtia dhe dashamirësia, i bëjnë të bukura shumëfish.
 
E megjithatë dy balerinët e shkëlqyer, Eris Nezha dhe Petra Conti, as nuk kanë menduar asgjë nga këto që unë po shkruaj më sipër kur i kanë thënë një “PO” të madhe Ilir Kernit. Ata ndjehen të nderuar, të lumtur dhe mezi po presin të interpretojnë në sknenën tonë.
 
EMOCIONET E ERISIT PER ZHIZEL NE TKOB
I kam parë të dy të interpretojnë në Teatrin La Scala të Milanos pikërisht baletin aq romantic Zhizel, Petra në rolin e Zhizel dhe Erisi në rolin e Princit Albreht. Magjikë. Me një lehtësi puplore mbajtën mbërthyer publikun skrupoloz jo vetëm italian, porn ë La Scala vijnë artëdashës nga e gjithë bota.
I dëgjoja me veshët e mi komentet e kolegëvë italianë të shtypit: Erisi dhe Petra shkrihen në një trup në skenë. Të gjithë të mahnitur me ëmbëlsinë dhe profesionalizmin e të dyve. Dy balerinët që kanë prekur majat e baletit botëror janë të lumtur.

Për Shqiptarja.com Eris Nezha shprehet: “Për mua është një ëndërr që e kam patur gjithmonë! Them gjithmonë se jam shqiptar, por skenën shqiptare nuk e kam shkelur asnjëherë. Eshtë e vështirë për mua të shpreh drejtë sensacionin që kam… Kam udhëtuar shumë, por kujtimet më të bukura i kam në qytetet ku kam kërcyer dhe jo aty ku kam qenë thjeshtë turist. Përmes baletit unë jetoj jetën timë”, na thotë Eris Nezha.

“Në Shqipëri jam kthyer gjithmonë për pak kohë dhe gjithnjë si turist – vijon më tej, - në këtë moment më duket sikur po kthehem në Shqipëri për herë të parë pas vitit 1997, kur u largova për në Itali. Ilir Kerni ka qenë për mua gjithnjë një artist shembull dhe kur më telefonoi për të më ftuar nuk më besohej dhe përgjigja që mund t’i jepja ishte vetëm Faleminderit! Për mua është një motiv i fortë personal. Mezi pres të shkel në skenën e Teatrit!”, përfundon Eris Nezha rrëfimin e emocioneve të tij për Shqiptarja.com
 
PETRA, PERSHTYPJET E NJE “ZANE” TE DASHURUAR ME DJALIN SHQIPTAR
Kur sheh Petrën, kupton se balerinë lind: proporcionet e trupit, bukuria, finesa, eleganca… Ajo ka edhe më shumë: ëmbëlsi, vullnet, profesionalizëm të vlerësuar botërisht. Por kaq e madhe, aq e thjeshtë… Ja çfarë thotë Petra për Shqiptarja.com pwr interpretimin qw do tw bwjnw nw Tiranw: “Kam njohur dhe kam ndarë nga afër me Erisin vështirësitë e një jete larg atdheut… vuajtje dhe pengesa. Bashkëshorti im ia ka dalë të jetë këtu ku është sot vetëm me forcat e veta dhe e di çfarë do të thotë për të të kërcejë më në fund në Tiranën e tij.

Ato pak kohë që kam kaluar në Tiranë, më kanë dhuruar emocione shumë të bukura… vetëm po të mendoj festën e martesës tonë gushtin që shkoi: e mrekullueshme! Jam e emocionuar dhe e nderuar të shoqëroj Erisin dhe baleti Zhizel, personalisht, më duket se është baleti më i mirë për të përjetuar bashkë këtë eksperiencë”, përfundon Petra.
 
Balerini mirënjohur Ilir Kerni, duket se do ta nisë në këtë mënyrë epokën e tij si Drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit: Sot me Toskën e Puçinit vënë në skenë nga Nikolin Gurakuqi, e më pas, në shkurt i pari balet Zhizel me Eris Nezhën dhe Petra Contin që vijnë direkt nga Bostoni.
Lajmi tashmë është zyrtar dhe nga Ministria jonë e Kulturës. Ja çfarë shkruhet në buletinin e shpërndarë prej saj: “…Mos harroni, bëhuni gati për surprizën e radhës, baletin "Zhizel"! Më pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të dy yjeve të baletit të "La Scala-s", Petra Conti dhe Eris Nezha!

Bëhuni spektator i radhës së parë! Ju garantojmë se ju presin emocione të forta në këtë fillim të stinës koncertore 2014!..”
 Nuk janë zbuluar ende etapat e tjera të epokës “Kerni” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, por fillimi me Toskën dhe Zhizeli me Petrën dhe Erisin, janë vërtetë për t’u shijuar.


Shkrimi u publikua sot (14.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!