Adriatik Doci: Ilir Meta adhuruesi i fshehtë i Koço Kokëdhimës, një koincidencë me emrat e fëmijëve, flirti me rusët dhe një qarkore e SHBA

Adriatik Doci: Ilir Meta adhuruesi i fshehtë i Koço Kokëdhimës, një koincidencë me emrat e fëmijëve, flirti me rusët dhe një qarkore e SHBA

Koço Kokëdhima dhe Ilir Meta

Disa fakte, rrethana dhe koincidenca konfirmojnë një aleancë dhe ndërveprim sa të çuditshëm aq edhe okult mes Ilir Metës dhe Koço Kokëdhimës. Raporti mes tyre është aq mistik, kompleks dhe i ndërvarur sa që goditja përfundimtare dhe ballore e Kokëdhimës në vjeshtën e vitit 2016 duket se ka parashkruar edhe fatin politik të Ilir Metës, tashmë i shkarkuar nga Parlamenti dhe i padëshirueshëm nga Perëndimi.

Nuk ka dyshim që Koço Kokëdhima, ishte kumbari i paktit Meta-Rama në prill të 2013. Ai kishte një ndikim turbullues tek Ilir Meta, ndërsa nga ana tjetër ndante një miqësi të hershme me Edi Ramën, sa që ky i fundit, para se t'i jepte goditjen fatale në 2016, kishte shprehur ëndrrën e tij “për të pleqëruar me Koçon në Qeparo”.

Dy vite para aleancës, në dimrin e 2011, Meta dhe Rama kishin shkuar aq larg në luftën dhe akuzat kundër njëri-tjetrit, fakt që e bën thjeshtë të pabesueshëm kthesën e madhe me shpjegimin e ndërmjetësimit nga Nar Koka dhe me metaforën e ngjalave. 

Pas zyrtarizimit të aleancës, shumë ditë gjatë verës së vitit 2013, Meta, Kokëdhima dhe Rama i kaluan bashkë në Qeparo, tek hotel 'Stefit”, në pronësi të të vëllait të Koços, Aristidh Kokëdhima, një tjetër tregues ky për rolin e këtij të fundit mes dy kryetarëve të aleancës që u shemb në 2017.

Kur Ilir Meta u zgjodh president në prill 2017, Kokëdhima, gjatë urimit, zbuloi edhe një sekret, teksa shprehej se "Urim për Presidentin Meta! Sot Ilir Meta u zgjodh President i vendit. Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS­-LSI të katër viteve më parë".

Raporti mes Metës dhe Kokëdhimës besohet se është ndërtuar fillimisht nga një admirim deri në adhurim nga ana e Metës ndaj Kokëdhimës, duke u transformuar më pas në një aleancë interesash dhe ndoshta pazaresh. Siç duket, kjo ndjesi ishte deri në kufijtë e frymëzimit dhe të kopjimit të sjelljeve të tjetrit, deri tek emrat e fëmijëve.

Koço dhe Meta kanë nga tre fëmijë secili. Vajzat e Koço Kokëdhimës, quhen Besa, Bora dhe Era. Ato janë shumë më të rritura se fëmijët e Ilir Metës. Çuditërisht, edhe tre fëmijët e Ilir Metës kanë emra të njëjtë: Bora, Besari dhe Era.

Thua të jetë thjeshtë një koincidencë?! Në rastin e raportit Meta-Kokëdhima rastësitë përsëriten. Në prill të vitit 2015, Ilir Meta mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të hotelit

"Santa Quaranta" në Sarandë, në pronësi të Klement Balilit, i njohur edhe si 'Eskobari i Ballkanit', i cili ishte drejtor dhe njeriu kryesor i LSI në Sarandë. Në krah të Metës, në derën e hotelit që u sekuestrua më pas si i ndërtuar me para droge, qëndronte pikërisht Koço Kokëdhima, në atë kohë i njohur si 'pashai' apo 'beu i jugut'.

Ishte koha kur Koço Kokëdhima kishte ngritur strukturat e tij paralele me Partinë Socialiste, sidomos në Jug të vendit, administratën dhe drejtorët e tij, duke kontrolluar nga Bashkinë e Sarandës, Albpetrolin, ujësjellësin e Tiranës dhe shumë degë të tjera të pushtetit.

Përplasjet me deputetët e PS-së dhe sidomos me Gramoz Ruçin, Taulant Ballën, Fatmir Toçin, Valetina Leskaj nga të nëndheshme, nisën të shpërthenin në mbledhjet e grupit të PS-së. Raporte të ndera Koçoja kishte edhe me Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn.

Nga një bezdisje e përditshme, Kokëdhima nisi të kthehej në një kosto të rëndë politike për Edi Ramën, në një fitil brenda partisë. Krahas luftës së nervave me Ilir Metën, Rama duhej të përballej edhe me telashet që po sillte Koço.

Durimi u sos kur Kokëdhima, me mbështetjen e Metës, në fillim të vitit 2016, propozoi një platformë personale për reformimin e PS. Platforma titullohej "Stina e re e PS-së”.

Ai vijonte ndërkohë lobimin publik për legalizimin e hashashit që pas aksionit të qeverisë në Lazarat. Në rrethet mediatike nisën aludimet për ambicie të tij për t'u bërë beu i PS-së. Ky ishte edhe synimi i Ilir Metës, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka kërkuar një shkallë për të marrë Partinë Socialiste.

Disa muaj pas goditjes, në 6 maj 2017, Kokëdhima shprehej se "Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të ardhmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken ëndrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: Ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi”.

Në pranverën e vitit 2016, fati i socialistëve u bë Sali Berisha, i cili paditi Koço Kokëdhimën në Gjykatë Kushtetuese, për përfitim të paligjshëm të fondeve publike (150 herë). Gjatë procesit, Ilir Meta, ishte i vetmi që dërgoi përfaqësuesit e tij për të mbrojtur Kokëdhimën.

Vendimi i Kushtetueses në maj 2016 për t'i hequr mandatin e deputetit Kokëdhimës ia lehtësoi rrugën Ramës për një ndarje përfundimtare.

Pas ndërprerjes së komunikimit, në 23 dhjetor 2016, Kokëdhima u shkarkua nga çdo funksion në PS. Vendimi u përjetua me nervozizëm nga Ilir Meta, i cili nuk iu përgjigj më pozitivisht thirrjeve publike të Edi Ramës për të vijuar aleancën strategjike, duke hyrë të bashkuar në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Në Asamblenë e PS-së, në 23 dhjetor 2016, Rama shprehej se "Në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë më shumë se zgjedhjet e kaluara, synimi ynë është të jemi në koalicion me LSI. Shumë thonë të dalim vetëm, jo me LSI. Dëgjoni, kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara, është strategjike, ajo çfarë ka fituar Shqipëria nga ky koalicion".

Por, Meta shfaqej në takime dhe dreka me Kokëdhimën, duke ngushëlluar këtë të fundit bashkë me Meidanin. Në 12 janar 2017, Kokëdhima shprehej se Rama e kishte kërcënuar për Krishtlindje: ‘O unë, o ti në PS’.

Në rrethet politike dhe mediatike përflitet se ndarja e Ramës nga Kokëdhima dhe dëbimi i tij nga PS-ja ishte një kërkesë këmbëngulse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur shqetësimin në tryeza dhe rrethe politike për frenimin e investimeve amerikane nga influencat e Kokëdhimës në Jug të Shqipërisë.

Krahas bllokimi të investimeve amerikane, shërbimet vendase dhe partnere kishin konstatuar me shqetësim rritjen e interesit të rusëve për të investuar.

Nuk do të vononte shumë që ky reaksion i maskuar të plaste në publik. Në 2 nëntor 2016, ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu e quajti Koço Kokëdhimën një politikan të korruptuar. "Së dyti, për dekriminalizimin, i kemi dhënë lamtumirën një numri politikanësh kriminelë dhe të korruptuar – mes tyre, më vijnë në mend Xhelili, Frroku, Muhameti, Petraj, Ndoka dhe Kokëdhima", tha Lu. Deklarata ishte pa nuanca diplomatike, e rëndë dhe e paprecedentë.

Deklarata ishte një mesazh edhe për Ilir Metën, i vetmi aleat besnik që i kishte mbetur Kokëdhimës. (Dy vjet më vonë ish kryeprokurori Adriatik Llalla do të pretendonte se Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës, pretendim që u mohua nga ambasadori). Kokëdhima iu përgjigj Lu-së dy ditë më pas duke e akuzuar për shantazh.

Distancimi nga Koço Kokëdhima përflitet se ka qenë një nga vijat e para të kuqe të amerikanëve për Sali Berishën, që në fillim të pushtetit të tij të parë, vijë të cilën ç'është e vërteta e respektoi deri diku, ndonëse nuk ngurroi që ta përdorte goditjen e Koços në 2016 për diversion dhe interesat e tij politike kundër Ramës.

Kokëdhima është parë gjithnjë me dyshim nga amerikanët, jo si një nostalgjik i PPSH-së apo përfitues i pasurive publike, por si besnik i linjës ruse dhe i lidhjeve të errëta me interesat e Moskës. Nga i dyshuar, Kokëdhima kthye në shqetësim kur vendosi të bëhej pjesë e politikës dhe të jetësonte interesat e tij në Jug të vendit.

Nuk dihet me apo pa lejen e Berishës, por Lulzim Basha, në 8 prill 2017, u ekspozua në një takim publik me Kokëdhimën, duke sinjalizuar një aleancë të mundshme politike. Takimi i çuditshëm dhe i befasishëm natyrshëm mori vëmendje mediatike.

Në takim jo rastësish merrte pjesë edhe këshilltari i Bashës, i cili më vonë u zbulua se ishte rekrutuar nga shërbimi sekret rus.

Ky ishte takimi i fundit i Lulzim Bashës, të paktën publik, me Koço Kokëdhimën. Pesë javë më pas, në 15 maj 2021, Basha zhvilloi një takim me zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili përpos të tjerave, duket se i kujtoi edhe vijën e kuqe të vjetër. Dy ditë më pas do të finalizohej marrëveshja e famshme me Edi Ramën, pak i cili nga ana tjetër përvijoi prishjen e aleancës PS-LSI.

Ilir Meta dhe Koço Kokëdhima nisën të ekspozoheshin në disa takime intensive, në përpjekje për të ushtruar presion ndaj Ramës, ndërsa Meta, më vonë, e etiketoi Lulzim Bashën si ‘tradhtar’.

Në 23 qershor 2017, Ilir Meta artikuloi këtë mesazh: “Për Bashën kam këtë mesazh. Tradhtinë e duan të gjithë, por tradhtarin nuk e do asnjë. Duhet t’ia afrohet më shumë kauzës së protestës për zgjedhje të lira, për luftën ndaj krimit, për përpjekjet kundër oligarkisë”.

Nga ana tjetër, Kokëdhima krijoi edhe një parti fantazmë me emrin ‘Zgjidhja’, e cila përbëhej nga punonjësit në kompanitë e tij, të cilët detyroheshin të dëgjonin fjalimet e tij.

Megjithatë, rënia e dyshes Meta-Kokëdhima tyre vijoi me shpejtësi.

Teksa Kokëdhima u zhbë si faktor politik brenda disa muajsh në fund të 2016 dhe fillim të 2017, Ilir Meta u shkarkua nga Kuvendi edhe për cenim të marrëdhënieve me SHBA në 2021, ndërsa partia e tij LSI-ja sot ngjason me ‘Zgjidhjen’ e Kokëdhimës.

K.T./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 18/10/2021 12:24

    Super analize!!

    Përgjigju
  • Primo: 18/10/2021 11:54

    Atehere ai qe ka pak fare mend ne koke kupton se ed rama dhe sali primo berisha bashkpunojne bashke dhe do ja degjoni kongen shume shpejt. Dhe ne nje emision ku rama u kap mat me fakte sali primo berisha nderhyri duke i shajte te emen e ndjere dhe emisioni ndrroi drejtim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot