Ilir Meta dhe një paralele me rastin e fundit të Donald Trump

Ilir Meta dhe një paralele me rastin e fundit të Donald Trump

Nëse hap faqet e mediave kryesore sot në vend, logjikisht kushdo do të priste të gjente detajet pse ish-presidenti Ilir Meta është nën hetim nga SPAK, çfarë ka bërë, cilin ligj ka shkelur, a rrezikon të dënohet etj etj. Se jo për gjë, por nuk ndodh shpesh që të merret nën hetim një ish-president, aq më tepër në Shqipëri.

Por hiç! Në shumicën prej tyre ke vetëm video se si Ilir Meta ia ka marrë valles në kampin e famshëm të Jalës, pastaj se si flet për rininë, të ardhmen e saj, pastaj gjen dhe një reagim të tij për një protestë periferike në Tiranë për prishjen e ca shtëpive, dhe në fund edhe një deklaratë se si ai, Ilir Meta, do rrëzojë diktaturën e vendosur në Shqipëri nga Rama, bashkë me të rinjtë.

Pastaj gjen edhe analiza se si Edi Rama i është vënë me bukë në trastë Ilir Metës, se ai është më i dobët se Berisha, ndaj dhe po goditet, apo se e gjithë kjo po i vjen nga Erion Veliaj, nga frika se mos Meta kandidon për Bashkinë e Tiranës.

Dhe kjo ndodh, sigurisht, se Edi Rama ka kapur të gjitha mediat në vend dhe nuk i lë të shkruajnë kundër Ilir Metës, asnjë fjalë! Por le të shohim një rast të ngjashëm, në Amerikën e largët.

FBI pak ditë më parë kontrolloi shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump dhe sekuestroi disa dokumente, që thuhet se janë sensitive. Nuk mbeti media, e madhe apo e vogël, me Trump apo kundër Trump, republikane apo demokratike, shtetërore apo private, që nuk shkroi, investigoi, intervistoi, për atë që kishte ndodhur, për ditë me radhë. Dhe kjo, vetëm se u sekuestruan disa dokumente. Imagjinoni të ishte marrë i pandehur Donald Trump, si presidenti ynë!

Kuptohet, pati edhe aty njerëz e media që akuzuan se drejtësia është e kapur dhe se Donald Trump po përndiqet politikisht, për shkak se do të rikandidojë për president, siç pretendohet se po përndiqet politikisht edhe ish-presidenti ynë, meqë ka vendosur të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, siç përflitet lartë e poshtë.

Por askush nuk e fshehu lajmin dhe të vazhdonin sikur të mos kishte ndodhur asgjë, për të raportuar veprimtarinë e përditshme të Donald Trump, siç po ndodh në Shqipëri me rastin e Ilir Metës. Se siç thotë dhe populli, “nuk mund të fshihet dielli me shoshë”!

Dhe sot, Ilir Meta nuk mund të fshihet pas mediave të tij, sado të përpiqet. Nuk mund të fshihet dot më as pas shtatorit, se për të erdhi para kohe!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi