TIRANË- Seanca në Apelin e GJKKO-së për Ilir Metën, i cili kërkon lirinë, është shtyrë për më datë 23 tetor. Avokati i Metës, Kujtim Çakrani ka bërë me dije se seanca e shty me kërkesë të tij pasi në fletën e njoftimit për thirrjen në seancë, nuk ishte bërë me dije emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se përse Ilir Meta nuk paraqitet në seancë, Çakrani tha se Meta nuk ka asnjë pritshmëri nga gjykatat shqiptare, dhe të gjitha veprimet janë thjeshtë proceduriale dhe se synimi i tyre është Gjykata e Strasburgut.
“Shkuam në seancë, ishim njoftuar nga sekretaria, sapo u bë legjitimi i palëve, ne konstatuam që në njoftimin tonë nuk ishte shënuar emri i gjyqtarit. Dhe presidenti nuk ishte njohur kush ishte gjyqtari as unë gjithashtu. Pastaj unë kërkova që të shtyhej seanca me qëllim që t’i komunikoj presidentit se kush do e gjykojë çështjen pasi ai është në konflikt interesi me gjyqtarin.
Gjyqtare është Saida Dollani, sepse dhe ajo çuditërisht se nuk ishte njoftuar. Pra në njoftim nuk ishte emri i saj por emri i kryesekretares së gjykatës. Ne këtë gjë e konstatuam, por sot ishim të detyruar t’ia vinim në dukje gjyqtares dhe padyshim që pastaj ajo të shtynte seancën. U caktua data 23 ora 14:00 për të zhvilluar seancën e ardhshme që përkon dhe me datën e seancës paraprake që do të zhvillohet po në atë datë, në orën 12:00.
Ne nuk presim asnjë na gjykatat shqiptare sepse janë të kapura. Prandaj Meta nuk paraqitet në gjykatë. Ne jemi për Gjykaën e Strasburgut. Ne po bëjmë procedurën”, tha Çakrani.
SPAK e ka marrë Ilir Metën të pandehur për 3 vepra penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Edhe Monika Kryemadhi përballet me të njëjtat akuza si ish bashkëshorti i saj, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Komente











