Gjykata e Apelit i ka dhënë një goditje të fortë Sali Berishës, me vendimin që mori ditën e premte dhe fati i kandidatëve të tij për zgjedhjet e 14 majit janë në dorë të Ilir Metës. Vetë kryetari i partisë së Lirisë është shprehur sot nga Korça se vendimi i gjykatës për vulën e PD ishte i pritshëm, duke shtuar se në këtë verdikt ka ndikuar Edi Rama. Meta tha se në 14 maj kandidatët e dalë nga Primaret do të dalin fitues, ndërsa shtoi se “atentatit të pluralizmit” nga Edi Rama, do t‘i përgjigjen në mënyrë adekuate.

“Cilido të jetë vendimi i Edi Ramës, atij do t’i kthehet në bumerang. Kur e kam thënë kam pasur parasysh kontrollin e tij ndaj sistemit të drejtësisë dhe se unë personalisht nuk kam pasur pritshmëri në një vendim objektiv në këtë çështje. Sepse u zgjidh që prej një viti dhe me urdhër të Ramës nuk u protokollua vendimi i gjyqtarit. Do t’i përgjigjet në mënyrë adekuate këtij atentati ndaj pluralizmit demokratik. Kur aventurieri Rama mendon se mund të luaj në këtë mënyrë me cilën e PD, imagjinoni se çfarë bën ai me vulat e institucioneve. Opozita është dy e tre herë më e angazhuar se më parë për të organizuar një fitore të plotë më 14 maj. Kandidatët e Primareve janë kandidatët e opozitës së bashkuar dhe të vërtetë. Nuk janë kandidatë të dalë nga zarfet e minutës së fundit, ndaj do jenë kandidatë fitues”, tha Meta.

Meta tha se Ledina Aliolli, e dalë nga Primaret, është kandidatja e Korccës që gëzon përkrahjen e PL-së, demokratëve e që duan ndryshimin.

“Momenti më i vështirë i opozitës ka qenë deri më 24 prill. Kjo sepse e drejtonte Edi Rama, siç u vërtetua. Jemi të qartë se më 14 maj do të ketë një ndëshkim shembullor për këtë degradim të qeverisjes. Ka përdorur pushtetin për të terrorizuar qytetarët duke i mbajtur përmes frikës. Akti më i fundit i Ramës nuk është gjë tjetër përveç gjendjes së tij të dëshpëruar që ka frikë nga opozita. Korça dhe Maliqi janë tërësisht të fitueshme. Jam i bindur që shumicën e bashkive i fiton opozita, si dhe Durrësin, e Tiranën. Figurat janë të reja dhe kanë të drejtën morale të provohen”, tha Meta.

Pas një seance maratonë, Gjykata e Apelit, vendosi të premten rrëzimin e vendimit të Agron Zhurkit  të datës 25 mars 2022 dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë me trupë gjykuese tjetër. Pas këtij vendimi, ajo që vendosi Agron Zhukri konsiderohet nul dhe çështja kthehet në shkallë të parë. Tashmë vula, sigla, logoja e Partisë Demokratike i mbetet Lulzim Bashës, se zyrtarisht ai është i regjistruar në Gjykatën e Tiranës, dhe pritet që të jetë grupi i Alibeajt që të regjistrohet me logon e forcës më të madhe opozitare në vend për zgjedhjet e ardhshme të 14 majit.  Me unanimet të plotë trupa gjykuese e Apelit, e përbërë nga relatore Elona Mihali dhe anëtarë Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja, prishi vendimin e Zhukrit.