TIRANË- Ilir Meta duket se qëllimin e tij për "të shpëtuar Shqipërinë" e ka zvogëluar duke e vendosur si objektiv "shpëtimin e Tiranës". Në një postim të tij në rrjetet sociale, Meta shfaqet si kandidat i ardhshëm për kryetar bashkisë së Tiranës ku rendit sipas tij me problematikat që përballet qytetti duke e cilësuar si një detyrim qytetar dhe patriotik 'çlirimin' e saj.
"Tiranës së sotme nuk i ka mbetur pothuajse asgjë nga ajo e 30 viteve më parë. Hapësirat e gjelbra janë ngushtuar. Ndërtesa të reja po lartësohen çdo ditë, ndotja është shtuar, trafiku ka raste që është i papërballueshëm, parkimi është një mision, pothuajse i pamundur. Vlerësimet janë se 40% e ndërtimit qarkullon paratë informale, nga disa kompani, kryesisht në kullat e shtrenjta. Paraja informale duket se ka qenë lobuesi kryesor për të rritur sipërfaqen me leje ndërtimi”.
Këto janë konstatimet tronditëse, që i shohim çdo ditë dhe që i sjell në vëmendjen e banorëve të Tiranës, revista prestigjoze “Monitor” në editorialin që nuk duhet humbur: “Si po shpërdorohet e ardhmja e kryeqytetit!” Me të drejtë një nga mendjet më të ndritura të kombit do ta krahasonte vite më parë Tiranën me “një xhungël betoni dhe asfalti”, të shndërruar në "lavatriçen" e pastrimit të parave të trafiqeve dhe korrupsionit, të shpërfytyruar dhe që portretizon më së miri atë sekt që nuk çmon as të shkuarën dhe as të ardhmen e popullit dhe vendit të vet, që ka shkatërruar çdo trashëgimi historike dhe kulturore, në zbatim të një projekti shkombëtarizues, ku më të rëndësishme janë paratë se vlerat.
Mbyllja e pamëshirshme e hapësirave jetësore për banorët e Tiranës, paraliza e lëvizjes qytetare, biznesit të vogël dhe të mesëm nga mafia e betonit, ngushtimet dhe devijimet e qëllimshme të rrugëve dhe nyjeve të trafikut, vetëm për t’i shërbyer një grushti klientelist dhe oligarkësh të lidhur me pushtetin e kanë renditur kryeqytetin, në qendrën urbane me cilësinë më të keqe të jetës në Europë dhe ndër të fundit në botë sipas statistikave më serioze.
Me shërbimin më të keq shëndetësor, me fuqinë blerëse më të ulët dhe me ndotjen më të lartë të ajrit. Ky është rrethimi dhe kapja e programuar e kryeqytetit, mbyllje e perspektivës së tij dhe të banorëve. Çlirimi i Tiranës nga kjo zgjedhë asfiksuese është një detyrim qytetar dhe patriotik", shkruan Meta.
Më herët Meta e ka shprehur dëshirën për të garuar për kryebashkiak në 2013, teksa nuk i ka kursyer edhe një përgjigje Erion Veliaj, sipas së cilit nuk ia mban të kandidojë, por nëse kjo do të ndodhë tha se mezi pret që të ketë një përballje me të.
ajduti bertet kapeni ajdutin
Përgjigju