Ilir Meta si shpresë për bllofin e opozitës

Ilir Meta si shpresë për bllofin e opozitës

Komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar shkeljet e presidentit Ilir Meta, po e mbyll bilancin e tij me vërejtje për gabimet e presidentit, nën arsyetimin se vendimet, edhe pse ishin në shkelje flagrante të Kushtetutës, nuk kanë shkaktuar pasoja që të minojnë rendin kushtetues.

Mes këtyre vendimeve, shquan ai i çdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimit të po atyre zgjedhjeve, më 13 tetor.

Konstatimi se ky vendim nuk pati efekte që të minonte rendin kushtetues, bazohet tek fakti se Qeveria nuk e përfilli dekretin e presidentit. Më pas nuk e përfilli as opozita dekretin, për t’u mbajtur zgjedhjet më 13 tetor.

Ky arsyetim është poshtërues dhe në të njëjtën kohë, destabilizues për të ardhmen e shtetit, pasi jemi duke i thënë çdo presidenti të papërgjegjshëm në detyrë, që nëse vendimet e tua janë të rrezikshme dhe ne nuk të përfillim, atëherë s’ka problem, mos u mërzit.

Presidenti Meta e ka raportin me ligjin dhe Kushtetutën, dhe jo me sjelljen e aktorëve të tjerë, që zvogëlojnë, ose zmadhojnë efektin e akteve të tij presidenciale.

Nëse në Shqipëri Qeveria dhe opozita do kishin marrë seriozisht aktet e Ilir Metës, nuk do kishte as 30 qershor dhe as 13 tetor, pasi secila palë do bënte zgjedhjet e veta dhe vendi do hynte në krizë kushtetuese të rëndë, siç e kishte llogaritur ai.

Pra fakti që nuk ndodhi kriza, nuk është meritë e Ilir Metës dhe as pasojë direkte e akteve të tij, por pasojë e përgjegjshmërisë së palës tjetër, e cila nuk e ka përfillur paligjshmërinë e tij.

Tani meqë vendosën ta mbajnë si president formal, të cilit do t’i japin rrogën, por nuk do t’i përfillin vendimet, është mirë meqë kanë në dorë ndryshimet kushtetuese, të fusin në Kod pamundësinë e presidentit për të caktuar data zgjedhjesh, sipas dëshirës, dhe ta kufizojnë këtë të drejtë brenda disa limiteve, dhe pse jo dhe datave kur mund t’i dekretojë.

Ndryshe ajo që ndodhi vitin e kaluar, do përsëritet. Ilir Meta do fillojë të caktojë data zgjedhjesh për qejf të vet, Qeveria do vazhdojë zgjedhje për qejf të vet, dhe ne do merremi çdo ditë me një njeri që erret mirë, por ja prish gjakun natën ndonjë SMS, ose ndonjë humbje e Sëlltikut, dhe në mëngjes i fluturojnë pëllumbat në Korab.

Shqipëria nuk e ka luksin që krizave të saj, t’i shtohen dhe manirat e një presidenti, që dy postime në ditë i ka për Sëlltikun, një për macen e shtëpisë, dhe të fundit për datën e  zgjedhjeve.

Meqë keni vendosur ta lini president kukull, hiqjani së paku nga duart lodrat që i jepni për të kaluar kohën.

Bllofi i Lulzim Bashës dhe Kryemadhit tek ndërkombëtarët, se nuk do marrin pjesë në zgjedhje po u prek 5 qershori, në fakt bazohet tek shpresa që ata kanë të përdorin Ilir Metën të bëjë lëmsh datën e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e tyre.

Ata nuk guxojnë më të bojkotojnë zgjedhjet, pas nuk i beson më partia e tyre, por as nuk kanë guxim të hyjnë në zgjedhje. Të vetmen shpresë që kanë, është që Ilir Meta t’i lërë pa zgjedhje.

Jo se do ta pyesë dikush për ato që do të bëjë, por duket që ka plan të bëjë diçka, që të duket se është dikush.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksioneve dhe dalja në ankand, KF Tirana: Dezinformim i qëllimshëm, synon tjetërsimin e aseteve të klubit

Bllokimi i aksioneve dhe dalja në ankand, KF Tirana: Dezinformim i qëllimshëm, synon tjetërsimin e aseteve të klubit