TIRANE - Para popullit kuqezi siç e quajti, Ilir Meta firmosi dekretin e parë, atë të kthimit të ligjit që i hoqi presidentit kompetencën e betimit për gjyqtarët kushtetues.

Teksa i gjithë tubimi që zgjati dy orë u karakterizua nga flamuri shqiptar në përfundim kreu i shtetit, duke marrë vetë në dorë flamurin amerikan, paralajmëroi se pas 15 marsit, kur të miratohet me konsensus reforma zgjedhore, që është edhe kusht për integrimin e Shqipërisë në BE, do të firmosë në të njëjtën mënyrë, para popullit, edhe dekretin për shpërndarjen e parlamentit, që sipas tij është ilegjitim. Meta kërcënoi se nëse ky dekret nuk merret në konsideratë nga grushti i shtetit, siç ai konsideron mazhorancën, ashtu sikundër edhe nga ndërkombëtarët, që ai i quajti mafiozë që kanë vite që luajnë me sovranitetin e shqiptarëve, do ta firmosë atë dekret në mes të parlamentit. Me këtë deklaratë e cila erdhi pasi u betua si kryetar shteti duke puthur flamurin shqiptar, Ilir Meta kërcënon të mësyjë me popullin brenda parlamentit.

"Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, ju jap fjalë në emër të këtij flamuri që janë vrarë mijëra dëshmorë dhe heronj,  se mbas datës 15 mars kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse nuk do ta marrin seriozisht, populli kuqezi që votoi sot për grushtin e shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por atje në mes të parlamentit, në mes të krimit, dhe do ti bëj thirrje gjithë popullit shqiptar, unë i pari dhe gjithë populli kuqezi.Vdekje grushtit të shtetit, rroftë republika, rroftë shteti i së drejtës", tha Meta, duke e marrë këtë vendim si një përgjigje të thirrjeve të qytetarëve që kërkuan në kor shpërndarjen e parlamentit.

Ilir Meta doli nga presidenca me dy gishtat lart dhe më tej me shqiponjën dy krenare formuar me duar, dhe u ul në gjunjë në shenjë përuljeje ndaj qytetarëve në tubim, në atë që ai e quan "besëlidhje".

Ashtu si në protestat e opozitës së bashkuar të një viti më parë, në këtë tubim nuk munguan figurat e liderëve opozitarë, kreu demokrat Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish deputetë të opozitës, ishin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", teksa u angazhuan me organizimin duke sjellë edhe militantë të forcave të tyre politike. Nuk e quajti protestë, por një tubim që i bashkohet si qytetar, kryedemokrati Basha i cili iu bashkua qytetarëve në shesh duke mos dalë nga selia por nga kafja e hotel Rogner, ku më herët gjatë ditës kishte takuar ambasadoren amerikane Yuri Kim, ndërsa në mbyllje iu drejtua selisë së PD-së. Ndërkohë, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, i ndoqi fjalimet e podiumit përballë presidencës, në distancë nga bashkëshorti i saj Ilir Meta, duke qëndruar me ish-deputetët e partisë së saj, pranë kryeministrisë.

Në ndryshim nga protestat e opozitës, mungesa e flamujve partiakë u zëvendësua me flamurin kuqezi dhe me buqeta me mimoza në duar.  Basha dhe Monika Kryemadhi u kujdesën të mos i japin ngjyra politike tubimit nën flamurin kuqezi të Metës, duke mos i organizuar qytetarët në selitë e partive

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:04
Kryemadhi entuziaste për tubimin e Metës: Surpriza më e madhe pjesëmarrja! Parlamentin e shpërndau populli

Si bashkëshorte, si qytetare, por jo si kryetare e një partie opozitare, Monika Kryemadhi doli sot në shesh në mbështetje të tubimit të thirrur nga presidenti Meta. Teksa kreu i shtetit mbante fjalim në podiumin e ngritur përballë presidencës, Kryemadhi qëndroi e distancuar, megjithatë kamerat e Report Tv e filmuan teksa ishte shumë entuziaste dhe me flamurin kuqezi në dorë mbështeste totalisht atë se çfarë Meta thoshte.

"E vetmja gjë që duhet të them që pjesëmarrja e jashtëzakonshëm është surpriza më e madhe. Parlamentin e shpërndau populli sot, mjafton që të dëgjoje brohorimat e shqiptarëve", tha ajo në përfundim të tubimit.

Në këtë tubim, figura kryesore ishte vetëm presidenti Ilir Meta, ndërsa opozitarët qëndruan në hije.

Ora 21:01
Kush është studentja simpatike, që Ilir Meta kishte zgjedhur ta kishte në krah (FOTO)

Studentja e drejtësisë e cila mbajti një fjalim gjatë tubimit të Presidenti Meta është një personazh jo pak i njohur. Ajo quhet Oneda Skënderi, e cila ka qenë shumë aktive edhe gjatë protestës së studentëve të zhvilluara në dhjetor. Skënderi tha se ka dalë në shesh mbrojë vendin si një idealiste, ndërsa listoi disa arsye që legjitimonte thirrjen e këtij tubimi. Ajo ka qenë e ftuar edhe në disa studio televizive.

Ora 20:12
Meta falenderim për pjesëmarrësit në tubim: Uragani kuqezi në mbrojtje të Kushtetutës, Shqipëria është e jona

Në përmbyllje të tubimit, presidenti Ilir Meta ndau një falenderim për pjesëmarrësit.

"Populli shqiptar foli qartë: URAGANI KUQEZI në mbrojtje të KUSHTETUTËS! SHQIPËRIA është e jona! Zoti e bekoftë ATDHEUN tonë të dashur! FALEMINDERIT TË GJITHËVE! Për Kushtetutën, për Republikën, për Shqipërinë, për Kombin", shkruan Meta.

Ora 19:11
Meta mbyll tubimin, puthet me Fahri Balliun

Pas mbylljes së tubimit ku sulmoi mazhorancën dhe ndërkombëtarët që po bëhen palë për 'grushtin e shtetit', kreu i shtetit  kur zbriti nga podiumi zgjodhi të puthet dhe takohej me Fahri Balliun .

Ora 18:55
Basha dy orë në tubimin e Metës si 'qytetar'... rikthehet në selinë blu si kreu i PD-së

1583172346_BASHA2.jpg

I pranishëm në tubim ka qenë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ashtu siç kishte bërë me dije më herët, ai nuk mbajti asnjë fjalim, por qëndroi përgjatë dy orëve si një qytetar. Në përfundim, ai është rikthyer në selinë blu i shoqëruar nga disa qytetar.

Ora 18:54
Mbyllet paqësisht dy orë tubim i thirrur nga presidenti Meta

1583171318_fo.jpg

Pas dy orësh është mbyllur tubimi i presidentit Ilir Meta. I gjithë tubimi ka vijuar paqësisht, një gjë për të cilën doli garant dhe presidenti Meta, ku si simbol ishin lulet e mimozës dhe flamujt kuqezi.  

Ora 18:51
'Kjo pranverë kuqezi nuk ndalet më', Meta: Mos u jepni alibi puçistëve, mimozat dhurojani policëve

Ilir Meta në mbyllje të fjalës së tij bëri thirrje për mos të krijuar incidente për të mos i dhënë alibi puçistëve, ndërsa tha s e mimozat të mos i hedhin drejt institucioneve por t'ua dhurojnë policëve.

'Jemi populli që vuajti më shumë se kushdo komunizmin. Jemi ku u varën klerikët e hoxhallarët. Jemi një popull që jetën e japim por demokracinë jo. Shumë prej jush mund të kenë patur vërejtje për tonin tim, e di , por unë në publik nuk kam treguar as 10 % të krimeve që kanë ndodhur kundër sovraniteti tuaj dhe reformës në drejtësi. Kjo pranverë kuqezi nuk ndalet më, deri në rivendosjen e sovraniteti tuaj dhe rikthimin e ligjit. me qetësi dhe drejtësi, e gjithë bota demokratike dhe partnerët me integritet që kanë respekt për popullin tonë. Nuk mund të kesh respekt për popullin tonë nëse vepron me qeveritarët që kanë kapur ligjin.  Mos i jepni albi puçistëve. Asnjë mimozë mos hidhni tek institucionet, por dhurojani policëve tanë kudo që ti takoni. Nga sot në të vetmin institucion kuqezi nis marshimi i popullit kuqezi. Zëri i popullit, zëri i zotit. jemi një popull shqiponjash dhe ato fluturojnë vetëm lartë. Falënderim për bashkatdhetarët që erdhën nga Amerika dhe nga e gjithë bota', tha Meta

Ora 18:44
Me flamurin amerikan në duar, Meta: Organizata mafioze ndërkombëtare ka vite që luan me sovranitetin e popullit

Me flamurin amerikan në duar, Presidenti Ilir Meta tha se pas 15 marsit do të firmos në të njëjtën mënyrë, para popullit, dekretin për shpërndarjen e parlamentit. Meta akuzoi ndërkombëtar se ndër vite kanë funksionuar si një organizatë kriminale që kanë luajtur me sovranitetin e popullit shqiptar. Meta kërcënoi se nëse ky dekret që paralajmëroi ta firmosë pas 15 marsit nuk do të merret seriozisht nga mazhoranca dhe ndërkombëtarët, do të mësyjë parlamentin duke e firmosur me popullin brenda kuvendit që sipas tij është ilegjitim. 

"Këtë flamur e mora pasi kanë ardhur me dhjetëra dhe me qindra shqiptarë nga Amerika, kanë lënë punët e tyre, e ngrita në respekt të gjithë miqve të mëdhenj në Amerikë, për kongresmenin Engel, që e kanë ndihmuar çështjen shqiptare, dhe që do të jenë gjithmonë gati për të mbrojtur interesat tona. Përpara se të bëj betimin tim si kryetar i shtetit, si komandat i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kërkoj nga studentja të më ndihmojë ta puth këtë flamur (puth flamurin kuqezi). Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, ju jap fjalë në emër të këtij flamuri që janë vrarë mijëra dëshmorë dhe heronj,  se mbas datës 15 mars kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse nuk do ta marrin seriozisht, populli kuqezi që votoi sot për grushtin e shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por atje në mes të parlamentit, në mes të krimit, dhe do ti bëj thirrje gjithë popullit shqiptar, unë i pari dhe gjithë populli kuqezi", tha Meta.

Ora 18:40
Meta si Basha/ U kërkon qytetarëve të ndezin blicet e celularëve: Është drita e shpresës

Një detaj i ngjashëm i parë edhe në protestat e opozitës është ndezja e blicet të qytetarëve të pranishëm në shesh, një simbolikë e ndezjes së dritës së shpresës.

1583175119_blitzdritat.jpg

 

Ora 18:38
Meta firmos dekretin e parë

Presidenti Ilir Meta firmosi dekretin kundër ligjit që i hoqi presidentit kompetencën për betimin e gjyqtarëve të rinj kushtetues. ndërsa tha se qytetarët i kërkuan të firmosë edhe një dekret për shpërndarjen e parlamentit. Ai tha se do ta bëjë këtë më pas.

"Jam i lumtur se kushtetuta e popullit ka sot në këtë shesh popullin e kushtetutës. Përpara se të firmos dekretin kundër ligjit antikushtetues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. kush është pro ju lutem të ngre dorën. Rroftë Republika, rroftë shteti i republikës. Këtu ka një kërkesë tjetër, nuk kënaqen me kaq. Duan që sot shpërndarjen e parlamentit puçist. (Brohorima nga turma). Liri, demokraci. Më duhet të firmos këtë dekret dhe do të kthehem përsëri këtu për atë dekretin tjetër që e brohoritët me shumë se ky", tha Meta teksa u ul në një tryezë vendosur në podiumin ku u mbajtën fjalimet, dhe vuri firmën mbi dekret.

Ora 18:28
Qytetarët i kërkojnë Metës të shpërndajë Parlamenti: Shpërndaje, Shpërndaje

Se çfarë dekreti do të firmosë presidenti Ilir Meta është ende e pakonfirmuar. Ai ka thënë se do t'i bindet asaj se çfarë populli do të kërkojë. Referuar thirrjeve që turma ka bërë, teksa presidenti Ilir Meta mbante fjalim, duket se sot do të firmoset "shpërndarja e parlamentit". Kjo pasi qytetarët kanë thirrur në kor "Shpërndaje, shpërndaje".

Ora 18:25
Meta: Ku po shkojmë kështu?! Kujtojnë se institucionet e tyre janë supremë, por më 30 qershor populli zbtoi dekretin tim

Presidenti Ilir Meta tha se mazhoranca është fajtore për largimin e opozitës nga Kuvendi ndërsa akuzoi qeverinë se me grushtin e shtetit po të ecën me të njëjtin ritëm të shpopullimit të vendit, por ai shtoi se nuk do ta lejojë këtë.

"Një vit më parë ata provokuan opozitën për ta larguan nga parlamenti, vrapuan të zëvendësonin deputetët në kundërshtim të plotë me kodin zgjedhor, me ligjin, kushtetutën, vetëm që të eliminohej opozita në Kuvend. Jemi kthyer në një shtet që kujtohemi për shkencëtarët vetëm kur na bie tërmeti. Ku nuk investohet në kërkimin shkencor në bizneset e reja. Grushti i shtetit ka ecur me të njëjtin hap me shpopullimin e vendit. Por shfarosja e Shqipërisë nuk do të ndodhë kurrë. Nëse nga Kosova largohet 1 qytetar, nga Shqipëria 5. Ku po shkojmë kështu? Klima e biznesit në Shqipëri është më e rënda në kontinent. Nuk ka asnjë reagim, ka vetëm heshtje, se ka vetëm kapje, dhe kur kjo ndodh me autoritetin kushtetues të presidentit ju e dini vet se ç'ndodh me ju dhe qytetarët e pambrojtur që nuk kanë mundësi të flasin diku. Si mund të ketë besim tek ky sistem kur synohet të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese që duhet ta zgjedhë vetëm presidenti?", tha Meta, duke kujtuar edhe veprimet e mazhorancës kur e konsideroi nuk dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

"Ata nuk kanë kuptuar gjë akoma, kujtojnë se institucionet e tyre janë supreme. Dekretin e anulimit të 30 qershorit e zbatoi mbarë populli shqiptar duke bojkotuar zgjedhjet. Edhe pse nën presionin e administratën, si ato përgjimet e zogut të Tiranës që i jepnin lekë për vota, nuk arritën dot të bënin letrat. Rrëmbyen 61 bashkitë. Faleminderit KiE që i bojkotoi këto zgjedhje duke anuluar monitorimin e zgjedhjeve 1 partiake", tha Meta.

Ora 18:25
Meta citon Jeffersonin: Kur populli ka frikë nga qeveria aty ka tirani, kur qeveria ka frikë nga populli aty ka liri

Presidenti Ilir Meta edhe pse sulmet ndaj ndërkombëtarëve i ka të shumta, duket se gjatë tubimit ka vendosur të citojë presidentin e tretë të SHBA, Thomas Jefferson me shprehjen e tij 'kur populli ka frikë nga qeveria aty ka tirani, kur qeveria ka frikë nga populli aty ka liri' duke bërë thirrje që populli të kthejë sovranitetin e tij.

'Ky akt synon të vejë në pikëpyetje sovranitetin e vendit. Duke votuar këtë akt të betimi pak orë para mbërritjes së Komisionit Venecias, jo për ta pyetur, por për të mbrojtur kreun e KED. Ky ligj u miratuar me qëllimin për të futur nga oxhaku dhe bërë anëtarët  e gjykatës kushtuese kamikazët e rilindjes. Institucionet mohuan që kishin dhënë mendimin por këtij ligji antikushtetues. Një vend anëtar i NATOS- që bën thirrje për sigurimin e sovraniteti dhe mbrojtjen e Kushtetutës. Këta shpikën si të shenjtë afatin e  Dvoranit dhe nuk e kanë mendjen te puçistët vendas dhe bashkëpunëtorët e tyre këtu brenda. Qytetarët nuk duhan të jetojnë më në një drejtësi të tillë që ofrojnë puçistët. Ata në krye të shtetit të kapur për krime të rënda kushtetuese, drejtësia fatkeqësisht i ndërron. Historia na ka mësuar se edhe Hitleri me anë të ligjeve antikushtetuese e instaloi diktaturën e tij. Kur populli ka frikë nga qeveria aty ka tirani, kur qeveria ka frikë nga populli aty ka liri', tha Meta

Ora 18:20
Meta rendit arsyet pse thirri protestën: Drejtësia u kap prej fyti nga sekti anti-shtet

1583169583_metaa.jpg

Presidenti Meta gjatë fjalës në podium para njerëzve të mbledhur në shesh ka renditur arsyet se pse e thirri këtë protestë. Ai tha se drejtësia është kapur prej fyti dhe se ajo bëhet me regji nga sekti anti-shtet.

'Presidenti thirri popullin sepse i shteroi të gjitha përpjekjet institucionale e demokratike për të parandaluar kapjen e shtetit dhe grushtin e shtetit. E thirra popullin se pse pasuria kombëtare po vidhet çdo ditë dhe ajo është e gjithë shqiptarëve. Drejtësia është kapur prej fyti nga sekti antishteti. Kemi drejtësi me regji që godet të varfrit dhe të pambrojturit dhe mbron ato pranë shtetit. Skandalet që denoncon KLSH bien  në vesh të shurdhët, ekonomia është në ditët më të errëta, oligarkët kontrollojnë kuvendin njëpartiak. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, por ky nen u shkel vetëm për favorizim të oligarkëve. Ligjit nuk mund t'i jepet fuqi prapavepruese në kundërshtim me kushtetutën, që oligarkët të mos paguanin asnjë tatim për fitimet e tyre. Kjo mazhorancë në mënyrë mafioze rrëzoi brenda natës në terr të plotë për ligjin e dividentit. A mundet që një investitor i huaj të besoj në ligjet e këtij vendi? A mundet bizneset e vogla të besojnë, që po falimentojnë çdo ditë? Ndërkohë këto gropa financiare i paguani ju. Ky nuk është shtet i së drejtës dhe i qytetarëve.' tha Meta

 

Ora 18:08
Meta: Unë ushtari i parë i Republikës, presidenca i vetmi institucion legjitim. Ulem në gjunjë para popullit kuqezi

Në fjalimin e tij në podiumin e vendosur përballë presidencës, kreu i shtetit tha se përkulet para popullit që e thirri si president në mbrojtje të Kushtetutës, dhe jo si Ilir Meta.

"Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuqezi dhe popullit kuqezi. Para popullit të shqiponjave. Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkon të shkatërrojë sovranitetin dhe kushtetutën tuaj. Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum në '98 thotë sovranitet i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta, por si presidenti juaj, si i vetmi institucion legjitim demokratik që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj. Sepse kur institucionet bien, bie populli. Dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve. Jemi këtu sepse Shqipëria e sotme është ndarë në dy botë antagoniste, të popullit kuqezi dhe në grupin që përfaqëson një botë të errët, të vogël, meskinë dhe tradhtare, të puçistëve dhe të oligarkëve, që si shushunja pijnë çdo ditë gjakun e popullit me koncesione e PPP. Jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave për metër katrorë. Unë si president i kam rrëzuar publikisht këto dekret të arsyetuara mbi kushtetutë. Dekrete për koncesionet që kanë vetëm një qëllim, grabitjen dhe jo zhvillimin e Shqipërisë. Kërkojnë rrëmbimin e Gjykatës Kushtetuese që krimet e tyre kushtetuese të mbeten të pagjykuara dhe pandëshkuara. Jemi sot këtu sepse asnjë nga ne nuk mund t'i qëndrojë anash grushtit të shtetit. Me nisjen e pranverës kuqezi, unë si ushtar i parë i republikës dhe i gjithë populli kuqezi kundër grushtit të shtetit", tha Meta.

Ora 18:08
Neritan Ceka mbështet presidentin Meta, pjesë e protestës me flamur ne dorë

1583169284_neri.jpg

Edhe politikani Neritan Ceka është pjesë e tubimit të presidentit Meta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili është fotografuar duke mbajtur një flamur shqiptar në dorë.

Kujtojmë që ai e konfirmdoi pjesëmarrjen në protestë në emisionin “Pa protokoll”, të trasmetuar  në Report Tv.

Ora 18:06
Budina: E di se çdo të thotë të të vdesin prindërit e mos t'i shikosh se je emigrant...nuk do lejojmë sulltanin të krijoj sulltanatin e tij

1583169069_BUDINA.jpg

Regjisori Edmond Budina ka qenë më i ashpër në fjalimin e tij. Si një ish-emigrant, artisë, Buda shprehet se kjo ditë do të jetë e rëndësishme për të realizuar ëndrrën prej 30 vitesh.

"Rikthehem pas 30 vitesh për të luftuar për drejtësisë. Kam qenë emigrantë dhe e di se çdo të thotë të të vdesin prindërit dhe të mos i shikosh, të shikosh parlamentit ku deputetët vishen me rroba firmato, kur pensionistët nuk kanë para për të paguar ilaçet. Salet sulltani që mundohet të vendosë sulltanatin e tij nuk do ia dalë kurrë të zbrazë Shqipëri. 30 vite më parë kishte ëndërr që Shqipëria të bëhej si Europa, ne do e bëjmë duke zhdukur këtë oktapod", tha Budina.

Ora 18:05
Banderola që po merr vëmendje në protestën e organizuar nga presidenti Meta (FOTO)

1583168824_banderole.jpg

Një numër i madh banderolash po tërheqin vëmendjen gjatë manifestimit që po mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e organizuar nga presidenti i vendit Meta.

"E ke dh* krejt, nëse bie Kushtetuta, kemi Kanun”, shkruhet në banderolën e mbajtur nga qytetarët.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe perfaqësues të PD dhe LSI.

Ora 18:00
Studentja e drejtësisë: Rama ka tejkaluar çdo limit... por një ditë Shqipëria do të bëhet

Për studentet e drejtësisë, Oneda Skenderi kryeministri Edi Rama ka tejkaluar çdo kufij dhe për këtë ka listuar një sërë argumentesh, që sipas saj legjitimojnë këtë tubim të thirrur nga presidenti Ilir Meta.

"Të mos respektosh parimet e shtetit të së drejtës është të kalosh kufijtë, të lësh vendin pa Gjykatë Kushtetutuese, të mohosh njerëzve të drejtën për t'u shprehur dhe t'u mbyllësh gojën medias, të lësh shpresë familje. Prandaj për t'i thënë ndal atyre që sheklin Kushtetutën jam këtu që zëri i sovranit të dëgjohet dhe do të dëgjohet. Të gjithë studentët e drejtësisë në vitin e parë njihen me parimet e shtetit të së drejtës dhe hierarkinë e normave. kushtetuta është mbi gjithçka dhe mbi këto, e paprekshme. Nëse do më pyesnin për të arfërmit e mi do ju thoja se ato janë larguar, profesionistët po largohen, popullsia po plaket. Mjaft më papërgjegjshmëri, me pasiguri, është e drejta e këtij sovrani të kërkoj një jetë të dinjitetshme. Një ditë Shqipëria do të bëhet", tha ajo.

 

 

Ora 18:00
Tubimi i Metës/ Agim Nesho: Të kesh demokraci është zgjedhja jonë, ta mbrosh detyra jonë

Ish Ambasadori shqiptar në OKB, Agim Nesho  tha se të gjithë janë këtu për të kërkuar një Shqipëri demokratike, ku sot është kapur nga krimi dhe autokracia e pushtetit.

 ' Të kesh demokraci është zgjedhja jonë, të mbrosh është detyra jonë. Të gjithë duam një Shqipëri demokratike, me të drejtat tona të respektueshme, që fëmijët tanë të jenë krenarë të punojnë këtu. Sot Shqipëria është më e plakur, është vrarë shpresa për të ardhmen, polarizimi i ekonomisë, autokracia e pushtetit, lidhjet e krimit me politikën, në një vend ku regjimi një partiak ka kapur institucionet, por llogaridhënia me popullin janë tretur në propagandë ku transparenca mungon. Kemi refuzuar zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit. Sot jemi para shkeljes së Kushtetutës, aktit të madhor për të ardhmen e vendit. Kapja e institucioneve është vija e kuqe për të mbrojtur demokracinë. Mund të kemi menduar se lufta politike është luftë interesash, por e sotmja është kambanë alarmi për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kthimin e sovranitetin', tha Nesho.

Ora 17:55
Boksieri: Titullin kampion ndërkombëtar ia dedikoj 2 marsit! Shqiponjat duhen të kthehen në folenë e tyre

Boksieri Kristjan Demaj ka mbajtur një fjalim të shkurtër në podiumin e ngritur përballë presidencë. Fitoren si kampion ndërkombëtar shprehet se ia dedikon pikërisht 2 marsit.

"Jam i lumtur që ndodhet këtu në këtë manifestim madhështor., Vij pas një fitore të titullit si kampion ndërkombëtar, vetëm para tre ditësh. Ia dedikoj kësaj dite të shenjtë, 2 marsit. Edhe pse nuk kam lindur këtu, zemra ime është kuqezi, rreh për këtë vend të mrekullueshëm, që nuk duhet ta lëmë të shpopullohet, për këtë rini që të ndërtojmë të ardhmen këtu, shqiponjat duhet të kthehen në folenë e tyre. Sot është ditë e shqiponjave. Beteja për Kushtetutën është beteja për të ardhmen tonë", tha ai.

Ora 17:46
Tubimi i Metës/ Shpaloset flamuri gjigant përballë Presidencës

Në hapje të tubimit të thirrur nga presidenti Ilir Meta disa të rinj kanë shpalosur një flamur gjigant kuqezi. Ky flamur u shpalos gjatë kohës kur po këndohej himni kombëtar.

Ora 17:44
Personalitetet hapin tubimin,  Kapexhiu: Mallkuar qofshin ato që shpikën shuplakat, politika e mbushur me pinokë gënjeshtarë

1583168328_PODIUM.jpg

Tubimi i thirrur nga presidenti Meta u hap nga aktori Neritan Liçaj i cili tha se ky manifestim është më i madhi në vend dhe ka ngjyrat kuqezi. 'Jemi këtu në mbrojtje të atdheut tonë të dashur Shqipëri, si asnjëherë tjetër kundër grushtit të shtetit'

Ish anëtari i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe profesori i universitetit të Salzburgut, Ledi Bianku tha se 'në një vend ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese nuk mund të flitet për demokraci dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Pa një gjykata nuk kemi forcën e ligjit, por ligjin e forcës përfshirë edhe në interpretimin e Kushtetutës'

Regjisori Bujar Kapexhiu tha nga podiumi i ngritur në tubimi se të gjithë shqiptarët duhet të ngrihen kundër atyre që tentojnë të prekin  dhe shkelin ligjin për interesa të ngushta personale. 'Mallkuar qofshin ato që shpikën shuplakat dhe të gjithë se bashku të mbrojmë  Kushtetutën. Mos u gënjeni nga politika që është e mbushur me pinokë gënjeshtarë dhe hundëgjatë. Nuk ka rëndësi se kush e ngriti këtë podium sot Meta, më parë kanë qenë Rama e Berisha, por ajo që ne dalim për të mbrojtur, Kushtetutën.'

Ora 17:43
Berisha familjarisht në tubimin e Metës! Dhëndri i tij pozon krah Argitës: E duam Shqipërinë si Europa

1583167981_MALLTezi.jpg

Në tubimin e presidentit Ilir Meta, përveç ish-kryeministrit Sali Berisha janë parë edhe familjarë të tij. Vajza e tij Argita Berisha me bashkëshortin e saj Jamarbër Malltezi kanë shkrupur një selfie nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", të cilën ky i fundit e ka ndarë në rrjetet sociale. "Ëndrrat janë po të njëjtat "E duam Shqipërinë si e gjithë Europa", shkruan Malltezi krah fotos.

Ora 17:41
Kryemadhi e distancuar nga Meta dhe Basha, shfaqet te kryeministria me ish-deputetë të LSI-së

Në këtë protestë nuk ka munguar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo është parë përballë kryeministrisë së bashku nga ish-deputetë të LSI-së, larg podiumit ku po mbahen fjalimet Ajo ka deklaruar se do i bashkohet tubimit si qytetare dhe jo si kryetare e një partie politike.

Ora 17:40
Meta përulet në podium para njerëzve me shqiponjën me duar

Kreu i Shtetit Ilir Meta sapo shkeli në podiumin ku mbahet fjala për tubimin, është përulur në gjunjë para njerëzve dhe ka bërë shqiponjën me duar.  Foto e bërë nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri

Ora 17:32
Krah Bashës, në tubim edhe Mediu, Mustafaj edhe kreu i FRPD

Krah kryedemokratit Lulzim Basha, janë parë në tubimin e presidentit Ilir Meta, edhe figura të tjera të opozitës si Fatmir Mediu, Besnik Mustafaj, si dhe kreu i FRPD, Belind Këlliçi.

Ora 17:31
Meta del nga Presidenca! Përulet duke bërë shqiponjën me duar

Kreu i Shtetit Ilir Meta ka dalë nga Presidenca me dy gishta lartë dhe pak hapa më tutje është përulur para njerëzve duke  bërë dhe shqiponjën me duar. I shoqëruar nga persona publik që pritet të mbajnë fjalën e tyre gjatë tubimit, në krah të tij shihet dhe boksieri Kristian Mema, i cili mban me vete dhe brezin e boksit, dhe kishte shprehur më herët mbështetjen për tubimin.

Ora 17:31
Tubimi i Metës i ngjashëm me protestat e opozitës, dëgjohen thirrje 'Rama ik'...Meta u kërkon protestuesve që të mbajnë qetësi

Në tubimin e presidentit Ilir Meta janë dëgjuar edhe thirrje 'Rama Ik', detaj ky i ngjashëm me protestat e opozitës. Megjithatë, kreu i shtetit u ka kërkuar pjesëmarrësve që të mbajnë qetësi. 

Ora 17:29
Njerëzit në shesh, Meta ende në zyrë me dy gishta lart: Nuk ndalemi deri në rivendosjen e sovranitetit të popullit

Presidenti Meta vijon të qëndrojë ende në zyrë edhe pse njerëzit kanë zbritur në shesh. Në një video Meta shfaqet me dy gishta lart duke thënë se kjo pranverë kuq e zi nuk do të ndalet deri në rivendosjen e sovranitetit të popullit.

"Të dashur motra dhe vëllezër dhe pak minuta dhe kam nderin e jashtëzakonshëm që të bashkohem me të gjithë ju në këtë pranverë kuq e zi që nis sot dhe nuk ndalet deri në rivendosjen e sovranitetit tuaj. Liri demokraci për Shqipërinë si gjithë Europa", tha Meta në video duke dhënë mesazhin e fundit nga Presidenca vetëm pak minuta para se të bashkohet me njerëzit e dalë në shesh.

Ora 17:24
Basha nga kafja në tubimin e Metës: Liria rrënohet kur kushtetuta shkelet! Nuk është protestë, jam si qytetar

Lideri demokrat Lulzim Basha i është bashkuar tubimit të president Ilir Meta duke dalë jo nga zyra e tij në selinë e PD-së, por nga kafja e hotel Rogner, ku më herët kishte takuar ambasadoren amerikan Yuri Kim.

“Mesazhi im është një falënderim nga zemra për gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të mbrojtur Kushtetutën dhe një citim i një prej baballarëve themelues të SHBA Thomas Jefferson: e vetmja garanci për ruajtjen e lirisë është mbrojtja e Kushtetutës dhe se liria dhunohet, kur Kushtetuta shkelet. Në Shqipëri kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku. Mendoj se kriza politike duhet zgjidhur një orë e më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore. Kjo nuk është një protestë, është një tubim  drejtuar gjithë qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të Kushtetutës dhe unë këtu ndodhem si qytetar, si prind, si bir nëne e babai, si bashkëshort dhe si bashkëqytetar i juaji. Unë kam dalë bashkë me miq të nderuar, me zotin Mustafaj, me zotin Bisha dhe miq të tjerë për të dhënë mesazhin e qartë se ky është tubim qytetar. Thirrja u është drejtuar qytetarëve dhe ky është një bashkim qytetar“, tha Basha.

Ora 17:19
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca 'zbret' në bulevard pas thirrjes së Metës

1583166569_avokatja.jpg

Në tubimin anti-qeveritar të presidentit Ilir Meta është parë edhe avokatja e Popullit Erinda Ballanca, e cila përfaqëson një institucion të paanshëm politikisht dhe të pavarur nga organet e administratës publike.

Ora 17:18
Sali Berisha dhe Ervin Salianji i bashkohet tubimit të Metës

Ish kryeministri Sali Berisha dhe ish deputeti i PD-së Ervin Salianji i bashkohen tubimit të thirrur nga kreu i shtetit Ilir Meta. Mbështetja e tyre ndaj këtij tubimi është shprehur edhe më herët, ku kanë bërë thirrje dhe popullit të bashkohet me presidentin dhe mbrojtjen e Kushtetutës sipas tyre.

1583176833_1583175941tubimi10.jpg

Ora 17:14
Disa nga artistët i bashkohen tubimit të Metës...nuk mungon parulla 'Mbro Teatrin'

Ashtu siç e kanë bërë të ditur më herët, në këtë tubim të presidentit Ilir Meta i janë bashkuar dhe një numër i caktuar aktorësh. Në këtë tubim, ashtu sikurse edhe në protestat e kaluara të opozitës, nuk ka munguar pankarta "Mbro Teatrin".

Ora 17:09
Me këngë patriotike, nis tubimi! Presidenca pajis pjesëmarrësit me buqeta mimoza dhe flamuj kuqezi

Tubimi i thirrur nga presidenti Ilir Meta ka nisur. Presidenca është kujdesur që të pajisë çdo pjesëmarrës me flamuj kuqezi dhe lule mimoza, që janë shndërruar në simbol të këtij tubimi. Mimoza dhe flamuj kuqezi nuk janë sjellë nga pjesëmarrësit, por presidenca ka pozicionuar në pika kyçe të Bulevardit të rinj ku bëjnë shpërndarjen e tyre. Në sfond dëgjohen edhe këngë patriotike.

Ora 17:04
Nis tubimi/ Presidenca zbulon skenarin e tubimit: Nga dekreti te votimi dhe betimi (FOTO)

Nis tubimi i thirrur nga presidenti Ilir meta. Presidenca bën me dije se do të firmoset një dekret dhe do të bëhet edhe një betim.

"Motra dhe vëllezër,

Mirësevini në këtë Manifestimin të jashtëzakonshëm Mbarëkombëtar, ku do të firmoset një dekret, do bëhet një votim dhe do shpallet një betim!

Sot nis pranvera e pandalshme kuqezi!", njofton presidenca.

Ora 17:03
Në tubimin e presidentit edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit gjatë qeverisë Berisha, Erzen Breçani

1583164577_brecani.jpg

Në tubimin e sotëm anti-qeveritar të thirrur nga presidenca po merr pjesë edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit në kohën e qeverisë Berisha, Erzen Breçani. Në bulevard është parë edhe Shoqata e Policëve në Lirim mes tyre edhe Aleks Hajdari.

Ora 16:53
Skandali/ Presidenca ankohet tek Garda për dronin e Report Tv në tubim: Mos filmoni, do jua rrëzojmë

1583163958_dron2.jpg

Tubimi i 2 marsit nis me një incident. Presidenca është ankuar tek Garda e Republikës për dronin e Report Tv duke kërkuar që të mos lejohen të filmojë tubimin nga lart.  Një skandal dhe një precedent i pa ndodhur më parë në histori që të mos lejohen dronet e televizioneve të filmojnë protestën. Kjo është vendosur nga presidenca e cila është ankuar te Garda që të bllokojë dronin e Report TV, përndryshe do të rrëzojnë dronin me pajisjet e tyre dhe do e sekuestrojnë.

Në këtë tubim duket se media nuk mund të filmojë se çfarë po ndodh, por presidenca vendos se do të lejohen vetëm droni i saj dhe jo ai i Report TV dhe për këtë ka nxjerrë Gardën të njoftojnë gazetarët të largojnë sa më parë dronet e televizonit të tyre. Në përfundim u vendos që droni të lejohet të filmojë përgjatë bulevardit, por jo mbi presidencë.

Report Tv kishte ngritur për të paraqitur me pamje nga lart atë se çfarë ndodh në tubimin në gjithë bulevardin Dëshmorët e Kombit. Këshilltarë të presidencës i kanë kërkuar gardës të rrëzojë dronin, pasi me filmimet mbi presidencë rrezikohet siguria e presidentit. 

Ora 16:50
Meta 'nxjerr' zyrën në shesh

Gjithçka ka marrë formë në shesh. Presidenti Ilir Meta ka 'nxjerr' në shesh zyrën e tij, tavolina dhe karrigia ku pritet që të firmosë dekretin që ka paralajmëruar më herët.  Grupet e njerëzit kanë mbërritur, e ndërsa shihen që janë në duar disa prej tyre kanë edhe mimoza, duke iu bindur kërkesës së presidentit Meta.

Ora 16:49
Masat e policisë para filimit të tubimit të Presidentit Meta
Ora 16:35
PD në mbështetje të Metës në tubim...Gazment Bardhi dhe Sait Dollapi me FRPD nisen drejt bulevardit

Të rinjtë e FRPD-së të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi janë nisur drejt Bulevardit 'Dëshmorët e Kombit', në tubimin e thirrur nga presidenti Ilir Meta. Bardhit i është bashkuar edhe sekretari organizativ në PD, Sait Dollapi, ish-deputeti Endri Hasa. Sa i përket kryedemokratit Lulzim Basha nuk dihet ende se kur do t'i bashkohet këtij tubimi.

Ora 16:33
'Unë jam Kushtetuta';' Stop dictatorship' 'Japin jetën për liri'...Në tubim jo vetëm flamuj kuqezi, të rinjtë shpalosin edhe pankarta

Përveç flamujve kuqezi, siç presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar që do ketë në tubimin e thirru prej tij, nuk do të mungojnë as pankartat. Me mbishkrime "Studentët bashkohen" "Stop dictatorship" "Unë jam Kushtetuta" disa të rinj i janë drejtuar Bulevardit 'Dëshmorët e Kombit'. "Të çlirojmë drejtësinë drejtësisë nga pushteti, të shpëtojmë vetën nga robëria", "Të gjithë të barabartë para ligjit"; "Studentë të mjekësisë bashkohemi", "Unë nuk dua që të emigrojë, bashkë për Shqipërinë"...janë këto disa nga pankartat që të rinjtë mbajnë në duar gjatë tubimit.

Ora 16:13
Shirit kuqezi në krah...bëhen përgatitjet e fundit të tubimit të Metës! Gati tavolina ku do firmoset 'dekreti i rëndësishëm'

Shirita kuqezi në krah do të jetë simbol i këtij manifestimi të thirrur këtë 2 mars nga Presidenti Ilir Meta. Kur kanë mbetur më pak se një orë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" po bëhen përgatitet e fundit. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka bërë një panoramim të asaj që ofrohet në bulevardin përballë presidencës. Fonia është testuar, podiumi ku pritet të mbaj një fjalim kreu i shtetit, Ilir Meta e ndërsa është vendosur edhe një tavolinë, që mësohet se aty do të firmoset "dekreti i rëndësishëm" që Meta e ka paralajmëruar qysh në krye të herë. Trafiku është devijuar në këtë bulevard, e ndërsa do të mbyllet krejtësisht në rrugët përreth nga ora 16:30, 30 minuta para nisjes së këtij tubimi. Report Tv mësoj se presidenti Meta do të dalë nga hyrja kryesore e presidencës, për t'iu bashkuar turmës së njerëzve. Duke qenë se Meta ka dalë garant se gjithçka do të jetë paqësore në terren nuk janë vendosur autobote me gazlotsjellës, detaj që e kemi parë në protestat e opozitës, por janë autobote me ujë dhe blinda në gatishmërinë vijën e parë do të jenë efektivë policie nga komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 e ndërsa në vijën e dytë forcat speciale.

Ora 15:00
Me kushtetutën e një buqetë mimozash në duar, Meta thirrjen e fundit për shqiptarët para tubimit (VIDEO)

Me kushtetutën dhe me një buqetë me mimoza në duar, nga oborri i presidencës, kreu i shtetit Ilir Meta ka bërë thirrjen e fundit ndaj shqiptarëve për tubimin sot para orës 17:00. 

"Kushtetuta e popullit po pret popullin e kushtetutës. Edhe pak momente na ndajnë nga nisja e pranverës kuqezi. Mirësevini të gjithë", shprehet Meta.

Ora 13:06
Katër orë nga tubimi i Metës vihet në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' podiumi i Besëlidhjes (FOTO)

Kur kanë mbetur rreth katër orë nga nisja e tubimit të presidentit Ilir Meta, organizatorët e tij, kanë vendosur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", podiumin e fjalimeve ku dhe do të firmoset dhe ajo që ai e ka quajtur "Besëlidhje me qytetarët kundër grushtit të shtetit".

1583150903_PODIUMI.jpg

Ora 11:08
'Vatra është me Presidentin'! Meta poston deklaratën: Diaspora në SHBA, shtysë kryesore


Presidenti Ilir Meta ka bërë një tjetër postim në Facebook në lidhje me protestën që ka thirrur pasdite në orën 17:00. Kreu i shtetit ka publikuar një deklaratë, sipas tij të Federatës Panshqiptare në SHBA 'Vatra', që vendoset në krah të Ilir Metës dhe kundër qeverisë Rama. Pas publikimit të deklaratës, Ilir Meta falenderon 'Vatrën'.

"Falenderim të përzemërt për VATRËN, organizatën më të vjetër Panshqiptare në SHBA, të themeluar nga dy korifejtë dhe personalitetet e mëdhaja të kombit tonë, Fan Noli dhe Faik Konica. Shqiptarët e diasporës, veçanërisht ata në SHBA, në momentet më kyçe dhe vendimtare të kombit kanë qenë shtysa kryesore për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë' shkruan Meta.

Ora 09:44
Postblloqe në Vlorë, Gjirokastër dhe Fushë Krujë para tubimit! Në fokus kontingjenti kriminal (VIDEO)

Policia e Vlorës ka ngritur një pikë kontrolli në hyrje të autostradës që e lidh me Fierin. Në fokus të kontrolleve janë personat problematikë apo të skeduar, që mund të kenë destinacion edhe protestën pasditen e sotme në Tiranë të thirrur nga presidenti Meta. Edhe në aksin Fushë Krujë- Durrës dhe në Gjirokastër janë ngritur pika postblloku për elementët kriminalë që mund ti drejtohen tubimit. Report Tv sjell pamjet nga postblloqet në Vlorë dhe Fushë Krujë.

1583138743_vlore.jpg

Ora 09:19
Policia i jep leje Presidentit vetëm 2 orë leje për protestën, 1 mijë efektivë në gatishmëri

Policia e Shtetit i ka dhënë leje Presidentit Ilir Meta që të zhvillojë tubimin në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' pasditen e sotme për 2 orë, nga 17:00 deri në 19:00. Edhe pse kreu i shtetit u shpreh se i kërkoi drejtuesve të policisë sa më pak efektivë, pasi do t'i mbrojnë vetë institucionet me aktivistë, policia ka marrë masat.

Për mbarëvajtjen e tubimit dhe shmangien e incidenteve do të jenë në dispozicion rreth një mijë efektivë nga rrethet, por edhe FNSH-së e RENEA-s. Kontrollet për hyrjet në pikat kufitare kanë nisur që mbrëmjen e djeshme, ndërsa pak orë para tubimit do të nisë edhe kufizimi i qarkullimit në makinave në bulevard.

Ora 09:08
Mesazhi i Metës para protestës: Jemi në rrezik pushtimi, ejani në Besëlidhjen e re

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën e protestës me një thirrje për qytetarët që t'i bashkohen në orën 17:00 në atë që ai e cilëson si manifestim kundër qeverisë. Kreu i shtetit risjell në vëmendjen e shqiptarëve Besëlidhjen e Lezhës në 2 mars 1444, duke kërkuar reflektim që një gjë e tillë të ndodhë edhe sot përballë atij që ai e cilëson si 'rrezik pushtimi nga një sekt mafioz' referuar Rilindjes. Ilir Meta sot kërkon një Besëlidhje të re.

"Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, siç me të drejtë ka thënë Fan Noli, do të mbetet shqiptari më i gjallë ndër të gjallët, figura më shpëtimtare dhe më frymëzuese për mbijetesë e kombit tonë, që testament na ka lënë domosdoshmërinë e bashkimit në momentet më të rrezikshme të ekzistencës së kombit tonë. Sot në përkujtim të ngjarjes historike të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit kombëtar përballë rrezikut të asimilimit e shkombëtarizimit, mesazhi që na sjell nga historia, uroj të na ndihmojë ne të gjithëve për reflektuar, për t’u ngritur dhe bashkuar sa nuk është vonë, në një Besëlidhje të re, po aq të fortë e gjithëpërfshirëse, përballë një rreziku të ri pushtimi nga një sekt mafioz, pa fe, pa familje, pa atdhe, që ka marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari! Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort! Mirësevjen Beselidhjen e re me Pranverën Kuqezi" Meta.