Pas zhurmës, ku fillon heshtja!

Në Hagë nuk po gjykohen katër burra, po gjykohet liria. Liria për të patur kombin tënd natyror. Liria për të mbrojtur jetën dhe nderin.

Dhe kur lirinë e vënë në bankën e të akuzuarve, cilido që hesht bëhet pjesë e turmës që sheh kryqin të gozhdohet në shpinën e atdheut, por kthen kokën mënjanë i patrazuar.

Unë do jem sot në protestë, sepse kombi nuk është banderolë që mbahet vetëm në festën zyrtare, por është kocka e fortë që mban në kembë jetën e një populli.

Ka çaste kur historia nuk del në rrugë me flamuj por lëviz nën lëkurë pa te pyetur, si frymë që të gërvisht në brinjë, si kujtim që s’të lë të flesh.

Sot është një prej atyre çasteve; nuk behet fjalë thjesht për drejtesi- bëhet fjalë për kujtesë.

Sot nuk është ditë për zemërim, as për britma, eshtë ditë për përballje me vetveten.

Dhe pa patur fare merak për patetizmin, është dita për të pyetur ndërgjegjen: Vallë ke harruar kush pagoi për frymën që ky komb merr sot?

Une sot nuk jam thirrur nga partitë. Une sot jam thirrur nga ndërgjegjja. Sepse nuk janë vetëm katër burra- në bankën e akuzës është historia jonë!

Ajo histori, që dikush do të donte ta pastronte si njollë pikerisht sepse i verbon sytë drita e saj.

Katër burra qëndrojnë para gjykatësve, por në të vertetë perballë tyre jemi ne të gjithë, sado të lodhur, sado të harruar, sado të zemëruar edhe prej vetes sonë.

Unë do jem sot në protestë jo për t’u numëruar, por për të mos mundur të harroj edhe kur të jem i mundur për t’u ringritur serisht. Sepse sot nuk matim pjesëmarrje por ndërgjegje.

Ndaj nuk shkoj për t’u dukur, as për të marrë skenë. Shkoj për të shtuar forcë në perpjekjet e ketij populli për të mbajtur gjallë me cdo kusht, besimin se liria nuk është kujtim, është detyrim.

E për ketë ka plagë që duhen mbajtur hapur, që dhimbja të jetë e gjallë e gjaku të mos ftohet në damarët e kombit.

Sot ne nuk protestojmë për të kaluarën. Sot protestojmë që e ardhmja të mos kthehet në përsëritje. Sepse kujtesa nuk është muze qe vizitohet kur ke kohë-  është muskul; nëse s’e përdor, mpaket.

Dhe, kur turma të shpërndahet, kur flamujt të ulen, kur zhurma të shuhet, ajo që do mbetet është një ndjenjë e vetme, e ftohtë dhe e drejtë: Sot ishim aty!

Sepse s’kishim të drejtë të mungonim. Sepse ka çaste kur mungesa është tradhti, dhe prania është nder.