Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vizituar mbrëmjen e sotme së bashku me ministren e Brendshme Albana Koçiu në Repartin e Djegieve efektivët e dëmtuar gjatë protestës së opozitës. Proda iu ka uruar efektivëve të policisë shërim të shpejtë.

Gjatë një prononcimi për median, ai ka falënderuar punonjësit e Policisë për profesionalizmin, sakrificën, durimin dhe maturinë e treguar përballë ‘një barbarie të tejskajshme’ me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, ku për pasojë u lënduan 16 efektivë.

“Falënderim për të gjithë punonjësit e Policisë për profesionalizmin që kanë treguar dhe vetëm Zoti e di sa krenar jam për ta, për atë që ata bëjnë çdo ditë dhe për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë e tejskajshme që treguan sot, në kundërshtim me atë me të cilën u përballën, e cila ishte shenjë e një barbarie ekstreme”, tha mes të tjerash Ilir Proda.

Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, iu përgjigj edhe pyetjeve të bëra nga gazetarët.

Pyetje: Mesa u vu re gjatë protestës, pati dy të mitur të cilët shfaqën veprime të dhunshme, duke hedhur sende të forta në drejtim të efektivëve. A do të shoqërohen ata, siç ndodhi edhe në protestën e shkuar, ku u shoqërua një 14-vjeçar?

Ilir Proda: Hetimet sapo kanë filluar, ekipet po kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne, në vazhdimësi, kemi bërë thirrje që të miturit të distancohen. Do të nxjerrim përgjegjësitë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe besoj se edhe në vijim do të kemi qëndrime për këto situata.

Pyetje: Përveç efektivëve të Policisë, a ka protestues të plagosur, me aq informacion sa keni?

Ilir Proda: Nuk kemi informacion deri më tani për protestues të plagosur.


Lajmi kryesor:

Berisha protestë vetëm me militantë/ Molotovë drejt Kryeministrisë dhe efektivëve te Kuvendi, 19 policë me djegie në spital, 20 protestues të shoqëruar! (VIDEO)