Para disa ditësh, ekonomisti amerikan me famë botërore Zheremi Rifkin ishte në Itali për të promovuar librin e tij të fundit “PLANETI UJË” (PLANET WATER). Në vitin 2008, ai ishte i pari që hodhi idenë e Green Deal apo të marrëveshjes së gjelbër, një ide që u përqafua nga Bashkimi Europian dhe gjithë bota e cila kërkonte që të zëvendësohej sa më shpejt energjia e fosileve me atë të rinovueshmen në mënyrë që të shmangej efekti i gazit serrë.
Tani ai ka ngritur një alarm tjetër. Sipas tij, në qoftë se nuk do të mësojmë të sillemi ndryshe me ujin, jeta e planetit do të jetë në rrezik. Mendimet e tij ai i dha edhe në një intervistë në gazetën italiane. Është uji, jo toka, që na bën unikë në univers. Hidrosfera, për shkak të ngrohjes globale, po rebelohet, siç tregohet nga frekuenca gjithnjë në rritje e ngjarjeve ekstreme të motit që dëmtojnë ekosistemet dhe infrastrukturën dhe shpesh çojnë në vdekje. Epoka e karburanteve fosile duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe speciet tona do të rrezikohen të zhduken. E vetmja gjë që duhet bërë është të ridimensionojmë qasjen tonë për ujin si një burim jete dhe jo si një burim për t'u shfrytëzuar; të mësojmë të përshtatemi me hidrosferën në vend që ta përshtatim hidrosferën me ne, siç kemi bërë për gjashtë mijë vjet me radhë. Për ta bërë këtë, do të duhet të miratojmë një Marrëveshje Blu së bashku me Marrëveshjen e Gjelbër që Bashkimi Evropian e ka lançuar tashmë. Ky është shansi ynë i fundit për të kaluar nga një Epokë Progresi që po vdes në një Epokë Rezistence në zhvillim e sipër.
Koha është tani; çdo gjë tjetër është një shpërqendrim. Po përse UJI DUHET VËNË NË QENDËR TË GJITHCKAJE Arsyeja është e thjeshtë, vijon ai: jemi në krizë dhe nëse nuk bëjmë asgjë, ngrohja globale do të shkaktojë zhdukjen tonë. Problemi është se për t'iu përgjigjur krizës, po përdorim të njëjtin manual udhëzimesh që na solli deri këtu, kur duhet të rimendojmë gjithçka. Pika e fillimit është uji: pa të, nuk do të kishte jetë në Tokë; është hidrosfera që përcakton litosferën , me tokën, pemët dhe bimët. Gjashtë mijë vjetët e qytetërimit tonë kanë qenë vite të qytetërimit hidraulik: ne jemi përpjekur në mënyrë progresive të kontrollojmë ujin dhe ta vëmë atë në shërbimin tonë: digat, argjinaturat, ujësjellësit, rezervuarët janë fazat e kësaj historie që shtrihet nga Mesopotamia deri në ditët e sotme, duke kaluar nëpër Romën e Lashtë." Po çfarë është rebelimi i hidrosferës ?"
Ajo që po ndodh, vijon ai, është kulmi i dy revolucioneve industriale të nxitura nga lëndët djegëse fosile. Sistemi filloi të shembet në korrik 2008. Tani loja e fundit ka filluar, çmimet rriten dhe bien, dhe të gjithë flasin për tarifat.
Por një sistem i ri ekonomik është mbi ne: inteligjenca artificiale, printerët 3D dhe energjia e rinovueshme do të jenë shtyllat kyçe të një bote të re, të decentralizuar. Mirëpo- "Në realitet, sistemi ekonomik duket gjithnjë e më i centralizuar çdo ditë: disa kompani të Silicon Valley kanë një përqendrim të tillë pushteti sa duket se janë në gjendje të drejtojnë botën. Është vërtet kështu ? Ja si përgjigjet Rifkin : Kompanitë e mëdha të Silicon Valley nuk do të jenë më këtu pas tridhjetë vjetësh. Bota reale po ndryshon, teknologjitë mundësojnë një ekonomi gjithnjë e më të shpërndarë dhe ndryshimi i klimës po riformëson gjeografinë sepse dëmi që shkakton nuk njeh kufij. E ardhmja nuk u përket shteteve, por bio-rajoneve, domethënë rajoneve që ndajnë ekosistemet dhe kujdesen për to. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të vendosim ujin përsëri në qendër. Asnjë nga ato që them nuk është teorike: po ndodh tashmë kudo, thjesht nuk jemi në gjendje t'i lexojmë shenjat."Pasi frymëzuat Marrëveshjen e Gjelbër të Bashkimit Evropian, tani po bëni thirrje për një Marrëveshje Blu. Ku jemi aktualisht? - e pyet gazetari i Corriere della Serës. Kjo ndodhi pavarësisht nga unë, përgjigjet Rifkin. Po mbaroja librin Planet Aqua dhe Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian tha: na duhet një Marrëveshje Blu sepse nuk kemi ujë. Ndonjëherë kemi shumë, ndonjëherë nuk kemi mjaftueshëm; nuk mund ta menaxhojmë industrinë në këtë mënyrë. Pastaj ndërhyri Komiteti i Rajoneve.
Dhe në atë pikë filluam të shkonim në Parlamentin Evropian: tani po punojmë me të gjitha palët dhe duhet ta falënderoj Kryeministren Giorgia Meloni sepse, kur ishte presidente e G7, ajo institucionalizoi Koalicionin e Ujit G7 . Ishte një gjë e shkëlqyer."Megjithatë, Shtetet e Bashkuara po shkojnë në drejtim të kundërt. Një president fitoi me sloganin. Nafta e para e provokon gazetari. Do të them diçka që do të habisë shumë, vijon Rifkin. 87% e infrastrukturës energjetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në pronësi të shteteve, jo të qeverisë federale. Dhe kjo ndryshon gjithçka. Merrni San Antonion: është qyteti ynë i gjashtë më i madh. Në vitin 2010, më telefonuan për të kuptuar se ku duhet të investonin nga ana e energjisë; ata hezitonin midis energjisë bërthamore dhe asaj të erës.
Unë i binda ata, dhe sot Teksasi është prodhuesi më i madh i energjisë së erës në Shtetet e Bashkuara. Dhe shumica e shteteve të tjera me mazhorancë republikane prodhojnë gjithashtu energji të erës dhe diellore; nuk është politika që vendos fatin tonë, por ekonomia. Produkti i dytë më i shitur i konsumit në Amerikë tani është një kamionçinë, një kamion macho, Ford F150, dhe është elektrik. Në Uashington DC ata do të duhet të pajtohen me atë që ndodh në botën reale dhe me idetë e reja që vijnë nga universitetet ku programet e diplomimit mbi ujin janë shumëfishuar dhe ku printerët 3D janë në shtëpi. Sistemi akademik në Shtetet e Bashkuara është vërtet i tronditur sepse po humbet fondet publike dhe shumë studiues po planifikojnë të shpërngulen në Evropë, vazhdon gazetari. "Kjo është e vërtetë, - vijon Rifkin, por nëse përqendrohemi vetëm këtu, do ta humbasim thelbin: idetë e reja që vijnë nga universitetet po e ndryshojnë ekonominë dhe për rrjedhojë edhe botën."A është demokracia në Amerikë në rrezik?
Sigurisht, është në rrezik, por po ndodh diçka më e rëndësishme: botëkuptimi perëndimor po hyn në krizë dhe ideja thellësisht amerikane që njerëzit duhet të mendojnë vetëm për pasurimin e tyre me çdo kusht, madje edhe duke shkatërruar natyrën, sepse kjo në fund të fundit do t'u sjellë dobi të gjithëve, kjo ide është tronditur. Kultura jonë është një kulturë e bazuar në shfrytëzimin e tokës, dhe kjo është qesharake sepse uji është burimi ynë i jetës. Fetë dhe filozofitë lindore flasin për jetesën në një planet me ujë, dhe për to, të kuptuarit e transformimit për të cilin po flas do të jetë më i lehtë. Evropa dhe Azia kanë shumë të përbashkëta dhe ndajnë një kontinent, Eurazinë, i shkëputur vetëm nga katër ura me Turqinë.
Amerika mund të ketë sukses vetëm nëse më të rinjtë, Gjenerata Z, Alfat dhe Betat, e kuptojnë këtë. Unë jam i moshuar, por kam shpresën time tek të rinjtë, vijon ai. Do të doja që ata të mbanin mend tre gjëra: së pari, secili prej nesh është një ekosistem i lidhur me natyrën; së dyti, neuronet pasqyrë na lejojnë të ndiejmë empati dhe të mendojmë kolektivisht, dhe kjo na jep forcë të jashtëzakonshme; dhe së treti, duhet ta riemërtojmë planetin tonë në mënyrë që kur një fëmijë të pyesë mamin dhe babin: Si quhet ky vend?, ata t’i thonë: - Zemër, ti jeton në një planet me ujë. Kjo do ta ndryshojë të gjithë paradigmën për pjesën tjetër të historisë.
Komente









