Ilir Yzeiri: Heronjtë e pamjaftueshëm

Ilir Yzeiri: Heronjtë e pamjaftueshëm

Tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe

Lirimi i tre policëve të forcave të rendit të Kosovës ishte diçka që pritej. Edhe përsëritje e zgjedhjeve në Veriun e sajishte diçka që do të ndodhë. Edhe këtë herë situata do të vendoset në drejtpeshimin e brishtë që të prodhojë përsëri incidente në mënyrë që qoftë Albin Kurti, qoftë Vuçiç të shfaqen si heronj që i tregojnë muskujt njëri-tjetrit në një betejë që asnjëri prej tyre as nuk e nis dot dhe as nuk e çon dot deri në fund. Pse ? Është shumë e thjeshtë. Asnjëri prej tyre nuk ka fuqinë të realizojë qëllimin final, pra as Kurti nuk e ka fuqinë të imponohet në Veri të Kosoëvs, në rajonin me shumicë serbe dhe as Vuçiç nuk mund t’i imponohet Kosovës ashtu siç do të donte ai, që Republika e Kosovës të mos njihej dhe të projektohej në Perëndim si vendi që shtyp minoritetin serb dhe ai, pas kësaj, njësoj si Putini në Ukrainë, t’i jepte të drejtë vetes dhe Serbisë që të marshonte mbi Kosovë për të çliruar vëllezërit serbë nga nazifikimi kosovar, nëse do të përdornim terminologjinë e Putinit kur nisi pushtimin e Ukrainës.

Ngjarjet në veri të Kosovës treguan se retorika e ndeshjes dhe determinizmi politik, imponimi me mjetet e forcës për të drejtën legjitime të Kosovës që të kontrollojë territorin e saj, nuk përkrahen nga Perëndimi. Po ashtu, mentaliteti sllavomadh dhe retorika e nacionalizmit agresiv të Vuçiçit nuk mund të tolerohen nga Perëndimi. Të dyja palët këtë radhë bënë nga një provë force. Kurti dërgoi policinë dhe forcat speciale që të vendosë në zyrat komunale të zgjedhurit në një proces votimi të ligjshëm, por jo të realizueshëm dhe Vuçiç iu kundërpërgjigj me rrëmbimin brutal të tre policëve të Kosovës të cilët, në mënyrë spektakolare, i rrëmbeu në territorin e Kosovës, bash në atë territor që Kurti kishte vendosur ta kontrollonte duke përdorur të drejtën e ligjshme të forcës. Gjithë këtë kohë, bota po shihte vetëm një spektakël që i ngjante një melodrame banale në të cilën heronjtë nuk ishin të aftë ta mbyllnin konfliktin, por vetëm sa e shfaqnin atë. Të gjithë po shihnin një shfaqje që riprodhonte pafuqinë e heronjve të cilët megjithëse nxirrnin avuj patriotikë, nuk mund ta mbyllnin shfaqjen.

Tani që aktorët kanë ikur, skena ka mbetur bosh dhe shfaqja më shumë ka prodhuar antipati sesa vlera. Si mund të rivendoset drejpeshimi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në një botë që po pushtohet çdo ditë e më shumë nga pasiguria, ku lufta në Ukrainëështë një nga shfaqjet më tragjike. Duam apo nuk duam ne, Kosova dhe Serbia janë të dënuara të gjejnë zgjidhje me anë të dialogut dhe në tryezë. Në fushën e betejës ato e panë që mund të prodhojnë vetëm karikatura heronjsh. Por të mos harrojmë që popujt e Ballkanit kanë nevojë për zhvillim, për ekonomi të qëndrueshme dhe shkëmbime, për treg të hapur e për projekte që përmirësojnë jetën e tyre. Të gjithë ata që mendojnë se mund ta begatojnë jetën e banorëve të tyre duke ndërtuar shfaqje me heronj të pamjaftueshëm siç qe kjo e fundit, vetëm sa e mbajnë gjallë narrativën e neveritshme të luftës që asnjëra palë nuk e fiton dot.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!