Ilir Yzeiri: Koha e humbur e shqiptarëve

Ilir Yzeiri: Koha e humbur e shqiptarëve

Kur flasim për të ardhmen askush nga ne nuk e di se si do të jetë shoqëria njerëzore nesër, por ama të gjithë e dimë se po të vështrojmë të shkuarën, duhet të bëjmë gjithçka që të mos përsëriten gabimet e saj dhe të dimë të ruajmë ato vlera që mund të na shërbejnë për atë që vjen më pas.

Nëse e sheh shoqërinë njerëzore nga kjo pikëpamje, vëren se dallimi mes vlerave perëndimore dhe atyre regresive qëndron pikërisht këtu: njëra palë e ka ndërtuar të ardhmen duke mos përsëritur krimet e së shkuarës, tjetra e ndërton duke e marrë të shkuarën si model për të imponuar të keqen.

Nga kjo pikëpamje, nëse e vështron historinë e shtetit shqiptar, në pjesën më të madhe, ne kemi humbur kohën e çmuar historike dhe ndaj jemi prapa të tjerëve. Që në agim të Pavarësisë, fill pasi e shpallëm atë pas gjithë atyre viteve të errëta nën pushtimin otoman dhe pasi rrezikoheshim që të shuheshim fare si komb, bash në kohën kur fqinjët tanë po na copëtonin dhe po merrnin territore shqiptare duke djegur e duke masakruar shqiptarë në jug e në veri, bash në këtë kohë, një i çmendur fanatik i Baba Dovletit, Haxhi Qamili ngrihet e djeg Shqipërinë për t’u rikthyer pas në kohë, për ta bërë Shqipërinë vilajet të Babait të Madh. Ashtu në kundërkohë dhe me shpirt nëpër dhëmbë, shqiptarët arritën më 1920 që të ndërtojnë shtetin e tyre dhe falë SHBA-ve të shpëtojnë edhe territorin. Mos të harrojmë këtu edhe luftëtarët e Vlorës që mbajtën ndezur shpirtin e lirë për pavarësi.

Vitet e mbretërisë janë përpjekje brenda një shteti autoritarist për të bërë hapa para dhe për të kapur kohën e humbur. Ndërsa dalja në skenë e fashizmit dhe nazizmit, në fillim në Spanjë me Frankon e pastaj me Luftën e Dytë Botërore e gjetën Shqipërinë në vendin dhe kohën e duhur. Të rinjtë revlucionarë dhe komunistët që udhëhoqën atë luftë ishin në krahun e duhur të historisë dhe në aleancë me ata që hodhën themelet e Europës së sotme moderne e cila me po atë frymëzim po mbështet edhe rezistencën në Ukrainë duke treguar se Europa e sotme është ngritur mbi thelemlet e luftës kundër nazizmit e fashizmit dhe se asnjë formë agresioni ndaj popujve të lirë, sido që të shfaqet ai, nuk mund të tolerohet nga Perëndimi.

Mirëpo, pikërisht atëherë kur të gjithë zgjodhën progresin dhe përparimin, Shqipëria e fitimtarëve u zhyt në diktaturën komuniste dhe ata që kishin zgjedhur kohën e duhur në fillim, në fund rezultuan si humbës të mëdhenj. Në mbarim të viteve ’90 Shqipëria kishte humbur kohën e çmuar. Ne do të na duhej ta rinisnim edhe njëherë nga e para.

Mirëpo, si asnjëherë më parë, në këta tridhjetë vjet shqiptarët zgjidhën disa nga dramat më të mëdha historike. Më e madhje ndër to ishte pavarësia e Kosovës, por edhe forcimi dhe rritja e peshës së faktorit shqiptar në Ballkan. Fundi i shekullit të shkuar dhe agimi i këtj shekulli mund të quhen si koha e shqiptarëve.

Për të mos harruar cenet antropologjike që kemi dhe aftësinë e keqe për ta kthyer kohën mbrapsht, shqiptarët e Shqipërisë e nisën rrugën e demokracisë duke hapur plagët më të rënda të këtij sistemi. Në vend të lirisë së zgjedhjeve në vitin 1996 vendosën t’i masakronin ato dhe të ushtronin dhunën mbi opozitarët që dolën në shesh të protestonin për krimin zgjedhor. Në vend të respektimit të opozitës, u burgos lideri i saj. Partia Demokratike që kishte lindur si shpresë dhe si e kundërta e Partisë Komuniste, për fat të keq drejtohej nga një komunist fanatik i cili, për ta drejtuar atë forcë politike, mori si model enverizmin. Demokracia shqiptare që lindi nga protestat paqësore të studentëve dhe që u mbështet nga gjithë shqiptarët, u vodh nga mendja e mbrapshtë e një njeriu që i shkaktoi aq dëme këtij populli sa në ndonjë rast mund të barazohet me krimet e diktaturës. Mjaft të kujtojmë 1997-n, Gërdecin apo 21 janarin.

SHBA-të aleati më i madh i yni dhe faktori vendimtar për paqen sidomos në Ballkan e kanë shpallur person « non grata » këtë njeri dhe familjen e tij.

Mirëpo ai, duke prekur instiktet haxhiqamiliste të shqiptarëve të cilët shohin te një figurë regresive fuqinë për t’u hakmarrë ndaj cilitdo që ka prekur nënvetëdijen e errët të tyre, ka uzurpuar PD-në, kërcënon gjykatën për vendimin që pritet të japë dhe shpall armik kundërshtarin e tij politik.

Kjo retorikë e tij është klithma e dëshpëruar e një frikacaku dhe e një të dënuari përjetë nga aleati ynë strategjik. Ai nuk mund të djegë më saraje siç bënte aletregoja e tij Haxhi Qamili, ai vetëm mund të përdorë dhunën verbale për të treguar se shqiptarët edhe njëherë po përballen me një mundësi për të parë se si mund të humbasësh kohën e çmuar historike.

Ai është koha e humbur e shqiptarëve, asgjë më tepër.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion