Ilir Yzeiri: Vaj si kenka ba dynjaja

Ilir Yzeiri: Vaj si kenka ba dynjaja

Ilir Yzeiri

(Në emisionin e dytë të « ADN Ilir Yzeiri », që transmetohet çdo të enjte në RTSH2, ora 21 u trajtua tema e këngës lirike qytetare shqiptare të viteve ’30 me muzikologun dhe dirigjentin Eno Koço si dhe tema e ndarjes administrative territoriale me Prof. Perikli Qiriazin. Por të dyja këto tema duket se mund të përmblidheshin në dy vargjet e këngës së bukur shkodrane «Vaj si kenka ba dynjaja » të cilin unë e përdora si titull edhe të komentit tim që shoqëron çdo emision).

Ky është titulli i një kënge qytetare shkodrane shkruar nga një poet që ka humbur në mjegullën e një kohe që prodhon më shumë harresë sesa vëmendje. Vargu i dytë i saj : « Mos me t’u ba me kenë gjallë » përmbledh pastaj filozofinë e trishtimit që kapërcen çdo kohë dhe që shënjon më së shumti fatin e njeriut në tokë. Ai këngëtar, ose më mirë të themi ai kantautor që ka nisur të këndojë me këtë habi fatale ka treguar gjendjen e tij të vështirë dhe thotë se ka qenë i pafat. Por brenda këtij fataliteti ai duket sikur tregon tragjizmin që merr kuptimi për jetën kur shohim se shumë gjëra nuk shkojnë ashtu si do të donim ne.

Ai pikëllim i atyre dy vargjeve ka mbetur larg. Ne nuk kthehemi dot në vitet ’30 dhe nuk arrijmë ta mirëkuptojmë atë këngëtar, sepse, në jetën tonë, kanë ndryshuar shumë gjëra. Në këngët tona ka humbur kjo filozofi ; në to ka një lloj agresiviteti që prodhon konsumizmi i tejfryrë. Në këngët tona të dashurisë fjala vjen, nuk ka më dritare, nuk ka lot, nuk ka mall, nuk ka poezi. Në to, melodia shoqërohet në sfond me imazhet e makinave luksoze dhe trupat e zhveshur që shoqërojnë më së shumti klithmat e një brezi i cili ka humbur poezinë e jetës dhe ka sfiduar kohën, duke e varrosur diku larg nostalgjinë. Ndjesi të tilla si malli, trishtimi, vuajtja, mahnitja para bukurisë të duket sikur nuk ekzistojnë më sepse gjithçka është konsum si uji dhe ushqimi, si pija dhe makina. Ato nuk sigurohen me mundim, ato rrëmbehen ose jepen me kredi. Ndaj lajtmotovi i këngës « Vaj si kenka ba dynjaja » i shkon edhe gjendjes në të cilën është muzika e lehtë në Shqipëri e zotëruar më së shumti nga turbofolku dhe nga zhurmat e klithmat, aq sa të duket sikur ky vend nuk paska pasur asnjëherë muzikë.

Në fakt është krejt ndryshe. Gjithnjë më ka bërë përshtypje se me sa entuziazëm e ringritën jetën kulturore e artistike shkrimtarët, artistët, piktorët, muzikantët, poetët, kantautorët dhe gjithë inteligjencia e viteve ’30. Siç thotë me të drejtë Robert Elsie studiuesi me origjinë kanadeze që lindi në Gjermani dhe që iu kushtua studimit të letërsisë sonë, kultura shqiptare në vitet ’30 arriti një shkëlqim të tillë që nuk është kapërcyer ende as sot.

Të kësaj periudhe janë Fishta, Koliqi, Noli, Migjeni, Poradeci, Kuteli në letërsi, por, edhe Tefta Tashko Koço me të shoqin Kristo, Marie Kraja, Jorgjia Truja edhe në lëmë të muzikës.

Pastaj qytete si Shkodra, Elbasani, Korça  kishin krijuar individualitetet e këngës lirike qytetare. Po ashtu, kishte nisur edhe një traditë për t’i studiuar, kuptuar dhe interpretuar ato këngë jo vetëm në pikëpamje të formës muzikore, por edhe për të shpjeguar si kishte lindur e si ishte formësuar ajo traditë.

Muzika në jetën e njeriut është një përmasë e lindur sepse ajo shënjon formën më abstrakte të harmonisë tingullore. Muzika thotë filozofi më i njohur i kohës sonë Jordan Piterson është si bota - një përzierje e masave harmonike, e përputhjes perfekte të formave në lëvizje që përbëjnë universin. Vetë bukuria nuk është gjë tjetër por një harmoni formash, masash e tingujsh. Njeriu e gjeti këtë harmoni në natyrë dhe e trashëgoi prej saj.

Kaosi mendor, shpartallimi i vlerave dhe kontrastet mes asaj që shkëlqen në natyrë dhe asaj që nxin në mendjet tona që sot sheh si mundësi të vetme jo dialogun por përplasjen, jo dashurinë por urrejtjen, shfaqen edhe në pjesën më të madhe të muzikës pa formë e pa ngjyrë që mbush hapësirën tonë publike.

Ndaj rikthimi edhe njëherë të ato vlera që shënjuan një kohë dhe arritën një shkëlqim që ende sot na verbon me cilësinë e harmonisë e të vlerave, është një nevojë urgjente në mënyrë që të mos humbasim edhe atë pak harmoni që na ka mbetur. (https://youtu.be/HX_XTsxzrzM)

SI.E./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meri: 29/12/2022 12:31

    Ç'far ndryshimi kan këta të rinj,nga ata që shikojmë çdo dite nëpër TV (femëra gjysëm të zhveshura)dhe që ndryshojne të dashurit/at sa herë u teket...,aaaa ata jan vipa....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona