Iliria - Toka jonë e lashtë
 

Iliria - Toka jonë e lashtë<br /> 
Si ndryshoi përkrenarja ilire me kalimin e shekujve? Pse mbreti Monun preu monedha që mbanin si figurë nofullën e derrit të egër? Pse besonin ilirët te gjarpri-dragua? Ku thuhet se është fshehur thesari i mbretëreshës Teuta? Pse varri i mbretit Gent ndodhet në Itali? Ç’kuptim të fshehtë ka labirinti i famshëm dardan?
 
Pas librit të mirëfilltë studimor “Hyjnitë ilire”, gazetari, përkthyesi e studiuesi Taulant Hatia i rikthehet përsëri lashtësisë sonë me titullin “Iliria- Toka jonë e lashtë”, por libri kësaj radhe është i konceptuar ndryshe.

Ndryshe në pamje dhe përmbajtje. Formati i madh, kopertina luksoze dhe brendia e gjitha me ngjyra sugjeron se po kaq tërheqëse duhet të jetë edhe përmbajtja. Dhe ashtu është.
Historia e ilirëve na vjen këtu plot ngjyra e ilustrime, fotografi e skica, duke e shndërruar në një album tërheqës, në një enciklopedi të vërtetë që na shëtit në mijëra kilometrat e gadishullit ilirik e në dhjetëra shekujt e historisë së ilirëve fisnikë.

Në fakt, libra për ilirët dhe Ilirinë nuk kanë munguar, po ku qëndron e veçanta dhe dobia e këtij libri të ri? Librat e tjerë për Ilirinë janë ose studimorë, ose artistikë. Këtu është ndërthurur studimi, fakti historik, me artin, ilustrimin, pamjen dhe gjuhën e thjeshtë.

Autori tregon se faktet e njohura të historisë së ilirëve janë paraqitur me një gjuhë të thjeshtë, të zhveshur nga termat akademikë, duke e bërë librit të kapshëm nga moshat shkollore por edhe nga çdo dashamirës i historisë. Veç kësaj, në libër janë përfshirë dhjetëra kureshti, kurse, për ilustrimin e së tërës, janë përpunuar rreth 1000 fotografi artefaktesh, armësh, stolish, veglash, piktura e vizatime, si dhe janë prodhuar ilustrime enkas për këtë libër.

Të gjitha këto të krijojnë efektin sikur i sheh ilirët të gjallë, sikur mund t’i prekësh me dorë. Dhe në një farë mënyre mund t’i prekësh, siç e tregon edhe një model i monedhës së qyteti ilir Damastion, të përfshirë aty.

Duke shfletuar faqet, të kalojnë para syve mbretërit e prijësit e famshëm ilirë, Bardhyli, Glaukia, Pirroja, Agroni e Teuta, Genti, Monuni e Mytili, Skerdi e Batoja, me bëmat e betejat e tyre. Por edhe anijet e shpejta liburne, përkrenaret dhe mburojat me rrathët që paraqesin diellin, stolitë e monedhat e argjendta ilire. Do të lexoni aty për qytetet e mëdha ilire, Dyrrahun, Apoloninë, Lisin, Skodrën, Bylisin, Dimalen e Rizonin, Meteonin e Damastionin dhe për fjalët e udhëtarëve të lashtë për këto qytete.

Një punë voluminoze dhe këmbëngulëse është bërë për krijimin  një harte sa më të plotë me fiset ilire dhe vendndodhjen e tyre, duke u mbështetur në harta të vjetra e të reja. Rezultati është një hartë mjaft e plotë e gadishullit ilirik dhe një listë me gati 100 fise ilire.

Po kaq interesante duket edhe pjesa mbi kulturën e gjuhën ilire, e cila na tregon një varg fjalësh dhe emrash që dëshmojnë vijimësinë e gjuhës nga ilirët te shqiptarët.
Nga faqet e librit, vijnë plot ngjyra, forcë e shprehje edhe ilustrimet për hyjnitë ilire, për Korrotin dhe Bindin, për Enjin dhe Shkumben, për Thanën dhe Tritën.

Si ndryshoi përkrenarja ilire me kalimin e shekujve? Pse mbreti Monun preu monedha që mbanin si figurë nofullën e derrit të egër? Pse besonin ilirët te gjarpri-dragua? Ku thuhet se është fshehur thesari i mbretëreshës Teuta? Pse varri i mbretit Gent ndodhet në Itali? Ç’kuptim të fshehtë ka labirinti i famshëm dardan?
Pyetje të tilla marrin përgjigje në faqet e librit “Iliria – Toka jonë e lashtë” po aq të jashtëzakonshëm sa vetë historia ilire.

Libri përmbyllet me shekujt e parë të erës sonë, kur tokat ilire u pushtuan nga Roma dhe bustet e perandorëve romakë me origjinë ilire.
“Një udhëtim në tokën e të parëve tanë, në Ilirinë fisnike, krenare dhe madhështore... Ky libër të tregon sa thellë në këtë tokë i ke rrënjët ti, familja jote dhe populli yt. Krenohu me të”. Kështu shkruan autori Taulant Hatia në faqen e parë.

Dhe nëse nuk e ke këtë libër në bibliotekën tënde, atëherë të mungon një pjesë e historisë së familjes...
iliria



















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni