Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD Ilirjana Kuçana, ka komentuar kërkesën e PD për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, ndërsa deputetët demokarët nuk morën pjesë në votim.

E ftuar në emisionin, ‘Studio Live’ në Report Tv, Kuçana tha se deputetët duhet që të japin llogari para demokratëve, se pse nuk votuan në Kuvend për shkarkimin e Peleshit.

 ‘Unë kam detyrimin tim moral që të kem qëndrimin tim për akte politike, ajo që ka ndodhur në Kuvend duhet që 36 deputet t’i japin përgjigje demokratëve, pse nuk kanë votuar sot pro shkarkimit të Peleshit. Unë nuk përgjigjem për përgjegjësi që s’janë pjesa e imja. Ata duhet që ti japin llogari demokratëve pse nuk kanë votuar për shkarkimin e Peleshit. Unë jam kritike ndaj qeverisë, por jam kritike edhe ndaj forcës sime’, tha ajo.

Teksa u ndal tek raporti i OSBE-ODHIR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ajo tha se rekomandimet duhet që të merren parasysh.

‘Unë mendoj se çdo rekomandim duhet që të merret parasysh, duke qenë dhe se PD ka qenë në pritje të këtij raport. Raporti është i rëndësishëm sepse rekomandimet janë të rëndësishme që shqiptarët të kuptojnë se atë që kemi thënë në gjatë fushatës këtë ka treguar edhe raporti për blerje votash për përdorimin e administratës publike. Niveli i parlamenti ka rënë shumë edhe nga PS edhe nga PD sepse s’ka konkurrencë, s’ka garë. E kam thënë ti sot ke njerëz në parlament që janë rrogëtarë, por politikanë kurrësesi. Kemi parë deputet që kanë ikur dhe sot se dimë se kush janë. Ke shumë nga ata se si di kush emrin, nëse qëllimi është për të marrë një rrogë të mirë është gjë tjetër’, tha ajo.

Kuçana deklaroi se partitë politike duhet që të gjejnë dakordësinë për çështje me rëndësi për qytetarët.

‘Kur bëhet fjalë për të bërë politikë duhet që të ketë marrëveshje për të mirën publike, partitë politike duhet që të ulen dhe të gjejnë dakordësinë. Kodi zgjedhor dhe reforma territoriale janë dy pikat që në mënyrë urgjente duhet që të t’u serviren shqiptarëve’, tha ajo.