Nismëtari i këtij projekti ka qenë jezuiti At Filipo Riceputi S.J. i cili sipas të gjitha gjasave e kishte marrë përsipër këtë barrë nga Francesco Albani (Papa Klementi XI), asokohe kardianal, që sikurse dihet qe shumë i interesuar për historinë kishtare të vendit të origjinës, i cili në atë kohë kishte rënë plotësisht nën pushtimin osman. Kur qe bërë papë ai pat filluar të mblidhte lëndën dokumentare për një vepër që kishte menduar ta shkruante për prejardhjen dhe lashtësinë e Ilirikut të lashtë, por më vonë, lëndën e mbledhur ia dhuroi At Filipe Ricepputi-t, të cilit i pagoi edhe të gjitha shpenzimet e udhëtimit për në Ilirik në vitin 1720. Riceputi e nisi punën në Padova, një vend shumë i përshtatshëm për të kryer një punë të tillë, për shkak se atij i siguronte lehtësi kërkimore sa i takon sigurimit të materialeve arkivore dorëshkrimore dhe atyre bibliotekare, jo vetëm se ky qytet dispononte shumë prej sish, por edhe pse kishte mundësi komunikimi me qytetet të tjera si Venediku, Milano, Bolonja, Firence dhe Romën vetë. Në vitin 1720, Riceputi boton Prospetus Illyrici Sacri, cujus Historiam describendam typisque mandandam suscipit.
P. Philippus Riceputi Societatis Jesu Sacerdos. (Prospekt i Illirisë së Shenjtë), prej ku shihet qartë se ideja fillestare e tij ka qenë shkrimi i një historie kishtare të Ilirisë ndarë në katër pjesë me tituj punues Acta Illyricorum Antistitum (Akte të Ilirisë së hershme), Collectio Sacrorum Conciliorum, et Lagationum Apostolicarum, ad Illyricam Ecclesia Spectantiam (Përmbledhje e Konçileve të Shenjta dhe Legatave Apostolike të Kishës Ilirike); De vita et moribus Sanctorum hominum qui Ecclesiam Illyricam Illustrarunt (Jeta dhe zakonet e Shenjtorëve që shndritën Kishën Ilirike); Monasticum Illyricum seu Historia Monacorum et Sanctimonialimum Ilyricarum (Monastizimi i Ilirisë ose Historia e Murgjve dhe e sendeve të shenjta të ilirëve). Më 1722 u emërua si ndihmës i tij At Daniel Farlati me të cilin së bashku hartuan më se njëqind katalogë të ndryshëm të indeksuar në 8 indeksa, në të cilët përfshiheshin treqind e pesëdhjetë e nëntë vëllime me dorëshkrime dhe 268 tituj të botuar, që përbënin kështu gjithsej 627 zëra.
Pasi punuan për 20 vjet së bashku, pothuajse njëzetë vjet më vonë në vitin 1739, Riceputi e ripunon konceptualisht prospektin e dytë dhe sërish në vitin 1742 e rishkruan sërish, duke e parashikuar veprën e ardhshme në nëntëmbëdhjetë vëllime gjithsej. Me vdekjen e Riçeputit, i cili nuk mbërriti të shohë asgjë të botuar nga puna e madhe vëllimore që kishte bërë, Farlati u tregua ekonomist dhe konkret njëherësh, dhe duke vlerësuar mundësitë fizike të tij, e reduktoi konceptualisht korpusin e serisë të projektuar nga Riceputi dhe arriti kështu ta formatojë veprën disi më ndryshe në pikëpamje fizike, duke ruajtur të pandryshuar linjën bazike të saj. Farlati botoi katër vëllime të veprës, të cilën më pas do ta vazhdojë Koleti. Edhe pse vëllimi i parë i kësaj vepre u botua në vitin 1751, ajo ende edhe sot ka një rëndësi të dorës së parë sa i takon burimeve dokumentare që paraqet lidhur me të dhënat mbi historinë mesjetare të gjithë Ballkanit.
Lënda për këtë vepër sikurse shihet është mbledhur për më shumë se 120 vjet, nga fundi i shekullit XVII e deri më 1819, kur edhe doli vëllimi i saj i VIII. Asnjë burim tjetër i botuar ose në gjendje arkivale nuk e zë dot vendin e këtij korpusi. Aty trajtohet historia e ungjillëzimit të ilirëve që prej periudhës apostolike, përhapja e krishtërimit në viset e populluara prej tyre, ndërtimi i kishave, manastireve, abacive, katedraleve, jepen ndarjet administrative kishtare sipas kryeipeshkvive dhe ipeshkvive të pavarura dhe atyre sufragane, hierarkia katolike dhe rendi i kryeipeshkvinjve, ipeshkvinjve, abatëve, historia e mugandeve dhe murgjve si dhe historia e urdhërave/rendeve kishtare të hershëm si atyre të Shën Bazilit, Shën Benediktit, Shën Domenikut, Shën Françeskut, Shoqërisë së Jezuitëve etj.
Aty gjenden qytete, personalitete kishtare e laike të kohës si dhe marrëdhëniet mes tyre. Gjenden në këtë kolanë bula papnore, diploma të ndryshme, privilegje, fletëdhurata, akte sinodale dhe dekrete konçilesh kishtare në nivel kombëtar, provincial, rregulltare dhe dioqezane, gjenalogji, stema, biografi, dëftesa, letërkëmbime, ditare, udhëpërshkrime, kontrata, akte noteriale, relacione të ndryshme, tregime dhe legjenda me sfond historik, libra dorëshkrime të vjetër, kodikë etj. Këto dokumete që në të shumtën e rasteve autorët i kanë sjellë të plota e të pacënuara, pra të pashkurtuara kanë sot rëndësi të jashtëzakonshme, kur kemi parasysh se për një pjesë të madhe të tyre origjinalet kanë humbur. Vepra Illyricum Sacrum u botua në latinisht në Venedik gjatë viteve 1751-1819, dhe në mënyrë të përmbledhur përmbajta e vëllimeve të saj pak a shumë është si vijon:
Vëllimi i parë Illyricum Sacrum. Tomus primis. Ecclesia Salonitana. Ab ejus exordio usque ad Saeculum quartum Aerae Christianae, auctore, Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. (Superiorum Permissu, ac Privilegio), 1751. f. [V-LII] +1 –780, i cili i kushtohet Papa Benediktit XIV, merr në shqyrtim historinë e Ilirisë prej antikitetit deri në shekullin e IV. Pas një hyrje të gjatë të titulluar Prolegomena, e cila i kushtohet kryeipeshkvit të Splitit njëkohësisht primat i Dalmacisë, në kapitujt vijues trajton historinë laike të Ilirisë dhe të Dalmacisë, periudhën apostolike në fillimet e ungjillëzimit në këto vise si dhe një historik të qytetit dhe metropolisë së Salonës e që përmbyllet me një katalog të sufraganeve të kësa ipeshkvie.
Vëllimi i dytë Illyrici Sacri. Tomus secundus. Ecclesia Salonitana. A quarto saeculo Aerae Christianae, usque ad excidium Salonae. Accessere Vita Diocletiani Imperatoris, Acta Sanctorum ex ejus genere et Marmora Saloniana, auctore, Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. (Superiorum Permissu, ac Privilegio), 1753. f. [III-XII] +1 –636 + [V-XLVIII], i cili edhe ky i kushtohet Papa Benedikt XIV,vijon trajtimin e historisë kishtare të Salonës dhe atë të Ilirisë dhe Dalmacisë nga shekulli i IV deri në fillim të shekullit të VII. Në këtë vëllim gjejnë vend trajtesa të zgjeruara kushtuar perandorit Dioklecian, letërkëmbimi i papës Gregori i Madh si dhe mbishkrime të shumta të gjetura në objekte prej mermeri në hapësirat ilirike.
Vëllimi i tretë Illyrici Sacri. Tomus tertius. Ecclesia Spalatensis olim Salonitana. Auctore, Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. (Superiorum Permissu, ac Privilegio), 1765. f. [III-XVI] +1 –586, i kushtohet Papa Klementit XIII dhe përqendrohet kryesisht në historinë kishtare të Dalmacisë e përgjithësisht të Kroacisë së sotme dhe veçanërisht Splitit, ku edhe ishte transferuar selia kishatre e Salonës e cila tashmë ishte ngritur në rangun e kryeipeshkvisë.
Vëllimi i katërt Illyrici Sacri. Tomus quartus. Ecclesiae suffraganae Metropolis Spalatensis. Auctore, Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. (Superiorum Permissu, ac Privilegio), 1769. f. [III-XI] +1 –528,i cili i kushtohet kryeipeshkvit të Splitit Giovanni Luca Garagnino, merr sërish në shqyrtim historinë kishtare të ipeshkvive sufragane të kryeipeshkvisë metropolitane të Splitit . Gjejnë pasqyrim të plotë aty ipeshkvitë e Belgradensis et Scadronensis, Bosnensis, Corbaviensis, Modrusensis, Seniensis et Ottociensis, Dumnenis, Macarensis sive Macarchensis, Nonensis, Phariensis, Tinniensis, Traguriensis ex quo Sibenicensis.
Vëllimi i pestë Illyrici Sacri. Tomus quintus. Ecclesiae Jadertina cum suffraganeis, et ecclesia Zagabriensis. Auctore, Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. (Superiorum Permissu, ac Privilegio), 1775. f. [III-XV] +1 –672, i cili i kushtohet kryeipeshkvit të Zarës Giovanni Carsana, paraprihet nga një parathënie e Jakob Koletit kushtuar Daniel Farlatit, i cili tashmë kishte vdekur, duke e lënë të përgatitur të gatshëm për botim këtë vëllim e më pas trajton historinë e Ipeshkvisë metropolitane të Zarës dhe asaj sugragane të Zagrebit.
Vëllimi i gjashtë Illyrici Sacri. Tomus sextus. Ecclesiae Ragusina cum suffraganeis, et ecclesia Rhiziniensis et Catharensis. Auctore, Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu, et Jacobo Coleto olim ejusdem Societatis alumno. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. (Superiorum Permissu, ac Privilegio), 1800. f. [III-VIII] +1 –540, që i kushtohet dy këshilltarëve të Republikës së Raguzës, merr në shqyrtim historinë kishtare të kryeipeshkvisë së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) me sufraganet e saj Rhizniensis dhe Kotorrin.
Vëllimi i shtatë Illyrici Sacri. Tomus septimus, Vol.VII, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachiensis, et Sirmiensis Cum Earum Suffraganeis. Auctore Daniele Farlato Presbitero Societatis Jesu et Jacobo Coleto Olim Ejusdem societatis alumno. Venetiis, MDCCCXVII (1817). Apud Sebastianum Colet. Superiorum Permissu, Ac Privilegio, 1817, f. (III-XVI) + 638, që i kushtohet Papa Piut VII, trajton pothuajse eksluzivisht historinë kishtare në trojet shqiptare, përjashto kryeipeshvinë e Shkupit e cila gjendet në vëllimin vijues. Jepet historia kishatre e kryeipeshkvisë së Tivarit, ipeshkvia e Arbërisë, Balecit, Budvës, Danjës, Drishtit, Ulqinit, Pultit të madh dhe të voglit, Shurdhaut, Sardës, Shasit, Shkodrës si dhe kryeipeshkvisë së Durrësit, ipeshkvisë së Lezhës, Amantias, Apolonisë, Vlorës, Bendës, Priskës, Stefanjakës, Kunavisë, Krujës e Skampës. Më interes është se këtu gjejmë tekstin e plotë të Kuvendit të Arbënit.
Vëllimi i tetë Illyrici Sacri. Tomus octavus. Ecclesia Scopiensis, Sardicensis, Marcianopolitana, Archidensis et Ternobensis, Cum Earum Suffraganeis. Autore. Jacobo Coleto, olim Presbitero Societatis Jesu. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti. Superiorum Permissu, Ac Privilegio, 1819, f. (III-XV) + 330, që i kushtohet Francisco Fontana-s, vijon trajtimin e historisë kishtare të Shqipërisë me arqipeshkvinë e Shkupit me sufraganet e saj Nishin, Staliensis, Ulpianës, Sapës dhe patriarkanës së Pejës për të vijuar me krishtërimin në Maqedoni dhe Bullgari me kryeipeshkvitë e Sardikës, Sofies dhe sufraganeve të tyre Pautaliotës, dhe Remesioanës, kryeipeshkvisë së Marianopolit dhe sufraganeve të Nikopolit, Varnës, Belgradensis, Semandiernsis, Bidiensis dhe ipeshkvisë së Lynit ; kryeipeshkvisë së Ohrit (justiniana Prima), të Prizrenit, Zagoorisë e Tërnovës. Në përmbyllje të tij gjendet Martyrologium Illyricum (f. 284-317).
Vëllimi i nëntë Illyrici Sacri. Accessiones et Correctiones all’ Illyricum Sacrum del P. D. Farlati di P. G. Coleti. Manoscritto inedito pubblicato dal prof. Frane Bulić. [Supplemento al “Bullettino di Archeologia e Storia Dalmata », anno 1902-1910. Coi tipi della “Narodna Tiskara”, Spalato, 1910, f. [4 të pafaqosura] + 1-339, u botua nga Don Frano Buliq, i cili botoi shtesat dhe korrigjimet e bëra nga Jakob Koleti për pesë vëllimet e para të veprës.
Kopjet e rralla që kanë mbërritur në ditët e sotme
Illyricum Sacrum është një botim tejet i rrallë. Me sa informacion kemi në Itali, në bibliotekat publike gjenden vetëm 2 komplete, (një në Trieste me 9 volumet e plota dhe një tjetër në Cesena me 8 volume), ndërkohë kopje të vëllimeve të ndryshme gjenden sipas kësaj gjeografie: Vëll. I. (8 copë), Vëll. II (7 copë), Vëll. III (8 copë), Vëll. IV (7 copë), Vëll. V ( 6 copë), Vëll. VII (2 copë), Vëll. VIII (2 copë) dhe Vëll. IX. (8 copë), për të mos thënë se nga volumi VII, dimë që gjenden vetëm dy të kopje të tilla sikurse edhe e përmendëm; një në Cesena dhe një tjetër në Trieste. Të bën përshtypje sepse pikërisht vëllimet VII-VIII, që gjenden në Shqipëri, në Itali gjenden shumë rrallë, përkatësisht secili nga dy kopje gjithsej. Në Shqipëri gjenden një kopje e vëllimit I, dy kopje unike të vëllimit VII, (kopje të supozuara të At Shtjefën Gjeçovit/Imzot Frano Illisë dhe të At Daniel Gjeçajt) dhe nja dy të tilla nga vëllimi i VIII.
Duke qenë se vepra ishte kthyer në një raritet libror bibliografik, sepse rrallë biblioteka e kishin në inventarin e tyre korpusin e saj të plotë dhe ngaqë pra gjendej me mjaft vështirësi, në vitin 2004, kompleti prej nëntë vëllimesh u ribotua i plotë (botim fototipik – anastatik me format origjinal, me harta, skica e ilustrime origjinale) në Prishtinë me një lidhje shumë cilësore speciale me lëkurë dhe paraprakisht të kushtueshme që mund ta përballonin vetëm institucionet. (Shih: Illyricum Sacrum, Bibliotheca: monumenta albanica 2. Për botuesin Skënder Blakaj, përkujdesja Musa Ahmeti: Këshilli botues: Alain Ducelier, Robert Elsie, Eleutorio Fortino, Rexhep Ismajli, Josip Kolanoviq, Shaban Sinani, Aleksandër Stipçeviq. Botimi i dytë, Second Edition, Arbi Ltd, Prishtinë, 2004). Një kopje e këtij botimi gjendet për konsultim në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë në Sallën Shkencore "Paolo Petta", dhe në disa biblioteka të tjera private.
Për fat të keq, botimi i kolanës së plotë në 9 vëllime në vitin 2004, edhe pse një botim luksoz, me një lidhje shumë cilësore me lëkurë, do të kishte qenë më mirë të ishte botuar i limituar në atë cilësi (ta zëmë në 100-200 kopje), pra një edicion më ekonomik, dhe pjesa tjetër e kopjeve duhej të ishte një botim më i thjeshtë për nga lidhja dhe cilësia e letrës, (ndoshta me pak se gjysma e çmimit), duke u dhënë mundësi mjaft studiuesve që ta kishin në bibliotekat e tyre dhe njëkohësisht të kishte mundësi më të mëdha për të qarkulluar në rrethet shkencore dhe në publikun e interesuar. Por... e rëndësishme është që gjendet diku për konsultim.
Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)